Flamuri i Kosovës në sfond të ministres së Jashtme, debat në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Flamuri i Kosovës në sfond të ministres së Jashtme, debat në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Debati për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u zhvillua me qëndrime rëndom tërësisht të ndryshme të Kosovës dhe Serbisë. Debati u ndërpre për pak kohë pasi që përfaqësuesi i Federatës rusë reagoi kundër shfaqjes së simboleve të Kosovës në sfond të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.

Pas një debati të mbyllur, mbledhja vazhdoi pa asnjë ndryshim, duke nxitur reagimin e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakoviç, i cili protestoi ndaj paraqitjes së ministres së Jashtme të Kosovës.

Ai tha se “ekstremizmi ndërmjet shqiptarëve nuk ka rënë”, ndërsa akuzoi autoritetet e Kosovës se “shumë serbë janë hequr nga listat e votuesve në zgjedhjet e 14 shkurtit”. Ai u ankua po ashtu që serbëve të Kosovës u është dhënë vetëm një ministri në qeverinë e re.

Ministri serb tha se institucionet e Prishtinës kanë penguar edhe punën e mjekëve në kohë pandemie dhe për këtë arsye Serbia ka organizuar vaksinimin e qytetarëve në tri vende në Serbi.

Ai tha se 80 sulme dhe incidente kanë ndodhur gjatë vitit të fundit në Kosovë ndaj serbëve, ndërsa tërhoqi vërejtjen se Prishtina nuk u kushton rëndësi mbi 200 mijë serbëve të larguar nga Kosova. Shtatë zona fetare ortodokse janë sulmuar gjatë muajit mars, tha ai duke nënvizuar se Prishtina po ushtron trysni mbi Gjykatën e Posaçme për krime lufte me seli në Hagë dhe u ankua për ngritjen e ushtrisë së Kosovës dy vjet më parë.

Ministri serb tha se “kryeministri aktual Albin Kurti është kërcënuar vazhdimisht për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, madje tha ai, një pjesëtar i partisë së tij është kërcënuar se kjo do të ndodhë “ose me pushkë ose me referendum”.

Serbia tha ai është e gatshme për bisedime, por nuk mund të pranojë qëndrimin se duhet të njohë Kosovën.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Kosova votoi në zgjedhjet e fundit për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe po hynë në një erë të re. Kosova, tha ajo, synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO si dhe të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në një të ardhme.

“Jemi të gatshëm për bisedime madje edhe me ata që janë përgjegjës për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë dhe Kosovë...Ne jemi të hapur dhe krenar dhe nuk frikësohemi nga asgjë dhe askush. Ne kemi shumë njerëz me përvojë shumë të dhimbshme nga Serbia. Kryeministri ynë, për shembull ishte gjykuar në një gjyq publik sa ishte student nga regjimi serb dhe ishte keqtrajtuar nëpër burgjet e Serbisë për dy vjet. Nënkryetarja e parlamentit të Republikës së Kosovës, i mbijetoi një masakre kur ishte 13-vjeçare, një masakër të kryer nga serbët ku u vranë nëna, gjyshja, dy vëllezërit dhe kushërinjtë e saj. Ajo vajzë u gjet me 16 plagë dhe mezi mbijetoi. Një nga deputetët e rinj të Kuvendit me më së shumti vota është përdhunuar nga forcat serbe kur ishte vetëm 16 vjeçare. Ajo mori guximin për të tejkaluar pengesat dhe foli për përjetimet e saj. Ajo është zëri i mbi 20 mijë grave të përdhunuara. Asnjë nga përdhunuesit serbë nuk është gjykuar për krimet e kryera”, tha zonja Gërvalla, duke nënvizuar edhe mosgatishmërinë e Serbisë për të ofruar të dhëna për personat e zhdukur gjatë luftës.

Ministrja Gërvalla përmendi edhe të atin, Jusuf Gërvalla, i vrarë në vitin 1982.

“Baba im është vrarë nga regjimi i Beogradit në tokë të huaj, në Gjermani. Fëmijëve të mi u them se nuk ka të bëjë me serbët por Serbia duhet ta bëjë dallimin, duhet t’i sjellë kriminelët e luftës para drejtësisë”, tha zonja Gërvalla, duke përfunduar se “pavarësia e Kosovës është punë e kryer... Sa më shpejtë që t’a pranojë Serbia, do të dalë nga errësira në një të ardhme të ndritur.”

Një pjesë e ambasadorëve të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit tha se ka ardhur koha që të përmbyllet misioni i UNMK-ut në Kosovë, ndërsa të gjithë anëtarët e këtij Këshilli u bënë thirrje palëve që të vazhdojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre./VOA

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja