Me librin “The Albanian Files” në dorë, kryeministri Edi Rama hapi podcast-in e tij “Flasim.” Ai tha se për këtë libër ka nisur një përndjekje që buron nga fryma e bulevardit, edhe pse ky libër as nuk është shkruar e as botuar prej tij.

Rama shtoi se libri është tërësisht i pavarur dhe përmbledh kontributet e studiove arkitekturore që punojnë prej dy dekadash në Shqipëri. Kryeministri tha se teksti ka autoironi dhe fjalët që ai “të bëhet mbret” janë “kthyer kokëposhtë”, por kjo tregon pikërisht lirinë editoriale të librit.

“Është një botim i ri i kohëve të fundit dhe ka brenda punët, projektet, idetë, shënimet e 60 arkitektëve dhe studiove me reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar që i lidh së bashku në gjithë faqet e librit, Shqipëria. Nuk dua të flas për librin, por për një inkuizicion që ka nisur lidhur me librin. Një inkuizicion që buron nga fryma e bulevardit ku protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë të tjera dhe një nga degët është dega inkuizicionale që përndjek, në kuptimin me fjalë, me akuza, me shpifje, një nga gjërat dhe një nga grupet më të rëndësishme që i janë qasur Shqipërisë së këtyre 30 viteve dhe historisë së Shqipërisë. Njerëz që e kanë bërë emrin dhe historinë e tyre në skenën e arkitekturës botërore dhe janë mbledhur në Shqipëri duke dhënë kontribute që ndër të tjera, do të bëjnë që ky vend dhe vajzat e djemtë e këtij vendi, arkitektë, urbanistë, nesër të nxjerrin emër shqiptari që do të shkëlqejë në skenën e botës sepse ne kemi universitetin më të madh dhe prestigjioz në qiell të hapur të arkitekturës dhe zhvillimit urban ku arkitektë rrisin ekspertizën e tyre. The Albanian Files është vendosur nën shënjestër nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që nuk është libri im dhe as i botuar prej meje, unë thjesht kam dhënë aty një tekst parathënës që është krenari që si kryeministër i Shqipërisë, isha i ftuar ta shkruaja me gjithë këtë armatë arkitektësh dhe ka ardhur si projekt editorial tërësisht i pavarur dhe janë kontribute të studiove që punojnë në Shqipëri dy dekadat e fundit. Është diçka fenomenale, ka gjëra të diskutueshme, të kritikueshme, të debatueshme, por t’i qepesh një botimi të tillë dhe të kapesh me një tekst autoironik i një arkitekti që përfaqëson një prej studiove më të mëdha, është kulmi!

E para, që ky tekst i vënë aty, i cili në mënyrë autoironike është një letër drejtuar meje, e cila natyrisht është një letër që mua s’më ka ardhur, se s’kishte as pse të më vinte, është shënim në dosjen e arkitektit, ku më thotë: “Pse duhet të bëhen dhe zgjedhje? Ti mund të bëhesh mbret dhe të bësh atë që bënin mbretëritë për arkitekturën…” e të tjerë, e të tjerë. Çështje dilemash dhe problematikash që s’kanë lidhje fare me ndonjë thirrje reale për t’u bërë mbret, është kthyer kokëposhtë, por tregon që, në fakt, libri është tërësisht i lirë, i pakontrolluar”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi lirinë editoriale të librit dhe ironinë që nis që prej titullit të tij.

“Të gjithë autorët, pra të gjithë pjesëmarrësit, kanë pasur pavarësi të plotë në dosjen e tyre. Kanë zgjedhur vetë projektet, kanë vënë vetë tekstet, kanë caktuar reflektimet dhe materialet që kanë dashur të publikojnë. Dhe është një parim që shprehet qartë që në hyrje të librit, ku editorja e thotë se autonomia e autorëve është ruajtur qëllimisht gjatë gjithë procesit editorial dhe përfshirja e letrës së hapur të Reinier de Graaf është një dëshmi e kësaj autonomie.

Letra është pjesë e dosjes personale të autorit; edhe vetë “files”, dosjet, është një referencë ironike e një Shqipërie që vjen nga një kohë dosjesh, ndërkohë që këtu dosjet janë të tëra të hapura për publikun. Ai e ka vendosur aty, s’ka as redaktim, s’ka as censurë dhe, po të ishte një botim propagandistik apo i kontrolluar politikisht, ky tekst nuk do të mbetej aty, mbase. Unë as nuk e kam parë dhe as nuk më ka ardhur, as më ka shkuar mendja ta kërkoj, ta shoh përpara librin, sesa të botohej.

Dhe çfarë na thotë në të vërtetë letra e Reinier de Graaf është se, së pari, duhet njohur autori. Ai nuk është vetëm një arkitekt i njohur ndërkombëtarisht. Është autor librash dhe esesh mbi marrëdhëniet mes arkitekturës, pushtetit, kapitalit dhe politikës. Ka një stil botërisht të njohur ironik, satirik, paradoksal, hiperbolik, mjete që ai i përdor në punën e tij, por nuk janë deklarata politike lineare dhe ai shkruan po kështu, në të njëjtën mënyrë, për Londrën, Dubain, Rusinë, Bashkimin Sovjetik, Bashkimin Europian, Kinën; njeri i lirë. Dhe, edhe njëherë, e gjithë kjo kthehet në një nga shumë tekstet e akuzës, e akuzës inkuizicionale që po më bëhet mua nga gjithfarëlloj personazhesh”, u shpreh Rama.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:53
‘E gjejmë fajtorin te ju’, Rama publikon problemin e qytetarit: Kjo protestë më intereson, ajo e shtirjeve më neverit! Ata s’duan zgjidhje, por përçarje

Kryeministri Rama publikoi në podcast-in ‘Flasim’ mesazhin e një qytetari që thotë se prej 6 vitesh nuk ka asnjë përgjigje pas shembjes nga tërmeti i 2019 i pallatit ku banonte. Qytetari, i cili prezantohet si Amos, thotë se prej 6 viteve shkon sa nga një institucion në tjetrin dhe kjo revoltë e ka çuar tashmë te protesta para kryeministrisë, ku shprehet se përpiqen të gjejnë fajtorin.

"Mirëdita, zoti Kryeministër. Lexova, si çdo ditë, edhe sot postimin tuaj, të ardhur nga një qytetar i gjeneratës time". Pra, dërguesi është i të njëjtës gjeneratë me mua.

"Shumë e qartë që një kryeministër vlerësohet dhe votohet për vizion, ide, ambicie, sfida që na bashkojnë si komb, të cilat në mënyrë direkte apo indirekte prekin jetët tona. Problemi fillon kur institucionet e varësisë harrojnë që, ndërsa një kryeministër ka për detyrë ato më sipër, ato duhet të merren me problemet e përditshme që i prekin jetët tona dhe jo të përfitojnë nga ky vizion, por të punojnë që vizioni të jetë i prekshëm edhe për ne.

Jemi 12 familje që janë bashkuar në këtë protestë, jo të gjithë me prezencë në bulevard, sepse jemi të zhgënjyer që akoma edhe sot nuk kemi një zgjidhje për gjysmën e pallatit që na është shembur nga tërmeti i 2019-ës, pranë Ministrisë së Jashtme. Kemi ndjekur të gjitha rrugët e robit, të ligjit dhe të Zotit për të kërkuar ndihmë pranë çdo institucioni, minibashki, bashki, Avokat Populli, ministri dhe kryeministri, por akoma sot pa përgjigje.

Ju kemi shkruar edhe ju një letër vitin që shkoi dhe menjëherë pas saj na kontaktuan nga Bashkia Tiranë, duke na premtuar zgjidhje në prani edhe të deputetes. Por pas zgjedhjeve elektorale, përgjigjet në shkresa nuk kishin kurrfarë lidhjeje me premtimet në zyrë, nuk na prisnin më. E delegonin problemin në institucione të tjera për mungesë kompetencash ligjore; u rikthye në pikën zero. Asnjë që merr përsipër jo të na e zgjidhë, por të paktën të çojë zërin ku duhet, ta ndjekë problemin dhe të na mbajë në kontakt të vazhdueshëm.

Për këtë ju kemi zgjedhur, mendoj edhe ne si qytetarë, në mënyrë direkte apo indirekte; prej gjashtë vitesh në spirale, nga një derë te tjetra, i vendosim emrin tuaj këtij problemi. Ndoshta gabimisht", e thotë vetë në kllapa, "nuk janë pak gjashtë vite pa përgjigje dhe, ndërkohë, shikojmë që jepen leje ndërtimi për resorte, komplekse, pallate. Mirë se të vijnë, çdo muaj pothuajse, por pyesim veten: po për një shkallë pallati kaq e vështirë është leja? Duhet të jemi ndërtues, biznesmenë që të gjejmë kanalin e komunikimit dhe pastaj aludojmë, duke ngarkuar veten dhe mendjen, që aty i është premtuar këtij, atij ndërtuesi; nuk dimë çfarë shpjegimi t'i japim kësaj përplasjeje realitetesh.

Dhe kur mendja helmohet, këmbët të çojnë në bulevard. Pse ne duhet t'i shkruajmë letra dhe SMS një kryeministri, kur ka me dhjetëra drejtorë, ministri e bashki që në gjashtë vite duhet të na kishin zgjidhur problemin? Pse duhet të shkëputem unë nga puna për të çuar këtë SMS? Pse duhet të dal të protestoj pasdite, kur mund të kaloja kohë me fëmijët e mi? Pse duhet të pres? Nuk i mjaftuan gjashtë vite këtij shteti?

Këto probleme të përditshme, por jetësore, që ne ndeshemi prej vitesh, na detyrojnë të gjejmë fajtorin tek ju. Vetë administrata juaj ka tendencën t'ia delegojë paaftësinë e saj te ju, duke na vënë ne si qytetarë përballë jush si kryeministër. Përgjigje informale të tipit: 'Pse s'e ke dërguar në gjykatë?', 'Meqenëse kryeministri ju ka premtuar zgjidhje, le t'ua japë ai', 'S'keni pse vini këtu, nuk është kompetenca ime, por e qeverisë', 'Nuk firmos unë të shkoj në burg se do kryeministri t'jua bëjë aty pallatin ku e keni pasur', nuk bëjnë gjë tjetër veçse e mbushin gotën e ujit çdo ditë.

Ndjesë për mënyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit, por mendoj që është më e ndershme kështu. Shumë në rregull me planet dhe vizionet, por duam të jetojmë mirë çdo ditë dhe duam sot. Nuk kemi nevojë për lëmoshë, se ia dalim vetë në jetë, por duam që shteti të mos na vendoset si traversë. Kemi ndjesinë e keqe se na kanë hyrë në hak dhe nuk do të gjejmë më zgjidhje. Ndjesë për shqetësimin, por ndihem i pafuqishëm për të zgjidhur këto probleme dhe më besoni që kjo ndjesi më dhemb.

Faleminderit. Ditë të mbarë. Me respekt, Amos Mezuraj”, shkruan qytetari.

Në përgjigje, kryeministri Rama tha se kjo është protesta që atij i intereson e zemëron, ndryshe nga ajo “e shtirjeve” që e neverit. Shefi i qeverisë i jep të drejtë qytetarit të shqetësuar që askush s’duhet t’i shkruajë kryeministrit kur institucionet paguhen për të bërë punën e tyre, duke mbështetur fjalët e Mezurajt për “delegimin e paaftësisë së administratës.”

“Tani, unë dua ta them shumë qartë dhe shumë drejtpërdrejt: kjo është protesta që mua më intereson, që mua më zemëron po ashtu, që mua më motivon të vazhdoj luftën time. Nuk më zemëron mua protesta e sikur-eve, as protesta e shtirjeve. Ajo më neverit; kjo më zemëron. Dhe nëse do të isha në vendin tënd, i dashur Amos, pas gjashtë vitesh pritje, dyersh që hapen e mbyllen, premtimesh që treten, përgjigjesh që delegojnë përgjegjësinë te dikush tjetër, me shumë gjasa unë do të ndihesha njësoj; me shumë gjasa edhe unë do të ndihesha pjesë e asaj proteste ose do të shkoja edhe vetë në protestë. Kështu që nuk e vë në dyshim për asnjë moment. Përkundrazi, e ndjej, sado që mund të mos ta besosh. E ndjej zemërimin tënd si të ishte imi. Dhe mesazhi yt është këtu, i nxjerrë.

Kam plot të tilla, se është shembulli më i mirë i diçkaje që unë e kam thënë vazhdimisht këto ditë. Jo çdo njeri që bashkohet në protestë është aty për një arsye. Ka plot njerëz që nuk i çon në bulevard ndonjë ideologji, a ndonjë parti, a ndonjë inat abstrakt. Nuk i çojnë as like-et, as folloëers-at për të joshur sot protestues që nesër janë klientë dhe për t'u shitur pastaj produktet e influencerimit. Nuk i çojnë aty as bindjet ambientaliste, që janë fisnike patjetër, as impulset e verbra nacionaliste, as manipulimet apo, më keq akoma sesa manipulimet, misionet e ndryshme për të manipuluar të tjerët, por i çon një hall që, në fund të fundit, kthehet në një zemërim dhe një zemërim që kthehet në një shpërthim, një padrejtësi që e ndjen mbi shpinë. Kjo është legjitime. Ke shumë të drejtë. Askush nuk duhet detyruar t'i shkruajë kryeministrit, sepse institucionet që paguhen për t'i adresuar këto probleme s'e kanë bërë punën e tyre. Por, nga ana tjetër, unë personalisht çdo mesazh që marr e ndjek; siç e thua edhe në mesazhin tënd, më keni shkruar një vit më parë dhe unë e kam çuar te autoriteti kompetent”, u shpreh Rama.

Më tej kryeministri tha se përveçse bashkia e Tiranës ka mbetur pa kryetar prej një viti, nuk mungojnë as problemet me administratën. Ai theksoi që probleme të tilla s’duhet të përdoren nga njerëz që kanë interesa për të përçarë dhe krijuar probleme.

Rama u kërkon qytetarëve që të mos “ia falin askujt” hallin e tyre e njëkohësisht, mos të reshtin për të kërkuar zgjidhje e korrigjim duke shprehur gatishmërinë për t’i mbështetur.

“Unë kam të njëjtin shqetësim absolutisht dhe e kam çuar mesazhin para një viti te Bashkia e Tiranës. Tani, ne nuk kemi kryetar bashkie. Ne kemi një bashki që "funksionon me defibrilator, me oksigjen", me 700 shtytje dhe me 700 ngërçe. Por, përtej bashkisë, ne kemi probleme me administratën, patjetër, dhe kur administrata nuk e mban barrën që i takon, atëherë barra përfundon mbi shpirtin dhe mbi mendjen e qytetarit, e familjes, e njerëzve që duhet të marrin përgjigje.

Por këtu dua të bëj një ndërhyrje që nuk kërkoj mirëkuptim, por thjesht kërkoj dëgjim nga të gjithë. E kuptoj që kur gjëja vjen te vetja, ka arritur fundi i durimit, por, nga ana tjetër, nuk duhet lejuar që një hall i drejtë të bëhet lëndë djegëse për ata që vazhdojnë e ushqejnë këtë protestë, vazhdojnë e ushqejnë këtë rrëmujë, më shumë shpirtërore sesa fizike, duke bërë dëm pas dëmi, jo duke ndihmuar që gjërat të zgjidhen.

Ata janë njerëz që ushqehen me problemet e të tjerëve dhe janë njerëz, janë subjekte, janë organizata, janë edhe aktorë të tjerë jashtë vendit që ushqehen me problemet e të tjerëve. Problemi juaj dhe i gjithë atyre si ju që shkojnë atje ose që janë të lidhur me atë gjë, nuk është që "t'i jepni karburant" politikës apo qëllimeve të tyre, sepse ata nuk kërkojnë zgjidhje. Ata kanë nevojë që zgjidhja të mos vijë kurrë, sepse ata duan të mbajnë gjallë zemërimin, përçarjen dhe iluzionin që çdo plagë e një qytetari është prova se këtu duhet rrëzuar gjithçka dhe Shqipëria duhet të fillojë nga e para. Unë kam detyrimin të dëgjoj njeriun, por të mos bëhem peng i atyre që flasin në emrin tënd. Unë e shoh protestën e njerëzve të ndershëm, e njerëzve që nuk janë "karburant" për industrinë e halleve, si një gjë shumë të respektueshme, shumë të mirëkuptueshme dhe revoltuese për mua; tek unë ajo funksionon.

Njëkohësisht, do t'ju kërkoja diçka të gjithëve ju që jeni në këtë situatë: mos e falni hallin tuaj askund. Mos ia falni administratës dhe, nëse keni nevojë për mua, unë jam këtu të luftoj bashkë me ju, por mos ia falni në asnjë mënyrë atyre që duan t'i çojnë gjërat mbrapsht duke përdorur hallin tuaj. Sepse zgjidhjet kurrë nuk vijnë nga njerëzit që ndezin zjarrin e zemërimit, por nga ata që, pavarësisht të gjitha mangësive dhe gabimeve, mbajnë detyrimin për të "fikur" çdo vatër halli, duke i qëndruar mbi kokë. Unë bëj më të mirën time të mundshme. Unë jam shumë krenar për shumëçka që administrata jonë publike ka arritur dhe për mënyrën se si është transformuar në krahasim me të shkuarën, por jam jashtëzakonisht po kaq i hidhëruar dhe i neveritur me atë çka ndodh me administratën në vende dhe në raste të caktuara. Por zgjidhja nuk është ta "hedhim në erë". Zgjidhja është ta korrigjojmë bashkërisht. Operacionet e mëdha janë bërë. Këtu çështja është për të vazhduar trajtimin e plagëve dhe për të vazhduar trajtimin e atyre pikave që kanë infeksion”, u shpreh Rama.