Fleckenstein-Kukan: Opozita të
shkojë në punë, ose pushohet

Fleckenstein-Kukan: Opozita të<br />shkojë në punë, ose pushohet
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein dhe eurodeputeti Eduard Kukan, gjatë një takimi me gazetarë nga rajoni dhe Shqipëria në Bruksel, përcollën mesazhe të forta në adresë të opozitës shqiptare. 

Fleckenstein tha se detyrë e opozitës është të shkojë në punë (në Kuvend) detyrë për të cilën është zgjedhur nga qytetarët, pasi në të kundërt, tha ai, pushohesh. 

Sipas tij, bojkoti i Kuvendit nuk zgjidh problemet, ndërsa theksoi se asnjë deputet europian nuk mbështet braktisjen e institucioneve. 

 "Të jesh zgjedhur, dhe të mos shkosh në punë, pushohesh. N.q.s je një parlamentar, mund të bësh çfarë të duash, por duhet të punosh. Të shkosh në punë, në Parlament, e sidomos për të votuar Vettingun. Nuk njoh asnjë deputet europian që të mbështesë bojkotin në çdo vend. 
 
Bojkotimi nuk është rrugë për të zgjidhur problemet.
 
A është bojkoti rrugë për të mos votuar Vettingun? Mund të jetë edhe çfarëdolloj tjetër, por duhet të shkohet në punë.
 
Reforma në drejtësi është e domosdoshme edhe për investimet e huaj
", u shpreh Fleckenstein. 
 
"Qeveria teknike nuk është e domosdoshme"
Sa i takon kërkesës së opozitës për qeveri teknike, Knut Fleckenstein u shpreh se kjo nuk është e domosdoshme.

"Pika e dytë është e lidhur me qeverinë teknike. Vendi sigurisht është i lirë të bëjë çdo lloj zgjedhjeje. Por domosdoshmëria nuk është.

Qeveria është e lirë të bëjë ose jo qeverinë teknike. Dhe nuk jap asnjë rekomandim, sepse ka argumente nga të dyja palët"
, tha ai.

"Më thoni s'i funksionon "qeveria e besimit""?
Fleckenstein u shpreh skeptik edhe për propozimin e Ilir Metës për "qeveri besimi".

"Mund të jetë një zgjidhje "qeveria e besimit" e propozuar nga meta, por më thuaj si do të funksionoje?
 
Nuk është gabim çdo gjë që thotë opozita, është punë e saj të ndryshojë qeverinë, por të mos shkosh në Parlament, do të thotë që nuk mund të ndryshosh asgjë për zgjedhësit, por nuk mund të votohet as Vettingu, që është i rëndësishëm?
", u shpreh Fleckenstein.
 
"Vettingu do shtyhet"
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, deklaroi se komisionet e Vettingut nuk do votohen sot në Kuvend.  
 
"Votimi i Vettingut me siguri do të shtyhet sot pasdite, por jo për shumë gjatë".
 
Fleckenstein dha edhe alarmin se tejzgjatja e krizës, mund ta lerë Shqipërinë jo vetëm pa qeveri dhe parlament, por edhe pa president.  
 
"Vendi rrezikon të jetë pa Parlament, Qeveri dhe President.
 
Sot është shumë e vështirë dhe shpresoj që njerëzit të flasin njëri me tjetrin, të dialogojnë. Pa dialog nuk ka zgjidhje
Populli shqiptar nuk duhet të mbetet peng i politikës", theksoi Fleckenstein. 

Eduard Kukan: Meta do "qeveri besimi" Rama-Basha shkëmbejnë SMS
Eurodeputeti Eduard Kukan u ka bërë thirrje forcave politike në Shqipëri që të arrijnë një marrëveshje politike për të organizuar zgjedhje të besueshme, të lira e të ndershme në vend.

Gjatë një takimi me gazetarët nga rajoni në Bruksel, mes të cilëve edhe nga Shqipëria, eurodeputeti sllovak u shpreh se bojkoti dhe bllokimi i zgjedhjeve, nuk janë alternativë për t'u ndjekur.

Ai theksoi gjithashtu se zgjedhjet pa opozitën dëmtojnë vendin. 

Duke apeluar për rikthimin e dialogut, Kukan theksoi se kreu i Kuvendit, Ilir Meta kërkon "qeveri besimi", ndërsa nga ana tjetër Edi Rama dhe Lulzim Basha shkëmbejnë mesazhe. 

"Ne duam t'ju ndihmojmë prandaj duam lajme të mira nga rajoni pasi në këtë mënyrë edhe në Parlamentin Europian jemi më të fortë. 

Zgjedhjet pa opozitë janë të këqija e dëmtojnë vendin. Ka edhe një mundësi teknike për t'u regjistruar n.q.s dikush dëshiron. 

Ka akoma për të arritur dhe e vetmja mënyrë është dialogu. 

Meta kërkon "qeveri besimi", ndërsa Basha dhe Rama shkëmbejnë mesazhe. 

Ne do ju mbështesim, n.q.s ka dialog. Kemi dëgjuar boll për korrupsion, kanabizëm, është logjike që mund të përdoren me fushatë, por për t'i luftuar këto fenomene nuk duhet bojkot. 

Çdo lloj thirrje për protesta nuk duhet të kthehet në dhunë nga politikanët. 

Unë nuk e di çfarë do ndodhë n.q.s nuk dialog, por unë besoj se ka dhe do ketë dialog".


"Do i mbyllja në një dhomë derisa të gjenin zgjidhje"
Eduard Kukan ka rikthyer në vëmendje batutën e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili në kulmin e debatit për reformën në drejtësi, kërkoi të mbyllen në një dhomë Sali Berisha dhe Edi Rama.  

Të njëjtin qëndrim shprehu edhe Kukan sot nga Brukseli gjatë një takimi me gazetarë nga rajoni. 

"Unë do i kisha mbyllur në një dhome (Edi Ramën, Lulzim Bashën, Ilir Metën) deri sa këto të gjejnë zgjidhje", u shpreh Kukan. 

Intervista e Kukan për RTSH

"Bojkoti apo bllokimi i zgjedhjeve, nuk janë alternativë"
Në një intervistë dhënë për RTSH, Kukan tha se mbajtja e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, me abstenime, apo bojkote të partive opozitare, nuk është në të mirën e askujt në Shqipëri.

“Do të jetë shumë keq për vendin, pavarësisht se kush i fiton ato zgjedhje, që të mbahen këto lloj zgjedhjesh, sepse do të ishte shumë shkatërruese për gjithë jetën politike në Shqipëri” tha ai.

RTSH: Zoti Kukan, afati zyrtar i regjistrimit të subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhjet e radhës parlamentare përfundoi, por mbetet mundësia e shtyrjes së këtij afati për t’u dhënë kohë shtesë subjekteve që duan të regjistrohen. A jeni ende në kontakt me përfaqësuesit e opozitës shqiptare dhe cili është mesazhi juaj ndaj tyre?
Eduard Kukan: E di se afati zyrtar ka përfunduar dhe me sa kuptoj ka ende mundësi për t’u regjistruar deri më 29 Prill. Ne u themi partnerëve tanë në Shqipëri se e vetmja mënyrë për të dalë politikisht tani në vend, është pjesëmarrja në zgjedhje, është marrëveshja politike e të gjithë aktorëve të rëndësishëm që ulen për t’u marrë vesh se si të organizojnë zgjedhje të besueshme, të lira e të ndershme. Kjo është ajo çfarë u themi dhe mbetet mesazhi im sot gjithashtu.

RTSH: Zyrtarisht, a i mbështet PPE deklaratat dhe veprimet e PD?
Eduard Kukan: Unë vetëm mund të përsëris se prej ca kohësh jepen mesazhet e njëjta, pavarësisht se kush i dërgon ato, përfshirë edhe përfaqësuesit politik në nivelin më të lartë, se nuk është rrugë bojkoti, apo moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve. Ne gjithmonë u themi se është e domosdoshme që ju të merrni pjesë dhe të dëshmoni se ju jeni të fortë politikisht në zgjedhje, në varësi të njerëzve që do të votojnë për ju. Kjo është ajo çfarë u themi, mbase nuk ka një qëndrim zyrtar të PPE-së, por këto mesazhe që japim janë të qëndrueshme dhe sistematike.

RTSH: A do i quani këto zgjedhje legjitime, nëse nuk do të ketë asnjë parti opozitare të regjistruar edhe në përfundim të afatit shtesë?
Eduard Kukan:
Për të qenë shumë të qartë, mbajtja e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, me abstenime, apo bojkote të partive opozitare, nuk është në të mirën e askujt në Shqipëri, as për partitë qeverisëse, apo le të themi për fituesit e zgjedhjeve, as për ata që bojkotojnë zgjedhjet. Mendoj se ne kemi rregulla të qarta për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe për këtë arsye, OSBE po dërgon vëzhguesit e saj dhe kjo do jetë e qartë. Por, e përsëris se do të jetë shumë keq për vendin, pavarësisht se kush i fiton ato zgjedhje, që të mbahen këto lloj zgjedhjesh, sepse do të ishte shumë shkatërruese për gjithë jetën politike në Shqipëri.

RTSH: Si e vlerësoni qasjen e dy partive në pushtet? A keni ndonjë mesazh për ta, apo këshillë se si ata mund të trajtojnë kërkesat e opozitës?
Eduard Kukan:
Në këto rrethana, është shumë e vështirë të japësh receta se si të zgjidhet situata, pasi të gjithë e dimë se është shumë serioze, tepër e komplikuar. E vetmja pjesë këshillës sime me përulje do të ishte që të vijojnë të tentojnë për të zgjidhur gjërat politikisht, duke u takuar e duke biseduar, në kuptim të krijimit të kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme dhe kjo është e vetmja gjë që mund të them në këtë kuadër.

RTSH: Kur flasim për dialog, të dy palët pajtohen se janë të gatshëm, por dialogu nuk zhvillohet. Si dilet nga kjo?
Eduard Kukan
: Dialogu, mendoj se është e vetmja mënyrë për të trajtuar situatën aktuale dhe duhet të ketë një dialog politik kuptimplotë nga të dyja palët. Kuptimplotë do të thotë një dialog, që trajton realitetin politik në vend për të gjetur zgjidhjen që do t’i ndihmonte vendit, sepse shumë gjëra priten nga këto zgjedhje në Shqipëri, të cilat do të kenë tepër ndikim për të ardhmen e vendit sa i takon integrimit europian, por këto gjëra i kemi përsëritur kaq shumë herë..

RTSH: E vërtetë, po për sa i takon reformës në drejtësi?
Eduard Kukan:
Ju e dini se sa shumë energji investuan të gjithë në Bashkimin Europian për këtë çështje. Ne jemi të shumë të mërzitur që reforma e drejtësisë nuk është zbatuar dhe pa këtë gjë, për mendimin tim, do të jetë e vështirë të imagjinohet situata në të ardhmen në Shqipëri. Kështu që ne jemi të inatosur, jemi të zhgënjyer për moszbatimin e saj.

RTSH: Në fund të ditës, duket sikur ne po shkojmë mbrapa e jo përpara në rrugën drejt BE-së. A mbani ju në BE ndonjë pjesë përgjegjësie, kur merreni me partnerët tuaj në Shqipëri?
Eduard Kukan:
Unë mendoj se BE vijon të merret seriozisht me Shqipërinë, si Parlamenti Europian dhe e gjithë BE. Ju jeni një vend partner, një vend kandidat dhe ne po presim për hapin e radhës që do të jepte datën për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Por, kjo nuk duket shumë optimiste me situatën ekzistuese, megjithëse ekziston vullneti, pasi ne duam ta kemi Shqipërinë. Shqipëria është vend shumë i rëndësishëm në rajon dhe roli i saj me fqinjët, shihet me mjaft pozitivitet, pra, vendi luan rol pozitiv në rajon dhe dua të përsëris se shumë gjëra janë në rrezik. Dua të jap gjithashtu dhe një mesazh për njerëzit në Shqipëri që të jenë të urtë, të qetë, të ruajnë nervat për mirë, pasi në këtë situatë, gjithçka mund të ndodhë. Është një situatë tepër eksplozive/shpërthyese. Shpresoj se njerëzit nuk do të keqpërdoren politikisht, për ndonjë lloj manipulimi nga politikanët, është me rëndësi kjo dhe nënkuptoj psh; zgjedhjet lokale në Kavajë, më 7 Maj, që do të jetë dhe një test se si do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme kur të vijë dita.

RTSH. Si test edhe për bojkotin e opozitës, meqë nuk marrin pjesë as në zgjedhjet lokale të Kavajës..
Eduard Kukan
: Prandaj po e përmend, sepse ne do të shohim se si do të zhvillohen rrethanat, por në këtë kuptim, them se është shumë e rëndësishme për qytetarët shqipëtarë, që të jenë gjakftohtë, të rregulltë e të tregojnë se ata janë të përgjegjshëm për vendin e tyre, mbase më shumë se ca të tjerë atje.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Operacioni i SPAK me 19 urdhër arreste, masë sigurie për Suel Çelën dhe vëllanë e tij

Operacioni i SPAK me 19 urdhër arreste, masë sigurie për Suel Çelën dhe vëllanë e tij