Flet për Report TV, Anisa Mançe, përgjegjëse e shqyrtimit të aplikimeve pranë Bashkisë së Tiranës

Flet për Report TV, Anisa Mançe, përgjegjëse e shqyrtimit të aplikimeve pranë Bashkisë së Tiranës

Në emisionin e mirënjohur të Report Tv, “Këndi i Ekspertit” të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Prona ime” është folur për proceduart e reja të marrjes së lejes së ndërtimit. Në këtë emision ka qenë e ftuar Anisa Mançe, përgjegjëse e shqyrtimit të aplikimeve pranë Bashkisë së Tiranës. Zonja Mançe ka sqaruar me hollësi mënyrën e marrjes së lejes së ndërtimit. Ajo ka sqaruar si bëhet aplikimi online, kriteret që duhet të plotësojnë qytetarët, dokumentacionin që duhet të dorëzojnë etj. Po kështu ajo ka sqaruar edhe disa pyetje të qytetarëve që kanë mbërritur në redaksinë e Report TV.

Sot do të diskutojmë për lejet e ndërtimit. Si duhet të aplikoni për të marrë një leje ndërtimi? Në korrik të vitit 2016 kanë ndodhur disa ndryshime në procedurën sesi duhet të merret një leje ndërtimi. Si aplikohet për lejen e ndërtimit online?
Sikurse thatë edhe ju, që prej shtatorit të vitit 2016 është bërë i detyrueshëm aplikimi online për lejet e ndërtimit, pranë platformës E-Albania. Besoj se qytetarët janë njohur edhe për aplikime të tjera dhe çdo dokumentacion dhe procedurë kryhet ekskluzivisht nëpërmjet këtij portali. Pra nuk kemi më ato radhët e gjata të pritjes pranë sporteleve të Bashkisë.

Në rast se do të flasim për kohëzgjatje, para vitit 2016 duhej të prisje një kohë të gjatë, gati 6 muaj deri në 1 vit për miratimin e një leje ndërtimi. Sa është afati kohor sot, për t’u pajisur me leje ndërtimi?
Afati maksimal që parashikon ligji është 60 ditë pune, ndërkohë që mesatarisht një aplikim për leje ndërtimi mund të shkojë deri në 45 ditë pune.

Si funksionon aplikimi online?
Më saktësisht qytetarët duhet t’u drejtohen një studioje të licensuar, e cila është më e orientuar dhe ka më shumë informacion në lidhje me procedurën. Duhet të paraqiten një sërë dokumentesh teknike dhe ligjore, ndër të cilat, kryesoret janë dokumentet e pronësisë, projektet e ndryshme, autorizimet nga disa institucione përkatëse.

Le t’i sqarojmë hap pas hapi dokumentet e duhura për procedurën, p.sh., së pari, kontrolli i kushteve të zhvillimit, përcaktimi mbi pronën. Ky është hapi i parë.
Po. Bashkia e Tiranës ka miratuar tashmë prej më shumë se një viti, planin e përgjithshëm vendor, i cili përcakton kushtet e zhvillimit për pjesën më të madhe të pronave që përfshin territori i Bashkisë së Tiranës. Para se të procedohet për aplikimin për lejen e ndërtimit, duhet të merret informacion nga plani i përgjithshëm vendor se çfarë parashikon ky plan për pronën, çfarë kushtesh zhvillimore paraqet plani. Për të aplikuar për leje ndërtimi, duhet patjetër që aplikuesi të ketë në dispozicion kartelën e regjistrimit të pasurisë ku ai do të bëjë zhvillimin, e cila mund të jetë një pasuri trualli ose një objekt që rikonstruktohet etj. Pra varet nga lloji i kërkesës.

Duhet theksuar që dokumenti i pronësisë është certifikata e pronësisë e shoqëruar me kartelën e pasurisë, si edhe harta treguese e rifreskuar brenda një afati 3-mujor.
Jo. Kjo është risia, që tashmë nuk është e nevojshme që harta të jetë e rifreskuar për afatin 3-mujor, pasi institucionet janë të lidhura me sistemin online të lejeve të ndërtimit dhe Hipoteka kthen përgjigjen në sistem. Automatikisht Bashkia e Tiranës shërben si sportel me një ndalesë, pra nuk është e nevojshme që qytetari të shkojë në sportelet e Hipotekës dhe të rifreskojë dokumentin e pronësisë. Por patjetër duhet që ta disponojë atë.

Qytetari duhet të paraqitet pranë një studioje projektimi, e cila ka të angazhuar pranë saj topografë, arkitektë të licensuar, të pajisur me prokurë të posaçme që të aplikojnë për leje zhvillimi apo për leje ndërtimi pranë të gjitha bashkive. Kjo duhet patjetër?
Po sepse pronari i pasurisë shpreh vullnetin e tij dhe këtë vullnet ia transmeton aplikuesit, i cili është një profesionist i licensuar, mund të jetë arkitekt, inxhinier, topograf, varet nga legjislacioni.

Afati i miratimit të lejeve të ndërtimit tashmë realizohet për 45 ditë.
Për 45 ditë pune mesatarisht, por maksimalisht mund të shkojë deri në 60 ditë pune. Kohëzgjatja varet edhe nga kompleksiteti apo nga rëndësia e aplikimit.

Duhet të flasim pak edhe për taksat. Në Tiranë janë rritur me 2% dhe 4%, ndërsa rrethet i kanë më të ulëta. Kjo është një çështje me interes për të gjithë qytetarët.
Taksat për lejet e ndërtimit në territorin e Bashkisë së Tiranës rregullohen nga këshilli bashkiak, me anën e një vendimi të posaçëm. Për banesat individuale taksa ka edhe një pjesë që është diku rreth 4% të vlerës së kostos së ndërtimit të objektit, ndërkohë që për objektet banesat polifunksionale shkon në 8% të vlerës së referencës që ka zona.

Për të gjithë ata persona që duan të ndërtojnë një shtesë tek apartamenti i tyre, si duhet të veprojnë?
Në apartament ka disa kushte të veçanta sepse do të thotë që jemi në një godinë me banorë të tjerë dhe duhen parë nëse krijohen mundësitë për të ndërtuar në varësi të kushteve urbane, por ajo që është kryesorja është dakordësia e të gjithë banorëve sepse, sikurse e dimë, nga Kodi Civil kemi sipërfaqe të cilat janë të përbashkëta, në bashkëpronësi të detyruar, për të cilat duhet të jemi dakord që të gjithë. Pra duhet të jenë dakord që të gjithë bashkëpronarët.

Po për rastet e shtëpive private?
Është më e thjeshtë sepse aty shikohen vetëm distancat nga kufiri i pronës, intensiteti, kushtet teknike. Pjesa ligjore në këto raste është më e lehtë sepse normalisht këto banesa janë pronë vetëm e një familjeje.

Ku duhet të drejtohen qytetarët kur duhet të bëjnë një aplikim?
Te portali online E-Albania.

Cilat janë mënyrat e tjera të informimit përveç portalit E-Albania?
Kemi faqen e ëeb-it të Bashkisë, Tirana.al, që mjaft i përditësuar në lidhje me procedurat, si për studime, për leje ndërtimi, për aplikime etj. Gjithashtu pranë E-Albania-s gjendet informacion në lidhje me formularët dhe me aplikimet e ndryshme. Edhe sportelet e Bashkisë gjithashtu, ofrojnë informacione.

Në rast se duhet shtuar një shtesë, çfarë procedurash duhen ndjekur?
Edhe në këtë rast bëhet alikimi online për leje ndërtimi. Duhet që qytetarët të paraqiten me dokumentacionin e nevojshëm teknik dhe ligjor, sipas listave që ne kemi afishuar në portal, të cilat ndodhen në portalin E-Albania ose mund t’i marrin pranë Bashkisë. Dhe gjithnjë duhet t’i drejtohen studios së projektimit.

Kam një tokë, e cila është zonë e gjelbër, në Lundër dhe dua të bëj një ndërtim. Çfarë procedurash duhet të kryej?
Në qoftë se qytetari ka marrë informacionin e duhur dhe i është komunikuar nga Bashkia që plani parashikon që aty të jetë zonë e gjelbër, aktualisht nuk mund të ndërtojë sepse lloji i përdorimit natyrë nuk parashikon ndërtim për banesë, nëse qytetari dëshiron të ndërtojë banesë. Nëse qytetari dëshiron të ndërtojë biznes, ai duhet të bëjë një kërkesë për rishikim të planit vendor sepse plani parashikon që të rishikohet një herë në disa vite. Qytetari duhet të shprehë në këtë rast interesin e tij për truallin, të cilin kërkon ta përdorë. Pranë sporteleve të Bashkisë së Tiranës, qytetari mund të gjejë të gjitha informacionet e duhura. Gjithashtu numrat e kontaktit janë të afishuar edhe në faqen e ëeb-it të Bashkisë Tiranë.

Shumë qytetarë na shkruajnë mesazhe për të ditur përse nuk mund të ndërtojnë akoma edhe pse janë në proces legalizimi?
Në qoftë se u referohemi p.sh. shtesave të kateve, qytetari në qoftë se është në proces legalizimi, kërkon shtesë mbi një objekt që aktualisht nuk e ka ligjëruar ende formën e tij, d.m.th. ligjërisht ai objekt nuk është formalizuar ende, në mënyrë që ne të shohim sesa parametra kanë mbetur për mundësi ndërtimi të një shtese kati apo të një shtese anësore.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Prap: 16/01/2019 10:27

    Prap se prap te korruptuar keni ngel. Dhe me forte se me pare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Ukrainës/ Tre të vdekur nga sulmet ruse me dronë në Donetsk dhe Sumy

Lufta në Ukrainës/ Tre të vdekur nga sulmet ruse me dronë në Donetsk dhe Sumy