Florentino Perez do të vazhdojë të drejtojë Real Madridin edhe në vitet e ardhshme, pasi ka dalë fitues në zgjedhjet presidenciale të klubit madrilen. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, presidenti aktual ka siguruar besimin e anëtarëve të klubit dhe do të nisë një mandat të ri në krye të një prej skuadrave më të mëdha në botë.

Sondazhet e publikuara nga mediat spanjolle tregojnë se 79-vjeçari ka marrë rreth 65 përqind të votave, duke mposhtur rivalin e tij, Enrique Riquelme, i cili siguroi 35 përqind të mbështetjes. Megjithatë, rezultati i kandidatit 37-vjeçar u konsiderua pozitiv, pasi tejkaloi pritshmëritë e parashikuara para zgjedhjeve.

Këto zgjedhje shënuan një moment të rëndësishëm në historinë e klubit, pasi ishin të parat presidenciale pas dy dekadash dhe regjistruan pjesëmarrjen më të lartë të anëtarëve në historinë e Real Madridit.

Deri në mbylljen e procesit zgjedhor, mijëra anëtarë ushtruan të drejtën e votës, duke konfirmuar interesimin e madh për të ardhmen e klubit. Zyrtarizimi i rezultatit pritet të bëhet nga autoritetet përkatëse të 'Galaktikëve'.

Për Perezin, kjo përfaqëson një tjetër sukses në karrierën e tij si president, pas fitoreve të mëparshme në zgjedhjet e viteve 2000 dhe 2004. Gjatë drejtimit të tij, Real Madridi ka përjetuar një nga periudhat më të suksesshme në historinë moderne, duke fituar trofe të shumtë në Spanjë dhe Evropë.

Mandati i ri pritet të shoqërohet me lëvizje të rëndësishme në aspektin sportiv. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, drejtuesit madrilenë po punojnë për forcimin e skuadrës gjatë merkatos së verës, me disa emra të njohur që lidhen me një transferim të mundshëm në 'Bernabeu', siç janë Dumfries dhe Konate. Për stolin pritet rikthimi i Jose Mourinhos.