Florian Tahiri i PDIU në një listë koalicioni me PBDNJ: Kauza çame do marrë zgjidhje pavarësisht shkopinjve nën rrota! Në Kuvend shkoj me vota personale

Florian Tahiri, i lindur dhe rritur në Durrës, prej 5 vitesh nënkryetar i Bashkisë së Durrësit, sot kandidon i dhjeti në listën e Partisë Demokratike-Aleanca për Ndryshim. Në një intervistë për Report Tv ai shprehet se edhe pse është i 10 në listë do të shkojë në Kuvendin e ardhshëm me votë nominale nga votuesit e Qarkut Durrës. Tahiri vjen nga komuniteti çam dhe në intervistën për Report Tv foli për rreshtimin e PDIU në një koalicion me PBDNJ. "Për të gjithë ata, të cilët kanë filluar nëpër rrjetet sociale që të sulmojnë koalicionin opozitar nëpërmjet kësaj çështjeje, diçka është për t’u theksuar që unë si individ, por PDIU-ja në përgjithësi,e mbështet PBDNJ-në si parti, dhe për çfarë ata kanë në program dhe çfarë kërkojnë për sa u përket të drejtave të minoritetit grek", tha Tahiri duke theksuar se "komuniteti çam ka krijuar antipati vetëm për Vangjel Dulen si individ që ka dalë përtej vlerave njerëzore, nuk përfaqëson absolutisht asnjë gjë". Kandidati për deputet shton se "kauza çame do të marrë zgjidhje me marrëveshjen e nënshkruar me Bashës dhe Idrizit, pavarësisht këtyre shkopinjve nën rrota që po mundohen të na vënë individë të caktuar". 

Intervista e plotë
    Ju konsideroheni surprizë në kampin blu për sa i përket përzgjedhjes së figurës suaj, si kandidat për deputet kuptohet, nën siglën e PD-së por i sjellë nga PDIU-ja. Si erdhi ky vendim i juaji kur të tjerëve, për të arritur deri në postin e nënkryetarit të Bashkisë u duhet një punë e madhe, ndërsa ju e kishit dhe dhatë dorëheqjen për të pranuar këtë kandidim. Dy fjalë, ju lutem, për këtë problem.

    Është e vërtetë që duke mbajtur postin e nënkryetarit prej 5 vitesh, ndërkohë që Bashkia është e PS-së, unë kam pasur fatin që gjatë këtyre viteve të kem krijuar një rrjet shumë të mirë miqësor me figura të larta të PS-së, për të cilat unë kam dhe vazhdoj të ruaj respektin, por kjo është përtej bindjes politike, d.m.th. ajo që mua më shtyu më shumë është pikërisht kauza çame dhe një marrëveshje për sa i përket zgjidhjes së çështjes çame nga ana ligjor, sipas konventave të të drejtave të njeriut, midis PDIU-së dhe PD-së. Ajo që vlen për t’u theksuar është që prej 11 vitesh, që kur jam kthyer nga Suedia, unë nuk kam reshtur kurrë së qeni anëtar i PDIU-së dhe i Shoqatës “Çamëria” dhe njëkohësisht dy vitet e fundit mbaj edhe detyrën e kryetarit të Shoqatës “Çamëria” për degën Durrës. 

    A ishte i vështirë vendimi për të lënë detyrën si nënkryetar Bashkie, në një kohë që ishit një nga njerëzit më të suksesshëm sepse situata pas tërmetit e vërtetoi diçka të tillë. A ishte një vendim i vështirë për ju dhe për familjen tuaj, për t’u shkëputur nga kjo detyrë?

    Si gjithmonë, normalisht që ekzistonte një lloj dileme apo një lloj vendimmarrje e vështirë dhe nuk është se ishte e lehtë, por kur ke një ideal, kur ke një objektiv për të arritur, i cili është përtej konceptit vetjak të punës, atëherë kthehet dhe vendimmarrja bëhet më e lehtë. 

    Një pyetje tjetër, e cila do të ishte me interes. Ka një marrëveshje të gjerë PD-ja dhe janë ftuar shumë parti në koalicion, ndërmjet të tjerash është edhe partia e zotit Dule. Këtu ka një konflikt ndërmjet çështjes çame dhe çështjes greke që ai mbron. Si e shihni këtë? E shihni si një pengesë për punën tuaj për të realizuar atë objektivin madhor siç është çështja çame?
    Faleminderit që ma bëtë këtë pyetje. Për të gjithë ata, të cilët kanë filluar nëpër rrjetet sociale që të sulmojnë koalicionin opozitar nëpërmjet kësaj çështjeje, diçka është për t’u theksuar që unë si individ, por PDIU-ja në përgjithësi, e mbështet PBDNJ-në si parti, d.m.th. Partia për të Drejtat e Njeriut dhe për çfarë ata kanë në program dhe çfarë kërkojnë për sa u përket të drejtave të minoritetit grek, ne jemi pro tyre, që do të thotë se ne duam që të drejtat e njeriut të zbatohen në vendin tonë sepse pikërisht po të njëjtat gjëra kërkojmë edhe ne. I vetmi problem që ne kemi me zotin Dule dhe aty ka filluar përplasja apo krisja e parë, është kur në vitin 2010-2011, më 27 qershor kur është edhe dita e gjenocidit, pra është një ditë historike për komunitetin çam, sepse ne përkujtojmë gjithmonë të rënët dhe varrezat monumentale të Kllogjerit në Sarandë, Konispol, aty zoti Dule, kur i gjithë parlamenti shqiptar u çua në këmbë për të mbajtur një minutë heshtje, zoti Dule refuzoi të ngrihej në këmbë dhe të mbante një minutë heshtje. Që nga ai moment, absolutisht unë dhe i gjithë komuniteti çam ka krijuar një antipati sepse ai individ ka dalë përtej vlerave njerëzore, nuk përfaqëson absolutisht asnjë gjë. Madje vitet e fundit edhe programi i tij për të drejtat e njeriu, pra PBDNJ ka devijuar dhe unë i propozoj zotit Dule që më mirë të ndryshojë partinë ose programin e partisë sepse ai nuk po lufton më për të drejtat e njeriut dhe për minoritetin grek, por ai po lufton për qeverinë greke dhe për mohimin e çështjes çame, për mohimin e Ligjit të Luftës, i cili është akoma në fuqi dhe për avancimin territorial ose ato hamendësimet e Vorio-Epirit, gjëra që nuk kanë të bëjnë fare dhe nuk kanë lidhje me PBDNJ-në, pra me Partinë për të Drejtat e Njeriut.

    Kam një pyetje që del pak jashtë spektrit të kandidimit tuaj, por që më ka vrarë syrin dhe veshin. Kjo vota e çamëve e fragmentarizuar nëpër parti të ndryshme, si mendoni, e dobëson kauzën çame?

    Kauza çame sot që flasim, me marrëveshjen e shkruar, që është hera e parë që kemi një marrëveshje të shkruar midis një kryeministri të ardhshëm për zgjidhjen e çështjes çame në mënyrë ligjore, në bazë të konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, na jep besim të plotë që pavarësisht këtyre shkopinjve nën rrota që po mundohen të na vënë individë të caktuar, të cilët janë te fundi i listës së partive të tjera, nuk na preokupojnë fare dhe nuk na bezdisin fare. 

    Pra ju mendoni që këtu e keni gjetur atë shtegun se ku mund të kaloni për të arritur objektivin madhor që ju keni?

    Ky koalicion dhe kjo marrëveshje me PD-në, ku është e zeza mbi të bardhë e shkruar dhe e firmosur nga dy kryetarët e partive, pra zoti Lulzim Basha dhe zoti Shpëtim Idrizi, është mundësia e artë për avancimin e zgjidhjes së çështjes çame. 

    Një pyetje tjetër do të ishte me interes. Si e shikoni ju të ardhmen e Durrësit për sa u përket projekteve? Keni në fokus, sepse ju keni qenë 5 vite nënkryetar Bashkie dhe si i thonë fjalës, e dini se ku i dhemb qytetit. Si mendoni, ku mund të jenë prioritetet ku ju mund të influenconi nëse do të jeni pjesë e parlamentit, por ndoshta edhe jo, por prapëseprapë rrugët nuk janë të mbyllura për të ngritur shqetësimet. Ku mendoni se duhet ndërhyrë urgjentisht që Durrësi të përmirësohet akoma më shumë sepse është qyteti më i madh turistik në Shqipëri.

    Është e vërtetë. Ne prioritet si qytet ose synimi im është që t’i jepet një rëndësi e veçantë arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore në Durrës dhe promovimit të turizmit. Dihet që Durrësi është një qytet turistik. Turizmi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe promovimi i trashëgimisë kulturore apo më saktë nxjerrja në pah e trashëgimisë kulturore që ne kemi sepse është një thesar i vërtetë, është guri i parë i themelit për të cilin unë do të loboj dhe do të bëj maksimumin që Durrësi të marrë sa më shumë projekte në këtë fushë, ndërkohë që pa harruar edhe industrinë. Dihet që ne kemi një pozitë strategjike shumë të mirë dhe duhet t’i vëmë në dispozicion të gjithë infrastrukturën e mundshme dhe të kemi mundësi që të thithim investime të huaja direkte pikërisht në Durrës, ku porti i Durrësit është shumë afër. Po flasim për të dy portet, si portin e madh sot, ashtu edhe portin në zonën e Porto Romanos dhe kemi një zonë industriale ose parku ekonomik i Durrësit, i cili, të thuash të drejtën, nuk e ka kryer funksionin e duhur, ende nuk kanë ardhur ato kompanitë e mëdha që ne pretendonim të vinin. Ndërkohë që me lehtësitë fiskale dhe me uljen e praktikave burokratike, unë jam bsimplotë që kompanitë e mëdha prodhuese duhet të vijnë pikërisht në zonën e Durrësit sepse pozita strategjike është më e mira e mundshme, duke pasur parasysh që edhe Tirana, edhe aeroporti, por edhe hekurudha që do të bëhet, do t’i japë një hov edhe më tej ekonomisë.

    Ju edhe si familje keni lidhje të vjetra me portin dhe i dini pak a shumë ato zhvillimet dhe nevojat e portit. Si e shikoni krijimin e një zone portuale të gjerë në Porto Romano? 

    Për aq kohë sa ka një projekt të mirëfilltë dhe të gjitha operacionet kalohen te porti i Porto Romanos, atëherë vetëm në momentin kur të gjitha operacionet janë të gatshme dhe porti i ri i Porto Romanos që do të kthehet në një port industrial, jo thjesht port hidrokarburesh sikurse është sot, gjë e cila kërkon një studim të mirë dhe do një punë të mirë, vetëm atëherë mund të fillojmë të flasim për kthimin e portit aktual në një port turistik. Pra, gjëja e parë dhe më e rëndësishme është ndërtimi i një porti të ri në Porto Romano. Kjo është e vetmja mënyrë që bizneset të mos vuajnë asnjë minutë dhe të mos kenë asnjë lloj problematike për vijueshmërinë e biznesit të tyre. 

    Ju jeni numri 10 në listë. Është numër që mbahet mend sepse do të na duhet të mbajmë mend përmendësh numrat e atyre që ne duam të votojmë. Ku mendoni se është baza sepse ju keni një objektiv, të mblidhi sa më shumë vota. Ku mendoni se e keni bazën e votuesve këtu që mund të votojnë për Florin me nr. 10?

    Është e vërtetë, baza kryesore e votuesve për mua si kandidat është në radhë të parë komuniteti çam, të cilin unë e përfaqësoj edhe nëpërmjet Shoqatës “Çamëria” në Durrës, por pa harruar të gjithë qytetarët e Durrësit, të cilëve unë kam pasur mundësi që t’u shërbej apo që kanë pasur një kontakt të drejtpërdrejtë me mua, shoqëria civile, e cila dihet që në çdo aktivitet që është bërë në Durrës prej shoqërisë civile, unë kam qenë prezent dhe besoj se sidomos të rinjtë, pra rinia është një forcë thelbësore, e cila më jep hov për shkak të moshës, por edhe për shkak të afrimitetit që unë kam me të rinjtë e qytetit. Dhe jam besimplotë që do të marr një rezultat shumë pozitiv dhe surprizues. 

    Ju u bëtë më i njohur për qytetarët e Durrësit pas tërmetit. Ka qenë një periudhë pune. Çfarë do të veçonit lidhur me këtë situatë? Ka qenë një situatë e vështirë por edhe e mbushur me aktivitet. Do t’ju bëj edhe një pyetje tjetër. Atëherë u fol sikur ju paraqitët dorëheqjen, në muajin gusht të vitit 2019 dhe pastaj pati një tërheqje. Si qëndron kjo, se ka një mister lidhur me këtë.

    Është e vërtetë. Mbaj mend se në datën 5 gusht ka qenë zonja Valbona Sako që u emërua kryetare e Bashkisë dhe filloi detyrën. Në ditën e saj të parë të detyrës, të gjithë stafit të ngushtë të Bashkisë i kërkoi dorëheqjen, kabinetit, nënkryetarëve dhe disa drejtorëve. Unë në mënyrë shumë qytetare, absolutisht e bëra letrën e dorëheqjes dhe ia dorëzova në tavolinë. I thashë: “Urdhëro! Mendova se një person me shkollimin tim, me aftësitë e mia, mund t’ju jepte një dorë dhe t’ju ndihmonte, por ju e keni gjykuar të arsyeshme” dhe në këtë lloj mënyre unë e paraqita dorëheqjen, ndërkohë që ditën tjetër më mori në telefon Drita Zeneli, drejtoresha e Burimeve Njerëzore dhe më thotë: “Nënkryetar, shiko se kryetarja ndryshoi mendim dhe jeni i pritur që të rifilloni punën”. Normalisht që ishte diçka surprizuese, por që unë pata mundësinë dhe ajo më dha mundësinë që realisht të nxirrja në pah të gjitha vlerat e mia, sidomos te pjesa e menaxhimit që në rastin e 21 shtatorit sepse patëm një tërmet goxha të rëndë edhe më 21 shtator, por edhe më pas kur unë isha koordinator i fatkeqësisë natyrore për 21 shtatorin, ndërkohë që edhe te tërmeti i 26 nëntorit, kur ka qenë një situatë apokaliptike për ne sepse ishte shumë e paprecedentë. Unë mbaj mend që për rreth një javë kam fjetur në makinë, aty te zona e stadiumit, ku kisha mundësi që t’u shërbeja njerëzve. Gjeja vend vetëm sa për të bërë dush dhe automatikisht e gjithë vëmendja ime ka qenë 24 orë non stop në shërbim të qytetarëve duke u munduar që t’u jepnim më të mirën, duke montuar çadrat, duke hapur palestrat që u vunë në funksion, pastaj filloi transferimi i njerëzve në hotele, dërgimi në hotele, largimi nga hotelet, pastaj filloi koncepti i bonust të qirasë. Ka qenë një punë kolosale dhe gjatë gjithë kësaj periudhe kam qenë në menaxhimin e ndihmave. Ço ndihmë që vinte pak a shumë kalonte nëpërmjet meje dhe koordinimit me njësitë administrative që të ndihmonim të gjitha familjet që kishin nevojë për ndihmë.


    Si ju duket menaxhimi i situatës pas tërmetit në Durrës?

    Unë mendoj që ne si staf, me aq sa ishim, përjashto atë javën e parë që nuk dinim se ku kishim kokën dhe ku kishim këmbët, mendoj që kemi bërë një punë të mirë. Të paktën përkushtimi ynë ka qenë maksimal. Kemi punuar për muaj të tërë deri në orën 10-11 të natës, për t’i vënë në funksion të gjitha shërbimet e Bashkisë qytetarëve dhe për t’u dhënë një drejtim një fatkeqëse të paprecedentë sepse ne nuk kishim një plan menaxhimi ose trajnime për situata të tilla. Na kapi të papërgatitur dhe kjo është një indicie ose një ndodhi e cila na bën mirë që të përgatitemi për të ardhmen, në rast se do të kemi situata të tilla të fatkeqësisë natyrore.
 
    Tashmë fushata ka ndezur motorët me shpejtësi. E thamë që ju jeni përfaqësuesi i PDIU-së pavarësisht se jeni nën siglën e PD-së. Si e shikoni bashkëpunimin? E ndieni ndihmën e PD-së lidhur me ecurinë tuaj në fushatë? 

    Me PD-në komunikimi është shumë miqësor dhe frekuent. Ndërkohë që një numër shumë i madh votuesish, të cilët janë të djathtë, me bindje të djathta, janë duke mbështetur Aleancën për Ndryshim dhe sidomos kur vjen situata tek emri im, te propozimi për të votuar nr. 10 e kanë pritur me shumë dashamirësi dhe kam bindjen që shumë demokratë, pra shumë të djathtë kanë për të votuar nr. 10 pikërisht sepse përfaqësoj një çun durrsak, të mirëshkolluar, i cili e ka vërtetuar që gjatë 5 viteve ka qenë në shërbim të qytetarëve dhe shpresoj të më japin mundësinë që të vazhdoj edhe për 4 vite të tjera minimumi, që t’i shërbej përsëri qytetit të Durrësit, këtë radhë jo këtu por në Parlamentin e Shqipërisë. 

    Çfarë mesazhi keni për votuesit e Durrësit?

    Votuesve të Durrësit në radhë të parë u them që votoni dhe mos u stepni nga votimi sepse dihet që në përgjithësi ka shumë njerëz të dyzuar, duke përgjithësuar situatën, duke thënë që të gjithë janë njëlloj, më mirë të mos votojmë fare. Thirrja ime është: shkoni votoni. Pastaj ajo që vjen si thirrje e dytë është: votoni për programin më të mirë, votoni për njerëzit të cilët kanë shkollim, integritet dhe sidomos mundohuni të votoni pikërisht ata durrsakë, me të cilët nesër apo pasnesër do të keni mundësi që të loboni për qytetin e Durrësit.
 

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës