Gjatë 24 orëve të fundit ka pasur fluks të lartë në pikën kufitare të Kakavijës, ku shumë emigrantë shqiptarë që kishin ardhur për festat e fundvitit, po rikthehen në vendet e tyre të punës.
Dyndja e emigrantëve ka nisur që në orët e para të ditës së sotme. Radha e pritjes është e fragmentuar në tre korsi, ndërsa udhëtarët presin prej gati tre orësh për të kaluar kufirin drejt Greqisë.
Në 12 orët e fundit, drejt Greqisë janë larguar rreth 8 mijë emigrantë. Pala shqiptare po punon me katër sportele, ndërsa pala greke vetëm me dy sportele, çka ka sjellë krijimin e radhëve të gjata.
Radha e automjeteve shtrihej për më shumë se 3 kilometra në aksin rrugor që të çon drejt Pikës Kufitare të Kakavijës. Ndërkohë vetë emigrantët shqiptarë që kanë qenë duke pritur në radhë në Kakavijë, kanë shprehur indinjatën e tyre të thellë lidhur me këtë situatë të krijuar në pikën e kalimit kufitar.
“Kam dy orë dhe besoj se do të duhen edhe dy orë të tjera për të kaluar. Nuk e ndryshojmë dot ne atë”, tha për Report TV një emigrant shqiptar në Kakavijë.
“Tani përfundimisht kjo historia jonë nuk i dihet, e ardhmja si do përfundojë. Siç shikohet dhe duket gjithandej, fluksi është mbi normën që duhet. Pas kalimit të Vitit të Ri që e kaluam shumë bukur me familjen, tani vijmë këtu dhe presim 3-4 orë. Rrugëzgjidhje s’ka”, tha një tjetër emigrant shqiptar që po priste në radhë në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë.
Sipas autoriteteve, fluksi pritet të vijojë deri në oret e pasdites, ndërsa emigrantëve u rekomandohet të ndjekin njoftimet zyrtare për situatën në kufi, pasi mund të kenë pengesa edhe nga protesta e fermerëve në Greqi.
Komente











