Mbi 1 milion emigrantë pa dokumente kanë aplikuar për të marrë status të ligjshëm në Spanjë, në kuadër të programit të legalizimit masiv të nisur nga qeveria e kryeministrit Pedro Sanchez.

Afati për dorëzimin e aplikimeve përfundoi këtë të martë, ndërsa qeveria spanjolle bëri të ditur se numri i kërkesave ka tejkaluar pritshmëritë fillestare. Kur programi u prezantua në muajin prill, ishte parashikuar që të përfitonin rreth 500 mijë persona, kryesisht emigrantë nga Amerika Latine.

“Mbi 1 milion aplikime tregojnë se ky njohje e të drejtave dhe përgjegjësive ishte e domosdoshme”, tha Pedro Sanchez gjatë një aktiviteti në Madrid.

Megjithatë, numri i aplikimeve nuk do të thotë se të gjithë do të marrin leje qëndrimi. Për të përfituar, aplikantët duhet të provojnë se nuk kanë precedentë penalë dhe se kanë jetuar në Spanjë për të paktën pesë muaj rresht para datës 1 janar të këtij viti.

Autoritetet spanjolle kanë tre muaj kohë për të shqyrtuar dosjet dhe për të vendosur nëse do të japin leje pune dhe qëndrimi, e cila do të jetë e vlefshme vetëm brenda territorit të Spanjës.

Sanchez ka mbrojtur vazhdimisht politika më të hapura për emigracionin, duke argumentuar se emigrantët janë të nevojshëm për ekonominë spanjolle, tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe për të përballuar plakjen e popullsisë dhe boshatisjen e zonave rurale.

“Kur e dënojmë një person të jetojë në padukshmëri, e bëjmë vendin tonë më të keq. Të gjithë humbasim. Ne duam t'u ofrojmë emigrantëve një mundësi dhe një të ardhme. Duam që bota ta shohë Spanjën si një vend që respekton, mbron dhe garanton të drejtat e njeriut”, u shpreh ai.

Programi është mirëpritur nga bizneset spanjolle, të cilat prej kohësh kërkojnë më shumë fuqi punëtore, sidomos në sektorë si ndërtimi. Nga ana tjetër, opozita konservatore dhe ajo e ekstremit të djathtë e kanë kundërshtuar nismën, duke pretenduar se ajo mund të nxisë emigracionin e parregullt.

Që nga nisja e procesit në prill, mijëra emigrantë janë paraqitur në zyrat publike ose kanë aplikuar online për të përfituar nga legalizimi. Shumë prej tyre shpresojnë që statusi i ri t'u japë mundësinë të punojnë ligjërisht dhe t'i mbrojë nga abuzimet apo shfrytëzimi në tregun e punës.