Dy të huaj njëri turk dhe tjetri nga Azerbajxhani kanë përfunduar në prangat e policisë së Shkodrës pasi u kapën duke transportuar me automjet katër persona nga Afganistani, që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në Malin e Zi.
Sipas njoftimit të policisë pronari i automjetit ishte azerbajxhanasi M. A., 59 vjeç, por në momentin e arrestimit makina po drejtohej nga turku 36-vjeçar.
“Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Transit 2”.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan shtetasi azerbajxhanas M. A., 59 vjeç, dhe shtetasi turk C. D., 36 vjeç.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndaluar, në aksin rrugor “Shkodër-Hani i Hotit”, automjetin me drejtues shtetasin C. D. dhe pasagjer shtetasin M. A. (pronar i automjetit), me të cilin po transportonin, kundrejt pagesës, 4 shtetas nga Afganistani, të cilët dyshohet se synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror me Malin e Zi”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë












Komente
Komento