E ardhmja e Partisë Demokratike për Flutura Açkën të cilës Lulzim Basha i ka deleguar kompetencën e krytares së grupit parlamentar, duhet të jetë e ndarë nga ish-kryeministri Sali Berisha. E ftuar në emisionin “Kontrast” në Report Tv me Denis Mingën dhe Lorenc Vangjelin, Açka ka pranuar gabimet më të mëdha të Partisë Demokratike që nga '90. 

“Në 14 maj krahasur me 2021 kemi shumë shqiptarë që nuk votuan. A ka një përgjegjësi politika për këtë pjesë të shqiptarëve që nuk do ta kthejë kokën te politika? Duhet një PD e re jo me gjuhë shatazhi, e shkëputur nga Berisha. Një PD që jep llogari”, tha Açka.

Ndalur te gabimet më të mëdha të PD, Açka përmendi tragjedinë e Gërdecit për të cilën ende nuk ka fajtor si dhe protestën e 21 janarit kur u vranë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues opozitarë nga armët e punonjësve të shtetit. Nga tani e tutje Açka tha se PD duhet të jetë transparente dhe të japë llogari.

“Duke nisur nga parrulla e famshme bashkëfajtor, bashkëvuajtës.  S’kemi qenë të gjithë bashkëfajtore, ndahen njerëzit. Një tjetër, Piramidat.  21 janarit 2011. Një nga gjërat ka qenë Gërdeci, u vranë 26 vetë, u gjymtuan shumë të tjerë dhe u hodhën në erë mijëra para. Nuk e dimë sot se kush është fajtori. Mendoj se një shqiptari e rafinuar e ka menduar këtë gjë dhe ka nevojë ta dijë se çfarë ka ndodhur me 30 vite të tranzicionit shqiptar. PD e ka për detyrë të jetë transparente nga tani e tutje”, shtoi Açka.

“Bashkohem me Açkën në këtë listë mëkatesh të trashëguara nga PD. Nëse nuk sheh gabimet e të shkuarës nuk mund të ecësh përpara”, deklaroi më pas analisti Lorenc Vangjeli.