Pas eksperiencës së çmendur në 8 vite më parë me kualifikimin në EURO 2016, për herë të parë në histori Shqipëria kualifikohet në Europian si e para e një grupi kualifikues, duke lënë pas skuadra të cilët ishin pretendente për shkuar në Gjermani 2024, si Polonia dhe Çekia.
Më 17 nëntor në stadiumin e vogël të Moldavisë, kombëtarja bëri historinë e madhe kur preu zyrtarisht biletën e Evropianit dhe këtë herë bindja ishte se kuqezinjtë e kishin më se të merituar. Edhe pse hera e parë mbetet unike, referuar kualifikimit në Francë 2016, këtë herë kuqezinjtë bindën me loje e rezultate, gola e supergola, duke mposhtur të madh e të vogël.
2022 u karakterizua si një vit i vështirë, plot zhgënjime dhe pa pa pritshmëri për kombëtaren. Kuqezinjtë vinin pas një fushatë e dështuar në Ligën e Kombeve, të cilën edhe pse e nisën për të dalë të parë, në epilogun e 6 ndeshjeve u renditën në vendin e fundit në grup.
Kthesa erdhi në Në Frankfurt, më 9 tetor 2022, kur goglat përkëdhelën disi kombëtaren. Kuqezinjtë do ta diskutonin rrugëtimin drejt Gjermani 2024 në grupin E, bashkë me Poloninë, Çekinë, Moldavinë dhe Ishujt Faroe.
Grupi
E ndërkohë që të gjithë mendonin për Gjermaninë, në grupin kuqezi entuziazmi ishte i vakët. Trajneri Reja, përpos eksperiencës së madhe, nuk përcillte më shpresë dhe besimi te ai ishte venitur. Në këto kushte, duke qenë edhe se kontratë në nëntor i përfundoi, federata vendosi të ndërpriste bashkëpunimin pas 3 vitesh.
“Po largohem por po lë mbrapa një pjesë të zemrës time. Unë besoja fort te Botërori edhe pse se kam deklaruar asnjëherë, Gjithsesi ishim shumë pranë.”- ishte deklarata e Edy Rejas.
Ditët e fundit të 2022 në media dhe opinionin sportiv emra të shumtë përfliteshin për trajnerin e ardhshëm të Kombëtares, ndërsa prevalonte emri i një braziliani të njohur, Sylvinho-s.
Braziliani vinte nga një një karrierë e jashtëzakonshme si futbollist, por si trajner për s’ishte dëgjuar shumë. Në 2019 e nisi këtë profesion te Lyon në Francë, por aventura zgjati pak muaj, ndërsa në maj të 2021 u emërua te Corinthias në Brazil. Këtë herë aventura ishte pak muaj më e gjatë, por u shkarkua pas vetëm tre ndeshjesh në sezonin e ri. Eksperienca që nuk ngjallnin shumë shpresa, por megjithatë federata vendosi t’i besojë edhe për faktin se kishte qenë zëvendës trajneri i Tite-s te Brazili, por edhe zëvendës i Mancinit te Interi.
Më 2 janar, Sylvinho dhe dy ndihmësit e tij, argjentinasi Pablo Zabaleta dhe braziliani tjetër Doriva, u emëruan në krye të kombëtares, ndërsa në daljen e parë para mediave Sylvinho nuk u fsheh pas gishtit. Më 9 janar, në prezantimin e tij, ai u shpreh se kishte pranuar kuqezinjtë me objektivin për të qenë në Europian.
“Është një grup shumë i ekuilibruar. Nuk do të jetë e lehtë. Por ne duam të kualifikohemi. Do të punojmë fort për këtë objektiv. Është e vështirë, por ne do të luftojmë fort.”- deklaronte Sylvinho para ndeshjeve.
Për fatin e keq të brazilianit eliminatoret e Evropianit do të nisnin pa asnjë ndeshje miqësore, ndërsa si kombëtarja ashtu edhe Sylvinho do të testoheshin në transfertën e vështirë të Polonisë më 27 mars. Për herë të parë përgatitjet për atë ndeshje u bënë në shtëpinë e futbollit në Tiranë, kompleksi që tani është shndërruar në shtëpinë e kombëtares.
“Pavarësisht se kush është kundërshtari në fushë futesh për të fituar ndeshjen. Plan B mund të jetë dhe barazimi. Unë nuk e kam menduar barazimin as me Francën as me Anglinë, por kemi shkuar për të fituar. Do të shkojmë për të fituar ndeshjen dhe me grupin që kemi mendoj se mund të marrim një rezultat pozitiv”- tha Cikalleshi.
Sylvinho dhe risitë e tij u panë që në grumbullimin e parë. Pas shumë vitesh pritje kuqezi u vesh Jasir Asani, një futbollist që më herët kishte luajtur në Shqipëri për Partizanin, por ftesën e mori vetëm pasi shkoi larg, në Korenë e Jugut.
Sinkron Jasir Asani, futbollist i kombëtares: “Ftesën e kam pritur gjithmonë sepse jam shqiptar dhe ëndrra ime ka qenë që të luaj për Kombëtaren shqiptare. E kam pranuar me shumë dëshirë. Edhe familja ime ka qenë shumë e lumtur për ftesën. Ne do të shkojmë për fitoren. Të japim maksimumin dhe të dalim me një rezultat pozitiv.”
Eliminatoret e kombëtares do të nisnin në malore. Më 27 mars kuqezinjtë u mundën 1-0 nga Polonia, por si rrallëherë ishte një humbje e cila dha shpresë, pasi loja ishte shumë e bukur dhe Shqipëria meritonte shumë më shumë se ajo që mori në Varshavë.
“Jam i kënaqur me shpirtin dhe garën që lojtarët e mi treguan në fushë, por nuk jam i kënaqur me rezultatin sepse duke iu referuar asaj që ndodhi në fushë mendoj se barazimi do ishte rezultati më i drejtë. S’jam dakord me trajnerin Santos që Polonia e meritoi fitoren. Në fund shpërdoruam një rast të artë me Uzunin, që tregon shumë për ndeshjen në fushë.”- ishte fjala e Sylvinhos.
Episodet dhe fati nuk ishin me Shqipërinë në ndeshjen e parë, por tifozët mbetën të kënaqur me lojën. Ky nuk ishte thjesht një perceptim, pasi ndeshjen e radhës, më 17 qershor kundër Moldavisë, stadiumi Air Albania u mbush plot. Edhe pse kuqezinjtë vinin pas një sërë rezultatesh negative, përfshirë humbjen në ndeshjen e parë kualifikuese kundër Polonisë, dhe kundërshtari nuk ishte një emër i madh, 22 mijë tifozë do ishin në Arenën Kombëtare.
“Është një ndjesi shumë e bukur dhe mezi pres të debutoj në Air Albania. Nuk e shikoj si presion debutimin tim para tifozëve shqiptar. Unë kur shikoj atë stadium të bukur mezi presë që të futem në fushë dhe të shijoj ndeshjen, sidomos me tifozët shqiptarë. Jam i bindur se do të bëjmë një ndeshje mjaft të bukur.”- tha Sylvinho.
Mbrëmjen e 17 qershorit Shqipëria do merrte 3 pikët e para për kualifikueset e Evropianit. Supergoli i Asanit dhe rrjeta e Nedim Bajramit i dhanë fitoren 2-0 kuqezinjve kundër Moldavisë. Megjithatë nuk kishte kohë për festë, pasi 3 ditë më pas ishte transferta kundër Ishujve Faroe.
“Normalisht nuk duhet të kalojmë në eufori dhe të hyjmë në ndeshje me një qase shumë të mirë. Duhet të marrim rezultat pozitiv që të shkojmë në Shqipëri me fitore. Normalisht çdo ndeshje kemi vetëbesim dhe duhet të bëjmë maksimumin. Kemi energji shumë të mirë brenda grupit dhe jemi të kënaqur për këtë sepse trajneri ka futur një frymë shumë të mirë.”- u shpreh Ramadani.
Edhe pse jo lehtësisht, më 20 qershor kombëtarja bëri detyrën kundër Ishujve Faroe, duke fituar 1-3. Edhe në këtë përballje një supergol, dhe këtë herë autor ishte Kristjan Asllani. Ashtu si pak ditë më parë, edhe goli i mesfushorit u zgjodh si më i bukuri i javës nga UEFA. Megjithatë me rëndësi ishin pikët dhe pas 3 ndeshjeve të para kualifikuese Shqipëria kishte 6 pikë.
Edhe pse dy fitoret ishin ndaj kundërshtarëve më të lehtë në letër, në mendjet dhe zemrat kuqezi Gjermani po dukej shumë më afër. Sfida e rradhës në Air Albania do ishte më 10 shtator, por biletat ‘avulluan’ një muaj më parë. Megjithatë për stafin kuqezi kishte të tjera shqetësime. Më 7 shtator do ishte përballja delikate në transfertë kundër Çekisë, kundërshtari që deri në ato momente udhëhiqte grupin. Deklaratat gjatë javës ishin të forta.
“Kjo është java që tani do dalin burrat në shesh, duke filluar nga ne në fushën e lojës. Gjithsesi edhe ne kemi nevojë për mbështetjen e medias, tifozëve kudo sepse vetëm duke qenë bashkë mund tia arrijmë kësaj ëndrre që të gjithë kemi. Mendoj se Çekia është një ekip që ne do vuajmë shumë për të marrë rezultatin pozitive, por ne jemi gati sepse kemi shënuar, mesfushorët kanë luajtur, mbrojtësin kanë minuta dhe jemi në një moment shumë të mirë.”- deklaronte Cikalleshi.
Akoma më tej do shkonte fieraku Odise Roshi, i cili në atë moment u rikthye në kombëtare pas një mungese të gjatë.
"Si gjithmonë kthimi është krenari siç jam ndjerë 19 vjeç. Kombëtaren e gjeta me shumë ndryshime, nga hoteli, stafi, trajneri e fusha. Jemi takuar me çunat dhe janë të karikuar. Jam i bindur se ky grup shkon 100 përqind në Europian. Japim maksimumin dhe jam i bindur se do të jemi në Euro 2024"- tha Roshi në shtator.
Më 7 shtator Kombëtarja doli me një pikë të çmuar në Çeki, duke barazuar 1-1. Edhe pse kundërshtarët dominuan, një supergol i Nedim Bajramit i dha jo vetëm pikën, por edhe shumë vetëbesim kuqezinjve.
Sinkron Nedim Bajrami, futbollist i kombëtares 8 shtator 2023: “E dinim se do ishte një ndeshje shumë e vështirë për ne, sepse kundërshtari ishte fizikisht shumë i fortë. Ne dhamë shpirtin në fushë dhe shënuam 1-1. Unë jam i lumtur që ndihmova skuadrën, por të gjithë luajtëm shumë mirë. Tani kemi një ndeshje tjetër. Kemi akoma rrugë të gjatë për të bërë.”
Tre ditë më pas, për ndeshjen kundër Polonisë, atmosfera në Tiranë do ishte e jashtëzakonshme.
Tifozët kishin udhëtuar nga shumë larg për të qenë pranë kombëtares në këtë ditë kritike.
Ndeshja në ‘Air Albania’ do të rezultonte e çmendur. Pak minuta pas anulimit të një goli të polakëve Shqipëria do kalonte në avantazh ndaj një kundërshtari që ishte konsideruar si ‘mace e zezë’. Dhe goli do ishte më shumë se special.
Jasir Asani shpiku një goditje nga e djathta në një kënd të pamundur, që padyshim shtangu edhe portierin e Juventusit, i cili mbron kombëtaren e Polonisë. Mbrëmjes së paharrueshme do t’i shtohej gëzimi i golit të parë si kuqezi nga Mirlind Daku, i cili nuk mbajti dot as lotët.
“Unë të thash futi nga brenda dhe bëje golin”- i thotë Ramadani Asanit.
“Gjithmonë ma ka thënë Ramadani, edhe në stërvitje. Futu nga brenda dhe vetëm gjuje sepse s’ka shans ta kapi asnjë portier.”- shprehet Asani.
“E ka gjuajtjen perfekte, fenomenale.”- theksoi Ramadani.
“Gjithsesi e kemi meritu, pasi të gjithë çunat kanë luajtur shumë mirë. Jemi të lumtur të gjithë për fitoren sepse ajo ishte me rëndësi.”- tha modestisht Asani.
“Përshëndesim të gjithë tifozët nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria gjithë anembanë ku janë, sepse ka edhe shumë nga ata të cilët kanë udhëtuar nga jashtë për të na përkrahë. I falenderojmë shumë sepse ishin lojtari ynë i 12 dhe kanë krijuar një atmosferë shumë të mirë.”- përfundoi Ramadani.
Fitorja kundër Polonisë e ngjiti Shqipërinë në kuotën e 10 pikëve dhe për herë të parë në vendin e parë në grup. Mirëpo entuziazmi i tifozëve atë natë në Tiranë do mbetet i paharrueshëm.
A ju kënaqi sot kombëtarja?
“Jemi kënaqur super shumë. Kam ardhur nga Shkodra dhe vij shumë shpesh për kombëtaren”- u shpreh një tifoz.
E prisje fitoren kundër Polonisë?
“Më thënë të drejtën jo, por jam shumë i gëzuar që fituam.”- tha një prej ndjekësve të vegjël të kombëtares.
“Kombëtarja është ndienjë shpirti, jo sa për sy e faqe. Nuk ka fjalë me përshkru gëzimin dhe kënaqësinë që kemi sonte. Kam mendu me e pre biletën për Gjermani. Me shpresë të Zotit po.”- tha një tifoz.
Suksesi ndaj Polonisë filloj ti jepte ëndrrës së Evropianit nuancat e realitet, ndërsa ishte edhe një hakmarrje e dy viteve më parë kur i njëjti kundërshtar na mposhti në ‘Air Albania’ dhe na la jashtë Botërorit. Në atë kohë tifozët e vegjël nuk i mbajtën dot lotët, ndërsa tani ishte koha për të gëzuar.
“Kam dy vite që e pres ndeshjen Shqipëri-Poloni. Fitorja 2-0 më gëzoi shumë saqë ende vazhdoj të festoj.”- u shpreh tifozi i vogël i kombëtares, Amar Hasni në 15 tetor.
“Unë i përshëndes të gjithë lojtarët dhe u them ‘Forca djema, faleminderit që mi kthyet lotët në gëzim’. Iu dua shumë të gjithëve.”- shtoi ai më tej.
Megjithatë më e mira ende s’kishte ardhur. Për të shkuar te ndeshja me Çekinë në Tiranë u desh rreth 1 muaj, ndërsa gjatë gjithë kësaj periudhe ishte luftë e tifozëve për të siguruar bileta. Shqipëria do të luante në Air Albania ndaj kundërshtarit që kishte ardhur për ti rrezikuar kualifikimin dhe vendin e parë.
Vëmendje para ndeshjes mori edhe grumbullimi për herë të parë nën urdhrat e Sylvinhos të Armando Brojës, i cili kishte lënë pas dëmtimin.
“Është kënaqësi ta kem këtë lojtar në ekip, por ne jemi të ndërgjegjshëm se forca e kësaj kombëtareje është grupi. Nuk është një, dy apo tre lojëtarë të cilët bëjnë diferencën. Vetë futbollistët e kanë kuptuar këtë dhe vetëm me djersë dhe zemër kemi bërë mirë dhe mund të bëjmë në vazhdim.”- nënvizonte Sylvinho.
Megjithatë dy ditë më pas Broja do linte grumbullimin, duke ngritur dyshime të mëdha për raportin me trajnerin. Kjo ndërkohë nuk pati aspak ndikim në skuadër, pasi pjesa tjetër e futbollistëve po priste me padurim të zbriste në fushën e gjelbër.
Ylber Ramadani, futbollist i kombëtares (9 tetor 2023) “Nuk është ndeshje e lehtë, sepse janë kundërshtar i fortë dhe jo më kot kanë pësuar vetëm dy gola. Ne do hyjmë me qasjen e duhur, pa eufori dhe të bëjmë maksimumin që të marrim rezultatin pozitiv.”
“Ne sulmuesit lozim për të bërë gola dhe jemi të lumtur kur shënojmë. Shpresoj ta bëj edhe me kombëtaren, pasi besoj që ka ardhur koha.”- tha Taulant Seferi.
Ndërkohë në opinion besimi te kjo kombëtare ishte rritur shumë.
“Detajet do të vendosin këtë ndeshje. Pëgjithësisht ekipi ynë kombëtar po rritet, si grup, në lojë, por edhe në mentalitet. Kjo është shumë e rëndësishme pasi ka rritje në të gjithë komponentët e lojës së futbollit.”- tha Rudi Vata, ish-kapiten i kombëtares.
Më 12 tetor festa nisi herët në kryeqytet …
Tifozët në rrugë e stadium e çuan festën në një nivel tjetër, por ajo që bënë djemtë e kombëtares atë natë të 12 tetorit do të mbahet mend gjatë.
Nën udhëheqjen e Sylvinhos djemtë kuqezi shkatërruan 3-0 një kundërshtarë që historikisht kishte sjellë vështirësi të mëdha. Ndërkohë fitorja që erdhi nga këmbët e Jasir Asanit dhe ‘dopieta’ e Seferit thuajse e dërgoi kombëtaren në Europian. Zyrtarisht ende jo, por futbollistët e ndienin atë.
“Më i lumtur jam për fitoren, por s’diskutohet që edhe goli më gëzon. Kemi tifozët më të mirë në botë dhe duhet ti bëjmë të lumtur duke shkuar në Evropian.”- ishte fjala e Jasir Asanit.
“Me thënë të drejtë kishte kohë që nuk shënoja dhe e kam ndjerë këto ditë që është momenti dhe faleminderit Zotit bëra dy gola.”- deklaroi Seferi.
“Dua të falenderoj të gjithë tifozët që kanë ardhur nga Europa, Kosova, Maqedonia, gjithë këto shtete që na kanë bashkuar kaq shumë dhe na kanë ndihmuar në fushë për të dhënë gjithçka në fushë”- tha bindshëm kapiteni Gjimshiti.
“Një ndeshje që nuk ishte e lehtë edhe pse rezultati 3-0 thotë të kundërtën. Kemi bërë një hap të rëndësishëm për kualifikimin, por nuk ka mbaruar. Në nëntor do vendoset gjithçka dhe tani duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.”-theksoi trajneri Sylvinho.
Ndërkohë në Sheshin Skënderbej festa për tre pikët që tashmë na rendisnin të parët në grup dhe me një kualifikim thuajse të siguruar, ishte e papërmbajtur.
“Bravo Shqipëria, e prisnim këtë fitore me gjithë zemër. Urrrrraaaa!”- u shpreh një tifoz.
“S’kam më zë, s’kam, pothuajse mbarovaa.”- tha një tjetër
“Kjo ka qenë fitorja jonë me e madhe. Besoj edhe në Europian do ia dalim. Kam një parandienjë të mirë edhe atje”- rrëfeu një tjetër ndjekës i kombëtares.
Suksesi ndaj Çekisë tashmë e bëri gati të sigurt biletën për evropian, teksa përforcoi pozitat e Shqipërisë në vendin e parë, me 4 pikë më shumë se Polonia e vendit të dytë, ndërsa në sfidën e ardhshme kundër Moldavisë do mjaftonte një pikë për të prerë zyrtarisht biletën e Evropianit të Gjermanisë.
Tre ditë para transfertës në Moldavi, edhe futbollistët e kombëtares, ishin besimplotë se kualifikimi do sigurohej.
“Eufori s’ka, por entuziazëm dhe këtë duhet ta mbajmë më tutje, sepse është shumë e vështirë të krijohet. Kemi derdhur shumë djersë për të arritur deri këtu. Duhet ta menaxhojmë situatën. Nëse shkojmë në Europian të bëjmë gjëra edhe më të mira se çkemi bërë më herët.”- tha portieri i kombëtares Etrit Berisha.
Pritej të ishte më e lehtë, por Moldavia i bëri shumë rezistencë Shqipërisë në këtë përballje, ndërsa në fund me shumë vështirësi kuqezinjtë barazuan 1-1. Në fund kjo ishte pika e kualifikimit, që hapi zyrtarisht shampanjën e Euro 2024.
Edhe në dhomat e zhveshjes kurrkush nuk e kishte ndërmend të përmbahej për këtë kualifikim.
Tre ditë më pas, më 20 nëntor në Tiranë, gjithçka do ti dedikohej festës, pasi ndeshja e fundit në grup kundër Ishujve Faroe ishte sa për statistikë.
Sfida e fundit në grup rezultoi pa spektakël në fushë, por barazimi 0-0 ishte i mjaftueshëm që Shqipëria ti mbyllte kualifikueset në vendin e parë, me 15 pikë. E ndërkohë, menjëherë pas ndeshjes Air Albania u shndërrua në një arenë festive, për biletën që i dërgoi kuqezinjtë për herë të dytë në histori në Europian.
Pas asaj nate, sytë e të gjithë tifozëve shqiptar do të ishin më 2 dhjetor në Gjermani, atje ku shorti për në Europian u tregua i pamëshirshëm për kuqezinjtë.
Goglat e ftohta të Gjermanisë e shortuan kombëtaren në grupin B, bashkë me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë. Kundërshtarët më të fortë të mundshëm, që do mundohen ti bëjnë keq kuqezinjve, duke filluar nga 14 qershori i 2024. Megjithatë, duke nisur nga Sylvinho i pari, nuk ka vend për frikë.
“Njerëzit duhet të kujtojnë çdo ndeshje që kemi fituar e barazuar për të ardhur këtu. Tani ndryshon pak dhe jemi në një grup të vështirë. Kundërshtarët janë mësuar të luajnë në finalet e Europianit dhe të Botërorit. Flasim për skuadra të forta si Spanja, Italia, Kroacia.. Ne duhet të provojmë mundësitë tona. E kemi bërë deri tani kundër Republikës Çeke, Polonisë. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka.”- u shpreh trajneri Sylvinho pas shortit.
“Një grup i vështirë me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë, por ne do të shkojmë në Gjermani dhe do të tentojmë që të bëjmë befasinë. Ne shkojmë atje që të tregojmë nivelin e skuadrës tonë. Edhe në kualifikuese në Grupin E kemi patur ekipe të vështira si Çekia dhe Polonia. Ne do të shkojmë atje të luajmë, të bëjmë maksimumin dhe të marrim rezultate pozitive. Nuk do të dërëzohemi lehtë. Një grup i vështirë, por ne mund të bëjmë mrekullinë në Gjermani. Ju përshëndes të gjithëve dhe forca Shqipëria.”- tha Ylber Ramadani.
Pavarësisht çdo rezultati e sigurt është se kombëtarja në Europian do ketë mbështetjen e madhe të tifozëve. Aplikimet për bileta nga shqiptarët në faqet e UEFA parashikohet të jenë më dhjetëra mijëra, ndërsa premtohet që edhe qytetet gjermane do të vishen kuqezi si ato franceze 8 vite më parë.
Mbështetësit kuqezinj kanë premtuar se përfaqësuesja do ndjehet si në Tiranë, ndërsa pavarësisht kundërshtarëve të gjithë besojnë se surpriza nuk do ndalet vetëm me kualifikueset.
Nuk ikim or jo. Per intatin tuaj!
PërgjigjuViti 2024 do jete viti kombetares shqiptare ! Gezuar
PërgjigjuRusi shoku jo gjermani. Keni ngateruar adres mesa duket...mos pi mall bej palester tha ai
Përgjigju