Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi të hënën dhënien e 900 milionë dollarëve ndihmë për Ukrainën.
"Marrëveshja 48-mujore EFF (Extended Fund Facility) e Ukrainës, me akses prej 11.6 miliardë SDR (ekuivalente me 15.6 miliardë dollarë, ose rreth 577 përqind e kuotës), u miratua më 31 mars 2023 dhe është pjesë e një pakete mbështetjeje prej 122 miliardë dollarësh për Ukrainë”, thuhet në një deklaratë të FMN-së.
EFF vazhdon të ofrojë një "spirancë të fortë" për programin ekonomik të autoriteteve dhe zbatimi i tij ka qenë gjerësisht në rrugën e duhur pavarësisht nga sfondi jashtëzakonisht sfidues, shtoi ai.
Lëvizja erdhi përpara takimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me Drejtoreshën Menaxhuese Kristalina Georgieva në selinë e FMN-së në Uashington, raporton media turke Anadolu.
Georgieva tha në deklaratë se "pushtimi rus i Ukrainës vazhdon të sjellë kosto të mëdha sociale dhe ekonomike për Ukrainën", duke shtuar se është "kritike" që financimi i jashtëm me kushte koncesionare të vazhdojë në kohën e duhur dhe të parashikueshme dhe të mbështesë vrullin e reformës.
Pas takimit të saj me Zelensky, ajo tha në X se FMN-ja është e përkushtuar të mbështesë Ukrainën në ndërtimin e themeleve për një ekonomi të fortë.
Zelensky përshëndeti vendimin "të rëndësishëm" të FMN-së për të ndarë një këst prej 900 milionë dollarësh.
"Falenderova FMN-në për mbështetjen e Ukrainës dhe për njohjen e arritjeve të kombit dhe popullit tonë. Gjatë luftës, ne po zbatojmë reforma për të forcuar institucionet tona dhe po punojmë me partnerët për t'i dhënë më shumë mundësi ekonomike popullit tonë", shkroi Zelensky në X (ish-Twitter).