Misioni i radhës i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka shprehur shqetësim dje në Tiranë për rishfaqjen e detyrimeve të prapambetura nga ana e shtetit ndaj sektorit privat. “Rishfaqja e detyrimeve të prapambetura në qeverisjen qendrore, kryesisht në projektet e investimeve publike, paraqet një sfidë kryesore. Po ashtu, ka pasur vonesa në miratimin e planit të ristrukturimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, vuri në dukje Anita Tuladhar, drejtuese e misionit, i cili vizitoi Tiranën gjatë periudhës 15–28 qershor 2016, për të zhvilluar diskutime për shqyrtimin e tetë të Marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar (EFF) për Shqipërinë.