Ndikimi i inteligjencës artificiale në ekonomi dhe tregun e punës ishte kryefjala e një paneli interesant në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku u diskutua për perspektivën globale ekonomike në 2026 e përtej.
Drejtoresha menaxhuese e Fondi Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, tha se bota po përballet me një ndryshim të shpejtë dhe të thellë, duke paralajmëruar se inteligjenca artificiale po vjen si një “cunami” për tregun e punës.
Sipas saj, analizat e FMN-së tregojnë se rreth 60% e vendeve të punës në ekonomitë e zhvilluara do të preken nga inteligjenca artificiale në vitet e ardhshme, ndërsa në nivel global, ndikimi pritet të jetë rreth 40%. Georgieva shpjegoi se një pjesë e vendeve të punës do të përmirësohen dhe do të transformohen, duke sjellë paga më të larta dhe më shumë konsum në ekonomi. Por, shtoi ajo, shumë vende pune, kryesisht ato të nivelit fillestar, rrezikojnë të zhduken, duke goditur veçanërisht të rinjtë.
“Zgjohuni. Inteligjenca artificiale është reale dhe po e transformon botën më shpejt se sa ne mundemi ta ndjekim,” tha Georgieva, duke i bërë thirrje politikëbërësve të veprojnë më shpejt.
Në të njëjtin panel, presidentja e Banka Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, ngriti shqetësimin për pabarazinë ekonomike dhe shpërndarjen e pasurisë. Ajo paralajmëroi se hendeku mes të pasurve dhe pjesës tjetër të shoqërisë po thellohet dhe se kjo përbën rrezik serioz nëse nuk adresohet.
“Nëse nuk jemi të vëmendshëm, do të shkojmë drejt një telashi të vërtetë”, tha ajo, me të drejtë, sipas The Guardian, që sjell në kujtesë edhe kërkesën e bërë nga 400 milionerë dhe miliarderë nga 24 vende të botës për taksa më të larta ndaj të pasurve.
Lagarde theksoi gjithashtu se zhvillimi i inteligjencës artificiale varet nga bashkëpunimi mes vendeve, pasi kjo teknologji kërkon kapital, energji dhe të dhëna. Sipas saj, nëse bota bëhet më pak bashkëpunuese dhe nuk vendosen rregulla të përbashkëta, përfitimet nga AI mund të frenohen.
Paneli trajtoi edhe pasiguritë më të gjera globale. Georgieva vuri në dukje se bota po hyn në një fazë më të ekspozuar ndaj “tronditjeve”, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, teknologjike dhe klimatike, duke nënvizuar se ekonomitë duhet të përgatiten për surpriza të shpeshta.
Paneli për perspektivën globale ekonomike në Davos mblodhi drejtues të institucioneve kryesore ndërkombëtare, përfshirë FMN-në, BQE-në dhe Organizatën Botërore të Tregtisë, për të diskutuar rritjen ekonomike, teknologjinë, tregtinë dhe rreziqet që po përballon ekonomia botërore.
Komente












