Pas 19 ditësh takimesh me autoritetet shqiptare, ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë përfunduar vizitën në Shqipëri dhe kanë publikuar vlerësimin e tyre për ekonominë, duke paralajmëruar se tensionet sociale, emigracioni dhe plakja e popullsisë rrezikojnë rritjen ekonomike,
Deklarata u publikua pas konsultimeve të zhvilluara nga misioni i FMN-së, i drejtuar nga Diego Cerdeiro, me autoritetet shqiptare gjatë periudhës 2–20 nëntor 2026. Ndër të tjera ajo kritikon uljen e TVSH-së për ushqimet dhe heqjen e taksës së qarkullimit në paketën fiskale 2027, ndërsa rekomandon rritjen graduale të normës bazë të interesit.
FMN vlerëson se ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri, falë rritjes ekonomike, uljes së borxhit publik dhe përmirësimit të pozicionit të jashtëm.
“Shqipëria ka ruajtur një performancë të fortë makroekonomike, pavarësisht goditjeve të jashtme të përsëritura. Rritja ekonomike solide, rënia e borxhit publik, inflacioni i përmbajtur dhe përmirësimi i pozicionit të jashtëm i kanë fuqizuar hapësirat amortizuese makroekonomike”, thuhet në deklaratë.
Por institucioni paralajmëron:
“Megjithatë, pasiguria e lartë në mjedisin e jashtëm dhe tensionet sociale në vend rëndojnë mbi perspektivën ekonomike, ndërsa dobësitë strukturore afatgjata, të rënduara më tej nga plakja e popullsisë dhe emigracioni, kufizojnë rritjen ekonomike në periudhën afatmesme.”
FMN parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 3.5% në vitin 2026, ndërsa nga viti 2027 rritja pritet të ngadalësohet drejt nivelit afatmesëm prej rreth 3.2%, krahasuar me mesataren prej 4% gjatë periudhës 2022–2025.
FMN paralajmëron veçanërisht për ndikimin e tensioneve sociale në ekonomi:
“Zgjatja e trazirave sociale mund të dobësojë gjithashtu besimin, turizmin dhe investimet, si dhe të vonojë zbatimin e agjendës së reformave.”
Në vlerësimin e paketës fiskale për vitin 2027, FMN mirëpret uljen e pragut të regjistrimit për TVSH-në, ndryshimet në tatimin mbi dividendin dhe reduktimin e trajtimit preferencial për shërbimet e akomodimit, por kundërshton mënyrën se si janë konceptuar disa nga lehtësimet fiskale.
“Megjithatë, ulja e përhershme e normës së TVSH-së për produktet ushqimore dhe heqja e taksës së qarkullimit janë të kushtueshme nga pikëpamja fiskale, shtrembërojnë sinjalet e çmimeve dhe i sjellin përfitim edhe segmenteve të popullsisë që nuk kanë nevojë për mbështetje. Mbështetja për familjet në nevojë do të ofrohej më mirë nëpërmjet ndihmës sociale të targetuar.”
FMN kërkon gjithashtu disiplinë më të madhe në menaxhimin e buxhetit dhe shmangien e ndryshimeve të përsëritura përmes akteve normative.
“Duhet të shmanget përdorimi i përsëritur i akteve normative për të rialokuar të ardhurat mbi parashikimin ose fondet nga mosrealizimi i shpenzimeve kapitale drejt shpenzimeve korrente të një natyre ad hoc, pasi kjo dobëson besueshmërinë e buxhetit dhe mund të përforcojë karakterin prociklik të politikës fiskale.”
Për politikën monetare, FMN vlerëson se ekonomia shqiptare po operon mbi potencialin e saj, ndërsa inflacioni mbetet mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë.
“Ndërkohë që aktiviteti ekonomik është mbi potencial dhe inflacioni mbi objektiv, kthimi i parashikuar i inflacionit në objektiv brenda fundit të vitit 2027 mbështetet në tërheqjen graduale të lehtësimit monetar të mbetur. Kjo do të kërkojë rritjen e normës bazë të interesit.”
Për sistemin bankar, FMN vlerëson se bankat janë të mirëkapitalizuara dhe fitimprurëse, ndërsa kreditë me probleme kanë rënë në nivelin më të ulët historik prej 3.7%.
Megjithatë, paralajmëron:
“Rritja e shpejtë e kreditimit për familjet dhe bizneset, si dhe rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme, së bashku me nivelin e lartë të euroizimit dhe ekspozimet e konsiderueshme ndaj borxhit sovran, kërkojnë monitorim të kujdesshëm.”
FMN kërkon forcimin e mëtejshëm të institucioneve të drejtësisë, duke vënë theksin te pavarësia e SPAK-ut.
“Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të garantuar pavarësinë operative dhe efektivitetin e SPAK-ut, të cilat duhet të plotësohen me progres të mëtejshëm në fuqizimin e institucioneve gjyqësore, uljen e numrit të çështjeve të prapambetura gjyqësore, modernizimin e kadastrës dhe fuqizimin e të drejtave të pronës.”
Për pensionet, institucioni rekomandon reforma afatgjata në vend të bonuseve të herëpashershme:
“Mjaftueshmëria e pensioneve duhet të përmirësohet brenda një kuadri të bazuar në rregulla, i cili ruan natyrën kontributive të sistemit, nxitjen për punësim dhe formalizim, si dhe qëndrueshmërinë fiskale, në vend të përdorimit të bonuseve të posaçme ad hoc. Lidhja e moshës së daljes në pension me jetëgjatësinë do të mbështeste më tej qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit të pensioneve.”
FMN kërkon gjithashtu monitorimin e ndikimit të nismës së Paqes Fiskale, për të shmangur dobësimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në përfundim të deklaratës, institucioni thekson se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian përbën një mundësi të rëndësishme për përshpejtimin e reformave, por kërkon përmirësimin e qeverisjes, tregut të punës dhe mjedisit të biznesit për të përballuar sfidat afatgjata të ekonomisë shqiptare.











Komente
Komento