Qeveria shqiptare i ka pohuar Fondit Monetar Ndërkombëtar se nuk do të ndryshojë politikën tatimore deri në vitin 2029. Lajmi u dha në dokumentin e rezultateve të rishikimit të fundit të marrëveshjes me Shqipërinë.
“Autoritetet mbeten të përkushtuara për të ruajtur një bilanc primar jo negativ dhe për të ulur borxhin publik. Ato presin rritje shtesë të të ardhurave rreth 1 për qind të PBB-së gjatë dy viteve të ardhshme nga zbatimi i Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave (MTRS), duke theksuar se politika tatimore do të mbetet kryesisht e pandryshuar deri në vitin 2029” , njoftoi FMN.
Qeveria shqiptare planifikon të rrisë të ardhurat nëpërmjet masave për forcimin e administrimit të të ardhurave, përfshirë përfundimin e kadastrës fiskale, reduktimin e përdorimit të parasë fizike dhe shfrytëzimin e inteligjencës artificiale, si mjete kyçe
Borxhit publik ra në 54.5% të PBB-së. Autoritetet shqiptare pritet të ruajnë një bilanc primar jo negativ deri në vitin 2030, me borxhin publik që zbret nën 50% të PBB-së.
Megjithatë, presionet fiskale në rritje nga shpenzimet sociale dhe ato për mbrojtjen mund të gërryejnë përfitimet e arritura së fundmi, analizon FMN.
Për të ruajtur stabilitetin fiskal, Fondi rekomandon masa që përfshijnë thjeshtimin e përjashtimeve dhe lehtësive tatimore, një reformë gjithëpërfshirëse të taksës mbi pronën, si dhe forcimin e administrimit të të ardhurave përmes përmirësimeve në teknologjinë e informacionit dhe përdorimit të të dhënave.
Në rekomandimet për paqen fiskale fondi lëshoi kritika të ashpra për qeverinë. “Marrëveshja e ashtuquajtur “Paqja Fiskale” mund të minojë përparimet e fundit në përmbushjen e detyrimeve tatimore. Vijimi i investimeve publike dhe i reformave për menaxhimin e rreziqeve fiskale mbetet thelbësor për të forcuar besueshmërinë fiskale” thuhet në dokumentin e FMN-së.
Fondi thekson se racionalizimi i strukturës tatimore dhe reduktimi i përjashtimeve do të rrisnin eficiencën dhe do të zgjeronin bazën tatimore.
“Duhet të fillojnë përpjekjet për thjeshtimin e regjimit tatimor për profesionistët e vetëpunësuar, në paralel me heqjen e normës zero të tatimit mbi të ardhurat për bizneset e vogla. Gjithashtu, duhet të përfundojë në kohë puna përgatitore për miratimin e një ligji të ri për tatimin mbi pronën” sugjeron FMN.
Në vitin 2025, ministria e Financave përfundoi një rishikim gjithëpërfshirës dhe vlerësim financiar të shpenzimeve tatimore, për të mbështetur racionalizimin e përjashtimeve dhe të normave të reduktuara. Puna përgatitore për një ligj të ri për tatimin mbi pronën ka bërë progres./Monitor
Komente









