Një like për një influencer apo bloger, nuk është vetëm një shikim apo disa klikime më shumë për një individ. Personazhet e njohura në rrjetet sociale gjenerojnë me miliona lekë përmes rrjeteve sociale, si facebook, Instagram, youtube, Tiktok etj, por të ardhurat mbeten të padeklarauara e për pasojë dhe të pa tatuara. Por kësaj epoke të ‘ekonomisë së like-ve’, qeveria synon ti vë fre, duke ngritur një sistem të dedikuar taksimi.
“Ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke filluar nga ata që jetojnë goxha mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë, me llajke e follëer-sa dhe duke vazhduar me tregtinë e mirëfilltë digjitale, për të cilat po përgatitet një projekt i veçantë nga Ministria e Financave”, tha kryeministri Edi Rama më 28 tetor 2026.
Ministria e Financave për harton një projektligj për të taksuar edhe të ardhurat që këta personazhe të njohura fitojnë në rrjetet sociale, ndërsa paratë i tërheqin përmes transfertave në platformat financiare, ose cash kur bëhet reklamim për kompani vendase.
Për shkak të informalitetit të lartë në këtë fushë të re biznesi, ku fitimet përcaktohen edhe nga numri i ndjekësve, dhe pagesat siç vetë këta personazhe tregojnë nisin nga 1 mijë euro për një video reklamimi, qeveria po punon për ligjin e ri i cili nuk është pjesë e paketës fiskale 2027, por pritet të hidhet për konsultim së shpejti.
Përgjatë viteve të kaluara drejtoria e tatimeve nisi hetime ndaj 100 individëve që kishin fituar 33 milionë euro nga platformat online dhe nuk i kishin deklaruar.
Tatimi 15% mbi këto të ardhura synohet të mbahet në burim, por kur kjo nuk realizohet dot detyrimi është që këto para të deklarohen në deklaratën vjetore të të ardhurave (DIVA), që më pas të mbahet edhe tatimi.
Administrata Tatimore më herët ka sqaruar se është duke punuar për regjistrimin e platformave digjitale edhe në Shqipëri, me qëllim evidentimin dhe monitorimin e të ardhurave që realizohen përmes tyre








Komente
Komento