Në një raport të posaçëm për politikën fiskale, Fondi Monetar Ndërkombëtar vë në dukje se qeveria shqiptare nuk ka arritur të përmirësojë të ardhurat, pavarësisht rritjes së taksave më 2014, duke e bërë Shqipërinë vendin me taksat më të larta në rajon dhe me rendimentin më të ulët fiskal.

Normat kryesore të taksave në Shqipëri janë mbi mesataren e Ballkanit, por edhe kufijtë e taksave janë relativisht të larta. Në krahasim me shtetet anëtare të BE-së, Shqipëria ka norma të larta për taksat personale dhe të korporatave. Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit, taksat në Shqipëri janë dukshëm më të larta, konstaton FMN në analizën që u ka bërë zhvillimeve të fundit të politikës fiskale.