Por, në Shqipëri ka edhe një sistem gjyqësor, të cilit i mungon integriteti, pavarësia dhe efektshmëria në detyrimin e zbatimit të kontratave, ndërkohë që edhe në të drejtat e pronësisë ka ende mungesa. Këto pengesa institucionale ndalojnë ardhjen e financimeve, që janë jetike.
Këto janë disa nga kritikat që përmban raporti më i fundit, i publikuar dje, i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që vizitoi në nëntor-dhjetor Tiranën.
Kryerja e reformës gjyqësore dhe forcimi i luftës kundër korrupsionit janë kushte paraprake kyç për ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, vlerësojnë ekspertët e FMN. Sipas tyre, tregues të vlerësuar nga palë të treta bëjnë me dije se vendi mbetet prapa të ngjashmëve të tij rajonalë në fusha të tilla si korrupsioni, ryshfetet, zbatimi i ligjit, mbrojtja e të drejtave të pronësise, pavarësia e gjyqësorit, paanshmëria e gjykatave, si dhe sa i përket efikasitetit të kuadrit ligjor në zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Rritja ekonomike
Megjithatë, në raport vihet në dukje, me nota pozitive, se rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë vazhdon. PBB reale arriti në 3.4% në vitin 2016, dukje u përshpejtuar në 4% në nivel vjetor në tremujorin e dytë të vitit 2017. Investimet po japin kontributin e tyre në sajë të projekteve energjetike të realizuara nëpërmjet investimeve të huaja direkte, ndërkohë që këtu në rritje ndikuan edhe të ardhura nga ndërtimi i ringjallur dhe shërbimet në fushën e turizmit.
NNga ana tjetër, konsumi privat është rritur në sajë të rimëkëmbjes së tregut të punës dhe kreditimit të familjeve, mbështetur nga një politikë e përshtatshme monetare.
Rritja ekonomike, 3.9% në vitin 2017, do të ulet pak, parashikon FMN, në 3.7% të PBB-së vitin e ardhshëm, si pasojë e ngadalësimit të sasisë së projekteve të mëdha investuese, por që ndërkohë pritet të mbështetet në kreditimin privat, shtimin e investimeve publike dhe rritjen e besueshmërisë së investitorëve për shkak të rritjes së stabilitetit politik.
Por “rritja pengohet nga mungesa e efikasitetit në menaxhimin e investimeve publike”.
Nga ana tjetër, thekson Fondi, megjithë këto përmirësime të kohëve të fundit, konkurrueshmëria e jashtme e Shqipërisë mbetet gjithnjë prapa shteteve të ngjashme të rajonit.
Taksat dhe buxheti
Ndërmjet viteve 2013 dhe 2017, bilanci i përgjithshëm fiskal rezulton të jetë përmirësuar me 2.1 për qind të PBB, kryesisht në sajë të rritjes së të ardhurave. Megjithatë, borxhi publik dhe kërkesat për financim të Shqipërisë mbeten të larta dhe ka pak hapësirë për manovrim me anë të politikave.
Kjo është ana pozitive e vlerësimit. Në të kundërt, më tej theksohet se “performanca fiskale është më e dobët se ç’pritej. Në fillim të vitit pritej që 2017-a të mbyllej me një suficit primar në masën 0.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por duket se kjo do të zbresë në 0.1%, duke pasqyruar rimbursimet e mëdha të prapambetura të TVSH-së, mbështetjen financiare për sektorin e energjetikës, të goditur nga thatësira, si dhe shpenzimet më të mëdha se parashikimi, të kryera nga pushteti vendor”.
Dhe, më tej, “efikasiteti i taksave në Shqipëri është i ulët, duke pasqyruar kërkesa të mëdha të taksapaguesit dhe një realizim të dobët”.
Pavarësisht nga kjo, thuhet më tej në raport, deficiti i përgjithshëm i qeverisë qendrore pritet të ulet në 2%, nga 2.3% e PBB-së në fund të vitit të kaluar, në sajë të zvogëlimit të ndjeshëm të interesave të borxhit.
Llogaritë
Deficiti i llogarisë korrente është ngushtuar në 7.6 për qind në vitin 2016, si pasojë e forcimit të eksporteve. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e rritjes së eksporteve. Këto të fundit pritet të rriten, por investimet në energjetikë dhe importet e mëdha të energjisë për shkak të thatësirës do të ndikojnë në zgjerimin e përkohshëm të deficitit të llogarisë korrente, në 8% të PBB.
Një faktor i favorshëm i jashtëm është edhe ai që remitancat kanë ardhur në rritje, duke pasqyruar përmirësimin e ekonomive italiane dhe greke, dy burimet e mëdha të hyrjes së prurjeve valutore të emigrantëve.
Borxhi publik
Ndërkohë, FMN, ndonëse vlerëson faktin që borxhi po ulet, gjithsesi ka kritika për ngadalësimin e ketij procesi. Sipas raportit, borxhi publik pritet të ulet pak, në 71.5 për qind të PBB në fund të 2017-ës, krahasuar me 73.3% në fund të 2016-ës. Vetëm nga viti 2021 është parashikuar që të arrihet në nivele poshtë 60 përqindëshit, gjithsesi këto janë parashikime të autoriteteve shqiptare.

VIDEO










