FOKUS – ITALI – Asnjë gjurmë nga 400 imigrantët e zhdukur në Mesdhe

Mbetet mister fati i 400 imigrantëve të zhdukur në Mesdhe, sipas organizatave humanitare, që dënojnë neglizhencën e autoriteteve evropiane përballë mbërritjeve masive të imigrantëve në Itali dhe qendrat e pritjes.
Deri në 400 imigrantë janë zhdukur pas mbytjes së një anijeje të dielën në Mesdhe, sipas të mbijetuarve të zbarkuar dje në mëngjes në Itali dhe marrë në pyetje nga Organizata Ndërkombëtare për Imigracionin (OIM) dhe OJQ-ja "Save the children".
Rojat bregdetare italiane, që kanë arritur të shpëtojnë 42 anije të mbushura me më shumë se 6 500 imigrantë të dielën dhe të hënën, kishin njoftuar se kishin shpëtuar 144 persona dhe se kishin gjetur nëntë trupa pas mbytjes së njërës prej këtyre anijeve.
Sipas OIM-së dhe OJQ-së "Save the children", 144-150 të mbijetuar nga mbytja e anijes kanë mbërritur dje në mëngjes në Reggio Calabria, në jug të Italisë.
"Sipas dëshmive të marra orët e fundit nga 150 të mbijetuarit e mbërritur në Reggio Calabria, mes të cilëve edhe disa minorenë, mendohet të ketë rreth 400 viktima si pasojë e mbytjes së kësaj anijeje, ndodhur 24 orë pas nisjes nga brigjet libiane", njoftoi "Save the children" në një komunikatë.
"Mes viktimave ndodhen shumë të rinj dhe me shumë gjasa minorenë", shtoi OJQ-ja.
"Asnjë i mbijetuar tjetër nuk është gjetur pas mbytjes të dielën në bregun e Libisë të anijes që transportonte imigrantë, 145 prej të cilëve kanë mundur të shpëtohen nga rojat bregdetare", theksuan sot këto të fundit.
Kjo dramë tjetër e çon në më shumë se 900 numrin e të vdekurve të regjistruar nga OIM-ja në Mesdhe që prej fillimit të vitit, kundër 47 për të njëjtën periudhë në vitin 2014.
Italia është përballur me një valë në rritje të emigrantëve të dëshpëruar nga Afrika dhe Lindja e Mesme, të nxitur nga situata e rëndë që po kalojnë disa shtete në këtë rajon./
/atsh//

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Mars, 08:44

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti