TIRANE - Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, së bashku me Ministrin e Financave Shkëlqim Cani mbajtën një konferencë për shtyp në lidhje më vendimin e Komisionit Evropian që i lejon Shqipërisë të menaxhojë vetë fondet e BE dhe jo nëpërmjet Delegacionit Evropian, sikurse ka ndodhur deri tani.

Në fjalën e saj ministrja Gjosha theksoi rëndësinë e këtij vendimi duke shtuar se kjo tregon besimin e Brukselit ndaj qeverisë shqiptare.

"Gjithçka  u bë e mundur pas nënshkrimit të vendimit përkatës nga Komisioni Evropian, ku Shqipërisë i jepet e drejta e menaxhimit të këtyre fondeve në mënyrë të pavarur duke konfirmuar kështu besimin e plotë që ka Brukseli zyrtar tek qeveria shqiptare. Fillimisht, kjo praktikë do të testohet me disa projekte nën Programin IPA 2013, duke aritur që gradualisht të jetë mënyra kryesore e mbështetjes së asistencës së BE-së. Suksesi i arritur sot, është në vijim të pikësynimeve që qeveria shqiptare ka në përmbushjen e kushteve dhe objektivave që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit . 

Duke vazhduar më tej ministrja Gjosha theksoi se qeveria është e vendosur të vazhdojë në rrugën e ndjekur për t'ju afruar më tepër inegrimit evropian. 

"Kjo arritje  gjithashtu, është rezultat i një pune konkrete që vendi ynë ka bërë në drejtim të plotësimit të  së një sërë detyrimesh Gjithashtu dua të  siguroj BE-në  në emër të Qeverisë, se besimi i dhënë na bën të jemi më të përgjegjshëm  dhe të vetëdijshëm se kërkohet  më shumë punë në realizimin e  reformave për procesin e Integrimit." tha në fjalën e saj ministrja Gjosha." përfundoi fjalën e saj Gjosha. 

Nga ana e tij duke folur në konferencë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se, institucioni që ai drejton është “pjesë e suksesit të akredimit të fondeve në strukturat e BE”. 

“Ky proces është i rëndësishëm pasi bëhemi pjesë e akreditimit. Kjo gjë do të thotë besim dhe kjo gjë sjell më shumë të ardhura dhe vende pune në Shqipëri. Kjo tregon besimin që BE-ja kanë për qeverinë shqiptare. Në këto 6 muaj kam qenë ndërmjetësi kryesor në këto marrëveshje shumë të rëndësishme për Shqipërinë me BE, FMN dhe BB”, deklaroi ministri Cani. 

Sipas Ministrit të Financave, “ky vendim nga strukturat e BE, arrihet nga një angazhim maksimal i qeverisë shqiptare dhe në menaxhimin e kontrolleve të fondeve të IPA-s. Tani fondet nuk do menaxhohen më nga Brukseli, por nga shqiptarët”.

“Zbatimi do të jetë një sfidë për strukturat e administratës dhe qeveria shqiptare shpreh mbështetjen e plotë ndaj tyre. Dua të falenderoj strukturat e BE-së për mbështetjen e gjithanshme. Shqipëria në të ardhmen do të menaxhojë në mënyrë më të mirë fondet e BE”, përfundoi ministri i Financave, Shkëlqim Cani.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)