TIRANE- Në projektbuxhetin 2016 përfituesit më të mëdhenj të fondeve për rrugët do të jenë katër bashki. Ndër to, vetëm ajo e Durrësit hyn tek bashkitë e mëdha, ndërkohë që më shumë se ajo do të marrë Bulqiza, pasuar nga Mati dhe Prrenjasi. Këto katër njësi të pushtetit vendor janë më të privilegjuarat ndër 61 njësitë e reja bashkiake të krijuara në përputhje me reformën administrative dhe ndarjen e re të territorit të Republikës së Shqipërisë. Në tërësi, fondi i caktuar për vitin e ardhshëm në favor të rrugëve, që do të përdoren për këtë qëllim nga bashkitë e reja duket tepër i ulët: 500 milionë lekë, apo 3.6 milionë euro. Megjithatë, ajo që të bën përshtypje nuk është aq shumë totali, se sa ndarja që u është bërë bashkive.