Ministria e Financave ka bërë me dije se shuma që do të mbetet pa u lëvruar për trashëgimtarët që nuk arrijnë të plotësojnë dokumentet përkatëse, do të përdoret për dëmshpërblimin e përfituesve të kësteve të tjerë. Rishpërndarja do të vendoset në muajin janar. Sipas Ministrisë, gjatë këtij viti kanë mbetur pa u dëmshpërblyer (kryesisht për mungesë dokumentacioni) ish të dënuar në pritje të këstit të katërt dhe të pestë, si dhe të tjerë që përfshihen për herë të parë në skemën e dëmshpërblimit.
Mospagesa
Lidhur me disa nga problematikat e shfaqura dhe ankesat e përfituesve, si ato të mospagesës së kësteve të 4-5 , për kategorinë parësore, Ministria sqaron se pagesat nuk janë realizuar për mungesë dokumentacioni, të përcaktuar në aktet nënligjore për përfituesit si dhe janë ende në analizë dokumentacionet e mbërritura, sipas kategorive të përcaktuara në ligj. Ministria e Financave konfirmon se gjatë këtij viti është paguar kësti i pestë për 904 dosje, kanë mbetur për t’u paguar edhe 1280 dosje.
Gjithashtu, shkak për mospagesën e këstit të parë për kategorinë jo parësore dhe raste të mosshpërndarjes korrekte të vlerës së miratuar, ka rezultuar mungesa e dokumentacionit të dërguar nga përfituesit, nga mosndarja korrekte e vlerës, si një problematikë e trashëguar nga pagesat e kryera në vitin 2009-2013, si dhe disa pasaktësi të kryera në këtë periudhë, të cilat po korrigjohen në pagesat e kësteve vijuese.
Fondi i dëmshpërblimit
Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë miratuar 25 Vendime të Këshillit të Ministrave “Për dëmshpërblimin financiarë të ish të dënuarve politikë”. Fondi total i miratuar është 52,7 miliardë lekë. Numri i ish të dënuarve politikë, të cilëve u është miratuar vlera e dëmshpërblimit financiar është 13,167 ish të dënuar.
Fondi i miratuar për vitin 2015, është 2 miliardë lekë: Kategoria Parësore fondi, 1,4 miliardë lekë (70% e fondit të miratuar në buxhetin vjetor); Fondi i shpërndarë 1.394.395.482 lekë; Fondi i pashpërndarë 5.604.518 lekë. Për kategorinë Joparësore, ku përfshihen trashëgimtarët fondi në dispozicion është 600 milionë lekë lekë (30% e fondit të miratuar në buxhetin vjetor): Fondi i shpërndarë 151.534.965 lekë; Fondi i pashpërndarë 448.465.035 lekë.
Dokumentacioni
Sipas informacionit zyrtar të Ministrisë së Financave, të gjithë subjektet përfituese pjesë e listës për pagesën e këstit të dytë për trashëgimtarët, duhet të dërgojnë në strukturën përgjegjëse të Ministrisë së Financave dokumentet e parashikuara në aktet nënligjore, brenda një afati 3-mujor nga data e publikimit të listës, pas përfundimin e këtij afati jepet një afat shtesë deri në 30 ditë.
Kur një ish i dënuar politik ose trashëgimtari /trashëgimtarët e ish të dënuarit politik refuzon të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar brenda afateve të parashikuara si më sipër, forma e refuzimit duhet të jetë me shkrim. Personat, të cilët nuk dëmshpërblehen, për shkak të mosplotësimit të dokumenteve, gëzojnë të drejtën për të marrë këstin e kësaj pagese në fazën tjetër, por jo më vonë se tre vjet pas publikimit.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Dhjetor 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
