14 shërbime të reja do të financohen nga Fondi Social për fëmijët dhe nënat në nevojë, për fëmijë dhe të rritur me aftësi ndryshe, për të moshuarit, gratë e vajzat viktima të dhunës, si dhe për fëmijët pa kujdes prindëror. Paketa e re u prezantua gjatë një aktiviteti me fokus tek fondi social për vitin 2026, ku kryeministri Edi Rama, e vuri theksin tek angazhimi i bashkive për të qenë më afër qytetarëve në nevojë.
“Që sot Shqipëria të kujdeset në mënyrë të posaçme për 65 mijë individë është diçka shumë domethënëse dhe nuk janë 65 mijë individë të cilët i prek një sistem financimi, por janë 65 mijë individë, të cilët i prek një sistem i organizuar institucionesh, pikash shërbimi, kujdestarësh dhe kështu me radhë. Është e rëndësishme që me bashkitë të shtyjmë shumë më tepër përfshirjen e familjeve në këtë sistem përkujdesjeje sociale. Duhen gjetur mekanizmat e financimit bashkërisht me pushtetin vendor, por në këtë pikë pushteti vendor është kyç dhe kryetarët e bashkive janë absolutisht aktorët kryesorë”, tha Rama.
Tregues se qeveria është më e vëmendshme ndaj shtresave në nevojë, Rama thotë se është buxheti i 2026-ës.
“Është 17 % më i lartë këtë vit sesa vitin e shkuar, por buxheti nuk është e gjitha dhe nuk i thotë dhe as i zgjidh dot të gjitha. Kështu që për këtë arsye na duhet që këtë proces decentralizimi ta thellojmë, ta bëjmë më të konsoliduar. Ky është një rast tipik konkret për të kuptuar rëndësinë e negociatave të anëtarësimit, jo thjesht si provime që duhen kaluar për të arritur më në fund për t’u ulur ne tryezën e BE”, tha Rama.
Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato kërkoi rishikim të ligjit për përkujdesjen sociale, duke theksuar se harmonizimi i legjislacionit shqiptar me atë europian nuk mjafton.
“Duhet të ketë zbatim efektiv, që kërkon buxhet, burime të duhura njerëzore dhe sisteme të forta të përkujdesjes. Harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së është i rëndësishëm, por nuk mjafton pa zbatim. Duhet të ketë një rishikim të ligjit për përkujdesjen sociale për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Mbështetja e BE-së për mbrojtjen sociale në Shqipëri është nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor. Po investojmë më shumë se 100 milionë euro përmes projekteve të BE-së për gjithëpërfshirjen dhe punësimin social”, tha Gonzato.
12 shërbime të reja do të ofrohen në bashkitë Durrës, Përrenjas, Kurbin, Skrapar, Himarë, Kavajë, Vorë, Korçë, Mat, Patos, Cërrik, Kamëz. Po ashtu, dy shërbime të reja Emergjence dhe Linje Këshillimi për fëmijë do të ngrihen në nivel qarku.
Rrjeti i shërbimeve nga fondi social përfshin që nga shërbimet komunitar, tek qendrat ditore, shërbimet emergjente për viktimat e dhunës, shërbimi në familje për të moshuarit, këshillim për fëmijët dhe familjes apo shërbimi i kujdestarisë.
Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, pjesëmarrës në eventin “fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, theksoi rëndësinë e investimit në mirëqenien sociale, të minimizimin e varfërisë dhe të cenueshmërisë në shoqëri.
Gonzato tha se mirëqenia sociale është një ndër kriteret kryesore për anëtarësimin në BE, ndërsa foli për nevojën e harmonizimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian lidhur me përkujdesjen sociale.
"Mirëqenia sociale është vetë forca e një kombi. BE-ja ka një traditë të gjatë dhe jemi krenarë për investimin në kapitalin njerëzor. Fondi Social Evropian është po aq i vjetër sa vetë BE-ja dhe unë kam punuar për të. Ai është i përqendruar tek ata që janë më shumë në rrezik për t’u përjashtuar nga shoqëria.
Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen Sociale në Shqipëri ka për qëllim të trajtojë varfërinë dhe cenueshmërinë. Fondi Social i Shqipërisë, që ka 7 vite që funksionon, ka financuar më shumë se 70 projekte dhe shërbime. Mbështetja e BE-së për mbrojtjen sociale në Shqipëri është nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor. Po investojmë më shumë se 100 milionë euro përmes projekteve të BE-së për gjithëpërfshirjen dhe punësimin social. Këto plotësohen edhe nga Plani i Rritjes i BE-së, nga i cili Shqipëria ka marrë 100 milionë euro për të mbështetur zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Kemi mbështetur 41 bashki për të krijuar planet e tyre vendore sociale, me qëllim që të hartojnë reagimet e duhura për nevojat që kanë analizuar.
Duhet të ketë një harmonizim të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Duhet të ketë një rishikim të ligjit për përkujdesjen sociale për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Shqipëria mund të frymëzohet nga debatet që zhvillohen në BE. Duhet të përqendrohemi tek zbatimi: harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së është i rëndësishëm, por nuk mjafton pa zbatim. Duhet të ketë zbatim efektiv, që kërkon buxhet, burime të duhura njerëzore dhe sisteme të forta të përkujdesjes", tha Gonzato.
Komente











