Forca Tokësore përfundon me sukses stërvitjen “Mbrojtja e Qëndrueshme 2024”, ministri: Gati të konsolidojmë dimensionin operacional dhe taktik

Përfundon me sukses stërvitja kompaktësuese dimërore e Grup Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë e koduar “Mbrojtja e Qëndrueshme 2024”. Në ditën e fundit të kësaj stërvitje, e cila u zhvillua në rajonin e Pukës morën pjesë Presidenti i Republikës Bajram Begaj, njëherësh Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneral Major Arben Kingji si dhe komandantë të forcave. 

Në fjalën e tij Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi përgëzoi efektivët, djemtë dhe vajzat e Grup Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë, e cila është një njësi e certifikuar nga NATO si forcë e gatshme për dislokim dhe operim në ndërveprim të plotë me Aleancën Veri-Atlantike dhe të njësive të tjera që u përfshinë në këtë stërvitje për përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre. 

“Mjedisi i sotëm i sigurisë karakterizohet nga një numër në rritje i kërcënimeve dhe kundërshtarëve të vlerave perëndimore. Agresioni brutal i Rusisë kundër Ukrainës dhe konflikti në Lindjen e Mesme kanë tronditur rendin dhe sigurinë globale duke sjellë nevojën jo vetëm të një reagimi të përbashkët nga të gjithë vendet e aleancës, por dhe atë të zhvillimit të kapaciteteve kritike dhe të forcimit të qëndrueshmërisë kombëtare”, u shpreh Ministri Peleshi, duke evidentuar faktin se fokusi është në atë që po ndodh sot në rajonin tonë, i cili vazhdon të mbetet një rajon i brishtë dhe me tensione të provokuara që tentojnë destabilizimin e tij.

“Ndaj sot kemi një strategji të re të sigurisë kombëtare, e cila do të pasohet së shpejti nga strategjia ushtarake dhe plani afatgjatë i zhvillimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ky bazament i fortë strategjik, na jep një shtysë për të konsoliduar dimensionin operacional dhe taktik duke vendosur theksin tek transformimi i pandërprerë i forcave dhe i kapaciteteve tona”, deklaroi Peleshi.

Sipas Ministrit të Mbrojtjes këto kapacitete do të testohen shumë shpejt në funksion të stërvitjes së madhe të NATO-s “Steadfast Defender 2024”. Ministri i Mbrojtjes u shpreh i kënaqur me faktin se këtë vit përmbushet zotimi për investimet në 2 përqind të PBB në kuadër të NATO-s, për sigurinë dhe mbrojtjen, ndërsa theksoi vijimin e mbështetje financiare dhe sociale për personelin ushtarak. 

Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës Bajram Begaj u shpreh se “Shqipëria ka qenë dhe mbetet Euro-Atlantike në frymë dhe në veprim. Si popull historikisht paqedashës, orientimi ynë është paqja dhe siguria, ndaj sot është me rëndësi jo vetëm solidariteti me vlerat e vendeve të tjera anëtare, por edhe forcimi i mëtejshëm i lidhjeve transatlantike”.

Nga ana e tij, Komandanti i Forcës Tokësore Gjeneral Major Ilir Xhebexhia teksa shprehu falenderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen ndaj ushtarakëve u zotua se kjo forcë do të jetë e angazhuar dhe do të punojë me përkushtim, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë për realizimin e çdo detyre dhe në përmbushtje të detyrimeve ndaj Aleancës. 

Stërvitja “Mbrojtja e Qëndrueshme 2024” është pjesë e programit trajnues dhe stërvitor vjetor të Forcës Tokësore për këtë vit dhe zhvillohet në një moment kyç, pasi prej 1 nëntorit 2023 kjo forcë ka kaluar në strukturën e re organizative, e cila konsiston në një forcë ushtarake më efektive, e kompletuar me personel, e mirëpajisur me armatim dhe teknikë të avancuar, e mirëtrajnuar, e stërvituar dhe e motivuar, e gatshme të kryejë misionin kushtetues në mbrojtje të vendit.

M.Q./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 15/02/2024 02:33

    Dashuria per atdheun eshte detyre mbi detyrat! Nje vend mbrohet dhe nga nje mercenar kundrejt shperblimit,apo nga dikush qe i kerkohet si detyre nga nje organizate,sic na mbrojne avionet ushtarake te Greqise e Italise me urdher te NATO-s,por dashuria nuk vjen as me shperblim,as me urdher,as me interes,prandaj kemi patriote e tradhetare.

    Përgjigju
  • Peace!: 14/02/2024 15:50

    Mbrojtja e Atdheut Detyrë mbi Detyrat!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë