TIRANE – Shqipëria ka vlerësuar vendimin e marrë sot nga Këshilli i Ambasadorëve të NATO-s lidhur me arritjen e kapacitetit të plotë operacional nga ana e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, deklarimi i bërë nga NATO-ja është dëshmi e rritjes së profesionalizmit dhe kontributit të FSK-së në forcimin e sigurisë të gjithë popullit të Kosovës, pa dallime etnike.

Ministria e Punëve të Jashtme ka vlerësuar kontributin e të gjitha vendeve anëtare të Aleancës në marrjen e këtij vendimi dhe ka shprehur besimin se ai do të ndikojë pozitivisht në forcimin e rolit të Kosovës si faktor stabiliteti rajonal.

NATO sot ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur kapacitetin e plotë operacional dhe është plotësisht e aftë për kryerjen e detyrave të përcaktuara brenda mandatit të saj dhe të standardeve të përcaktuara nga NATO-ja.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)