Sot festa e Sulltan Nevruzit, Baba Mondi: Përmes paqes arrihet çdo gjë! Rama: Uroj që pranvera të çelë në zemrat tuaja

Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Nga kremtimi i festës në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj ka dhënë mesazhin e tij duke thënë se përmes paqes, dashurisë dhe mirësisë arrihet cdo gjë duke iu referuar luftës në Ukrainë.

“Në këtë ditë lind shpresa. Shpresojmë për të ardhme më të mirë, paqësore e të begatë”, tha Baba Mondi.

Ndërsa kreu i qeverisë, Edi Rama e ka nisur me urimin për besimtarët bektashinj duke i uruar që pranvera të çelë në zemrën e tyre. Një mesazh e pati edhe Ilir Meta, i cili tha se nuk mund të festohet pranvera pa të rinjtë, ndaj duhet të punojnë që t’i sigurojnë të ardhme të mirë në vend. Ndërsa Sali Berisha nuk e kurseu këtë ditë akuzën për Edi Ramën duke thënë se uron harmoni dhe pa monizmin e narkoshtetin e ‘Sulltan Salep Surrelit’.

Në kremtimin e festës, të pranishëm ishin edhe kryetari i KMSH Bujar Spahiu, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ambasadorja e SHBA Yuri Kim, ambasadori ukrainas Volodymyr Shkurov, ambasadorja e Izraelit Galit Peleg si dhe përfaqësues të opozitës si Ina Zhupa, Belind Këllici, Silva Caka, Ilir Alimehmeti dhe Tomorr Alizoti. Në këtë ditë feste, u inaugurua edhe busti i Imam Aliut.

Çfarë është Sulltan Nevruzi
Fjala “Nevruz“ do të thotë “Dita e re” (nga persishtja) dhe ’Sulltan’, është titull i lartë. Kjo ditë, e ka origjinën që herët. Në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV. Dita e Sulltan Nevruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut.

Për këtë festë, poeti ynë Naim Frashëri ka thënë: “Sot është një ditë e re që përsëritet moti, lind Vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vet Zoti”. Kjo ditë përkujton edhe ditëlindjen e Imam Aliut, që lidhet me ringjalljen e jetës dhe me shpresën për ditë më të mira. Kjo ditë ka një domethënie të veçantë për gjithë besimtarët. Është dita e Imam Aliut, dhëndrit të profetit Muhamed, i cili ka qenë krahu i djathë i Profetit.

Prandaj kjo festë, për bektashinjtë përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuara të vitit. Ai ka lindur më 22 mars dhe është një nga shenjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe, i pari i dymbëdhjetë imamëve. Imam Aliu, është një nga imamët e mëdhenj, i pajisur me një dituri të jashtëzakonshme. Profeti Muhamed thotë: “Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e tij” ose “Nuk ka trim si Aliu, nuk ka shpatë tjetër si Zylfikari Aliut. Kush do Alinë, më ka dashur mua, kush urren Alinë, më ka urryer mua”. Prandaj me të drejt u quajt prijës i besimtarëve arabë, dijetarëve arabë që bënë epokë të artë e që i dhanë dritë, njerëzimit mbarë. Ai ishte njeriu i luftës për përparimin njerëzor. Ai përdorte bukur fjalën për pikëllimin e shpëtimin njerëzor. Ai la pas tre parime: Shkallën e të menduarit, unitetin njerëzor dhe, drejtësinë. Prandaj mbeti simbol i përhershëm. 

Si festohet Sulltan Nevruzi?
Në këtë ditë feste, pihet një gotë qumësht, i cili simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë. Sot, kjo ditë, përkon dhe 31-vjetori i rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, event ku mori pjesë Nënë Tereza.

Gatimet për festën e Sulltan Nevruzit
Me këtë rast bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh,(spinaq, lëpjetë, majdanoz, fletë lakre, kopër, gjethe prasi, labot, qepë, oriz, etj). Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë, brenda në byrek futet edhe një monedhë metalike. Pasi është pjekur byreku ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe më pas i jepet seicilit prej anëtarëve të familjes nga një pjesë. Ai që gjen monedhën në pjesën e tij është me fat. Do të kalojë një vit të begatë e me mbarësi. Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur, sultiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe, gjithashtu në disa raste gatuhet edhe kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra). 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:47
Alibeaj takohet me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve: Urime shqiptarëve për këtë festë të ringjalljes

 

Me rastin e festës së Sulltan Novruzit, kryetari i komanduar i PD-së, Enklejd Alibeaj ka takuar Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve e nga aty uroi të gjithë shqiptarët për më shumë mbarësi.

“Erdha sot sëbashku me kolegen time Bakiu për të uruar kryegjyshin botëror dhe me këtë rast të gjithë bektashinjtë dhe gjithë shqiptarët për këtë festë të ringjalljes, së optimizmit dhe për shpresën që shqiptarët aq shumë e kërkojnë dhe që ditë të bukura si kjo e sotmja të kenë gjatë gjithë vitit”, tha Alibeaj.

Ora 17:37
Sulltan Novruzi, besimtarët vizitojnë teqetë! Pelegrinazh i mundimshëm në Fier, bllokohet rruga

 

Besimtarët bektashinj kremtuan "Sulltan Novruzin" i cili përkon përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Berat, Fier dhe Elbasan.  Ceremonia e pritjes në Berat u organizua nga Sheh Ali Xhemil Hoxha i cili tha se kanë festuar 22 Marsin fshehurazi edhe në diktaturë.

Besimtarët festuan Ditën e Sulltan Nevruzit edhe në teqen e Elbasanit.

“Është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë”, thotë njëri prej tyre.

Me qindra besimtare u drejtuan prej orëve të para të mëngjesit në pelegrinazhin e shenjtë drejt Teqes së Baba Selimit ne Hambar te Cakranit. Shumë prej tyre mbeten të bllokuar nga fluksi i automjeteve. 3 km rruge që të çon në vendin e shenjtë nuk është asfaltuar, edhe pse prej vitesh ky vend i shenjtë vizitohet nga besimtarë të shumtë.

Ora 15:06
Presidenti Begaj uron për festën e Sulltan Novruzit, takohet me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve: Shëndet, mbarësi e lumturi

1679494025_fhj.JPG

Me rastin e ditës së Sulltan Novruzit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi sot Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku u takua me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Presidenti Begaj përfitoi nga rasti të shprehte një urim për të gjithë besimtarët bektashianë në përfundim të vizitës së tij. “Erdha sot të uroj besimtarët bektashinj për Festën e Sulltan Novruzit, ditën e lindjes së Imam Aliut, ditën e fisnikërisë bektashiane! Kënaqësi të takoja Kryegjyshin Botëror, në këtë ditë të rëndësishme!” tha Presidenti Begaj në deklaratën e tij për shtyp.

Kreu i Shtetit shtoi më tej: “Uroj të gjithë besimtarët bektashinj, shëndet, mbarësi, lumturi e paqe në familjet e tyre dhe kudo! Kjo ditë e veçantë përkon me stinën e pranverës, me ngjyrat, optimizmin dhe gjallërinë që ajo ka! Kështu që uroj të gjithë shqiptarët, të kenë pranverë në jetët e tyre, të kenë shëndet dhe lumturi!”

Presidenti Begaj së bashku me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, vizituan edhe statujën e Imam Aliut të përuruar ditën e sotme.

Ora 13:24
Mesazhi i Ilir Metës për festën e Sulltan Nevruzit: Pranverë pa të rinj nuk ka! Të arrijmë objektivat që të qëndrojnë këtu me besim për të ardhmen

 

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilri Meta ka dhënë mesazhin e tij për festën e Sulltan Nevruzit duke thënë se nuk ka pranverë pa të rinj. Sipas Metës, është e rëndësishme që të arrihen qëllimet në mënyrë që të rinjtë të gjejnë të ardhmen në Shqipëri, jo ta kërkojnë diku tjetër.

“Kënaqësi e veçante të uroj të gjithë besimtarët bektashianë dhe qytetarët shqiptarë në këtë ditë kaq të rëndësishme të ekuinoksit pranveror, në këtë ditë optimizmi pranveror, lindje dhe gjallërimi e vërtetë të bekuar, por edhe në këtë ditë të demokracisë se ne 22 marsin e kemi edhe ditë demokracie. Jam shumë i lumtur të shoh një pjesëmarrje si asnjëherë më parë në këtë festë të Sulltan Nevruzit në Kryegjyshatën Botërore. Ishte kënaqësi të përcillja urimet më të përzemërta Baba Mondit për të gjithë besimtarët bektashianë dhe popullin tonë që të jemi të bashkuar, optimist dhe të arrijmë objektivat që i bëjnë të rinjtë të qëndrojnë këtu me besim të plotë për të ardhmen. Pranverë pa të rinj nuk ka”, tha Meta.

Ora 12:09
Besimtarët bektashinj festojnë sot Sulltan Nevruzin, mesazhi i Baba Mondit: Me dashuri, paqe dhe mirësi arrihet gjithçka

 

Baba Mondi ka dhënë mesazhin e tij sot për festën e Sulltan Nevruzit.

“Do e festojmë këtë ditë të bukur, çdo gjë lulëzon. Imam Aliu i tregoi botës se me dashuri, paqe dhe mirësi arrihet gjithçka. Udhëheqja e tij ka qenë gjeniale dhe është mësim për ne. Të gjithë bashkë të lutemi për një mirësi  të mbarë njerëzore”, tha Baba Mondi.

Ora 11:35
Berisha uron bektashinjtë: Sulltan Novruzi tjetër të na gjejë për Sulltan Salep Surrelin

1679420579_WhatsAppImage20230321at5.50.22PM.jpeg

Ish-kryeministri Sali Berisha ka uruar besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Novruzit. Ai uron besimtarët duke u lutur që Sulltan Novruzi tjetër të na gjejë më mirë në paqe, harmoni dhe pa monizmin e narkoshtetin e Sulltan Salep Surrelit

“Të dashur miq, Bektashinjve shqiptarë ju uroj nga zemra gëzuar ditën e madhe dhe të bekuar, Sulltan Novruzin. Kjo ditë për bektashinjtë dhe mbarë besimtarët e Zotit, është ditë besimi, mbarësie dhe shprese.

Për të gjithë ne, ditë e lindjes, jetës dhe shpresës së pashuar! Le të urojmë që Sulltan Novruzi tjetër të na gjejë më mirë në paqe, harmoni dhe pa monizmin e narkoshtetin e Sulltan Salep Surrelit”, shkruan Berisha, që politizon kështu edhe festat fetare.

Ora 11:33
Veliaj uron besimtarët bektashinj në ditën e Sulltan Novruzit: Duam që edhe festa e Ashures të jetë festë zyrtare

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj uroi sot, nga selia e shenjtë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, të gjithë besimtarët bektashinj gëzuar festën e Sulltan Novruzit. Ai u prit nga Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, dhe u shpreh mirënjohës për kontributin e kreut e komunitetit bektashi në Shqipëri në bashkimin e shqiptarëve kudo që ndodhen.

“I jam shumë mirënjohës Baba Mondit për mënyrën se si e bashkon kombin tonë, si i shërben kombit tonë, dhe jo vetëm shqiptarëve këtu në Shqipëri - ai sapo është kthyer nga Tetova, nesër do të jetë në Gjakovë - të jemi vërtet shumë mirënjohës. Puna jonë bëhet më e lehtë, kur njerëzit janë shpirtërisht në paqe, kur njerëzit kanë gjetur vetveten dhe synojnë të bashkëpunojnë e jo të përçahen. Sot i jam shumë mirënjohës edhe komunitetit bektashi. Historia e Shqipërisë, duke filluar nga epoka e rilindësve, e të gjithë atyre që luftuan për ta bërë këtë vend të begatë, lidhet jashtëzakonisht shumë me patriotët bektashi. Për mua ka qenë një privilegj të njoh një komunitet të jashtëzakonshëm që, jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë, punon vetëm për mirë,” u shpreh Veliaj. 

Nga ana tjetër, kryebashkiaku tha se ka ardhur koha që edhe festa e Ashures të jetë një festë zyrtare.

“Ne do të punojmë që edhe festa e Ashures të jetë një festë zyrtare. Ashtu si të gjitha besimet e tjera i kanë dy festat zyrtare, ka ardhur koha që edhe komuniteti bektashi të ketë festën e vet zyrtare. Kemi pasur edhe angazhimin e qeverisë, që këtë vit ta materializojmë. Vetëm duke i respektuar të gjithë, respektojmë bashkëjetesën tonë. Nëse arrijmë që secilit besim t’i japim vendin që meriton, respektin që meriton, atëherë kemi respektuar veten dhe kemi respektuar kombin modern që duam të ndërtojmë,” deklaroi Veliaj.

Baba Mondi kujtoi se në këtë ditë të shenjtë, që shënon dhe ekuinoksin pranveror, festohet ditëlindja e të madhit Imam Aliu, që simbolizon rigjalljen.

“Sot do festojmë Sulltan Novruzin, këtë ditë të re, këtë ditë të bukur, këtë ditë të ekuinoksit pranveror, ku çdo gjë ngjallet, çelet, çdo gjë lulëzon. Ka lindur një ndër shenjtorët më të mëdhenj të njerëzimit dhe zëvendësi i Profetit Muhamed, Imam Aliu, i cili i tregoi botës se me dashuri, paqe dhe mirësi arrihet gjithçka. Vepra, dituria, udhëheqja e tij kanë qenë gjeniale dhe është një mësim edhe sot, për ne, që të gjithë të bashkuar t’i drejtohemi Zotit, t’i falemi e të kemi një mirësi mbarënjerëzore,” u shpreh ai.

Ora 11:22
Sot festa e Sulltan Nevruzit, Nikolla: Ditë e hareshme, simbolizon gjallërimin e natyrës dhe të njeriut

1675851913_1674737696Screenshot5.jpg

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, urim me rastin e festës së Sulltan Nevruzit: Festival i gjallërimit të natyrës dhe gëzimit të njerëzve.

“Sulltan Nevruzi, kjo ditë e hareshme, është shndërruar vit pas viti në një festival që përshëndet dhe simbolizon gjallërimin e natyrës dhe të njeriut.
Është festa e besimtarëve bektashinj, por edhe e njerëzve që u bashkohem atyre dhe që  gëzojnë ardhjen e stinës së re, lindjen e ngrohtësisë, ndriçimin e dritës, ringjalljen e shpresës, triumfin e të mirës, forcën e besimit, shpërthimin e gëzimit, lumturinë që rrjedh prej paqes e harmonisë.

Gëzuar të gjithëve që e kremtojnë Sulltan Nevruzin, kudo ku ndodhen!”, shkruan Nikolla.

Ora 08:35
Veliaj uron për Festën e Sulltan Nevruzit: Paçi mbarësi, begati dhe shumë harmoni në familjen tuaj

1679142831_vl.JPG

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, uron gjithë besimtarët bektashinj për Festën e Sulltan Nevruzit, e cila njihet si dita e fisnikërisë dhe e ringjalljes së madhe.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shkruan: “Gëzuar festën e Sulltan Nevruzit të gjithë Komunitetit Bektashian! Paçi mbarësi, begati dhe shumë harmoni në familjen tuaj!”.

Ora 08:03
Rama uron besimtarët për festën e Sulltan Nevruzit: Pranvera të çelë në zemrat tuaja si vetë kuptimi i kësaj dite

1678968648_Screenshot10.jpg

Kryeministri, Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Sulltan Nevruzit që festohet ditën e sotme.

Nëpërmjet një postimi në facebook, Rama e konsideron datën 22 mars si një ditë të bekuar që simbolizon edhe vetë nisjen e stinës së pranverës.

“Mirëmëngjes dhe në festën e Sulltan Nevruzit, uroj që pranvera të çelë në zemrat tuaja si vetë kuptimi i kësaj dite të bekuar”-shkruan Rama.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Aleks: 26/03/2023 12:13

    Festa e Nevruzit e vertete do festohet ne vitin 2024,sepse myslimanet ne vitin e ardhshem agjerimin e fillojne me daten 12 Mars.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës