Lufta në Ukrainë/ Izraeli vetëofrohet negociator mes Kievit dhe Moskës! Kryeministri Bennett 3 orë me Putin, 90 minuta me Scholz! Të hënën raundi i tretë i bisedimeve! Në Mariupol situatë katastrofike

Në ditën e 10 të luftimeve në Ukrainë, forcat ruse kanë marrë qytetet e Mariupol dhe Volnovakha. Ndërkohë armëpushimi i pjesshëm i rënë dakord nga Rusia dhe Ukraina me hapjen e korridoreve humanitare për të lejuar civilët nga Mariupol dhe Volnovakha të largoheshin nga qytetet, dështoi.

Kryebashkiaku i Mariupolit tha se sulmet e ushtrisë ruse nuk ndaluan dhe se evakuimet u pezulluan për të mos rrezikuar qytetarët. Përgjigja e Kremlinit ishte e thatë, me ministrin Lavrov që tha se "askush nuk u paraqit në korridoret humanitare". Rusia bëri me dije se ofensiva në këtë qytet ka rifilluar për shkak se ukrainasit hezituan të ushtronin presion mbi nacionalistët për të zgjatur armëpushimin.

Izraeli është vetëpropozuar si negociator i bisedimeve Moskë-Kiev, teksa kryeministri Naftali Bennett zhvilloi 3 orë bisedime me Putin në Moskë dhe mës shkoi në Berlin ku zhvilloi një takim për rreth 90 minuta me kancelarin Olaf Scholz.

Ndërkohë, ofensiva e Moskës nuk ndalet, teksa sulmet ajrore vetëm intesifikohen. Kievi është i rrethuar, dhe kolona shumë e gjatë e forcave të Moskës është ndalur 25 kilometra larg kryeqytetit. Në jug, forcat ruse po përparojnë dhe po përgatiten të rrethojnë Odesën.

Nga ana tjetër, Ukraina ka raportuar vrasjen gjatë një arrestimi të një prej negociatorëve të vendit, i akuzuar si spiun i Rusisë.

Ushtria e Ukrainës përmes një mesazhi në Twitter rrëzoi versionin e parë sipas të cilit negociatori Denis Kirev u vra nga shërbimi sekret pasi u zbulua se ishte spiun rus. Përmes një mesazhi të fundit ushtria e Ukrainës pohon se janë vrarë 3 ukrainas e mes tyre Denis Kirev por thotë se ata vdiqën duke mbrojtur Ukrainën dhe se ai nuk ishte spiun rus.

Ndërkohë, nëpërmjet një deklarate, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka deklaruar se nëse Ukraina vijon me të njëjtën rezistencë, 'rrezikon ekzistencën e saj si shtet'. Deklaratat e Putinit vijnë në një kohë kur edhe Kina ka bërë thirrje për t'i dhënë fund luftës. "Lufta të ndërpritet sa më shpejt që të jetë e mundur, duke mbrojtur jetët njerëzore dhe duke shmangur krizat humanitare në shkallë të gjerë”, kështu tha Ministri i Jashtëm i Kinës, Ëang Yi, gjatë një bisede telefonike me Antony Blinken.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski ka bërë thirrje që të respektohet marrëveshja e armëpushimit, për t'i dhënë mundësi civilëve të largohen dhe për të dërguar ndihma për personat e plagosur apo të sëmurë, ku më keq paraqitet situata në Mariupol, ku shoqata 'Mjekë pa Kufij' thotë se aty është një katastrofë, pasi mungon energjia elektrike dhe uji në spitale dhe gjithë qytetin.

Dritarja e negociatave mbetet e hapur, teksa takimi i tretë mes dy delegacioneve pritet të zhvillohet ditën e hënë.

Çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit në Ukrainë

Bombardime të rënda janë raportuar në Irpin, një qytet në periferi veriperëndimore të Kievit

Sulmet vazhdojnë gjithashtu në qytetin jugor të Mariupolit , ku një armëpushim i planifikuar për t'u mundësuar banorëve të largoheshin u ndërpre menjëherë pasi filloi.

Bombardime të rënda goditën Kharkivin dhe Sumy

Luftimet e ashpra në veriperëndim të kryeqytetit Kiev rreth aeroportit kyç Hostomel vazhduan këtë të shtunën

Forcat ruse vazhdojnë përpjekjet për të rrethuar Kievin, i cili, së bashku me Kharkivin, mbetet nën kontrollin e Ukrainës pavarësisht bombardimeve të rënda

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 05:41
Ekspertët: Rusët në pushim, ofensivë e re në 24-48 orët e ardhshme

‘Forcat ruse mund të kenë hyrë në një pushim të shkurtër operacional në funksion të rifillimit të operacioneve kundër Kievit, Kharkivit dhe ndoshta Odesës në 24-48 orët e ardhshme’, thuhet në një raport online të Institutit Amerikan për Studimin e Luftës, në të cilin vërehet se forcat ruse nuk kanë ndërmarrë asnjë ofensivë të madhe kundër Kievit, Kharkivit apo Mykolayiv në 24 orët e fundit.

Ora 05:08
3 mijë amerikanë, vullnetarë në mbrojtje të Ukrainës

Rreth 3,000 amerikanë i janë përgjigjur thirrjes së Ukrainës për vullnetarë të huaj për të luftuar pushtimin e Rusisë, tha një përfaqësues nga Ambasada e Ukrainës në Uashington DC për shërbimin e lajmeve të Zërit të Amerikës.

Vendet perëndimore nuk po dërgojnë trupa për të luftuar në terren në Ukrainë, por kanë dërguar armë në Ukrainë për të ndihmuar në luftën e vendit.

Ata gjithashtu kanë ndërmarrë sanksione ekonomike kundër Rusisë, oligarkëve dhe liderëve rusë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas kanë bërë thirrje për formimin e një "legjioni ndërkombëtar" vullnetarësh të huaj për të ndihmuar në luftimin e luftës.

Disa ditë më parë, Zelensky vlerësoi se rreth 16,000 të huaj kishin dalë vullnetarë për të ndihmuar në luftën në Ukrainë. 

Ora 04:29
SHBA vlerëson të gjitha mundësitë, çfarë ndodh nëse Zelensky vritet ose kapet nga rusët?

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët po diskutojnë se si të sigurojnë një "vijë trashëgimie" në Ukrainë në rast se Presidenti Zelensky kapet ose vritet nga forcat ruse, raporton Neë York Times, i cili citon disa burime sipas të cilave qëllimi është të sigurohet se ekziston një formë e qeverisë së pavarur ukrainase edhe nëse Rusia do të krijonte qeverinë e saj kukull në Kiev.

Ora 04:05
Qëllimi i Rusisë të lërë pa energji gjithë Ukrainën? Ushtria drejt hidrocentralit në jug të Kievit

“Trupat ruse janë nisur për në hidrocentralin Kaniv, rreth 100 kilometra në jug të Kievit, njoftoi stafi ushtarak ukrainas”, shkruan media ‘Indipendet Kiev’.

Ora 03:49
Kina kundër veprimeve të SHBA që ndihmojnë Ukrainën: Mos i hidhni benzinë zjarrit

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi i tha Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken se Kina është kundër çdo lëvizjeje që "hedh benzinë ​​zjarrit" në Ukrainë.

Wang bëri thirrje për negociata për të zgjidhur krizën dhe për negociata për të krijuar një mekanizëm të balancuar të sigurisë evropiane, raporton Associated Press.

Ora 03:38
Zelensky thirrje banorëve të Donbasit: Luftoni, keni qenë dhe jeni populli ynë, rusët do t’u marrin shtëpitë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua njerëzve të rajonit të shkëputur të Donbasit, duke u bërë thirrje që të luftojnë për të drejtat dhe lirinë e tyre dhe u kërkoi të mbrohen nga Rusia. 

"Për të gjithë ata që mund të na dëgjojnë, kujtimi i të cilëve nuk u është fshirë nga propaganda, të cilëve nuk ua mbylli sytë frika, të cilët nuk u shpërfytyrua shpirti nga cinizmi. Luftoni!" tha ai. "Luftoni për të drejtat tuaja! Për lirinë tuaj, për Ukrainën! Së bashku me Kherson, së bashku me Berdyansk, së bashku me Kievin dhe të gjitha qytetet e tjera të Ukrainës që vlerësojnë jetën dhe nuk kanë frikë nga asgjë."

 “Unë e di që shumë prej jush besuan se Ukraina gjoja ju urren. Dyshohet se do t'ju sulmojë. Gjoja do t'ju shkatërrojë. Gënjeshtarët në televizionet ruse flasin për këtë çdo ditë. Gënjeshtarët. Është detyra e tyre të gënjejnë çdo ditë. Por ky nuk duhet të jetë fati juaj.”

Zelensky vuri në dukje shkallën e sulmeve që forcat ruse kanë kryer në qytetet e Ukrainës.

“Ju thanë se po shkatërrojmë qytete. Shikoni Kharkiv. Në Chernihiv  Ata po na vrisnin. Ata po vrisnin fëmijë”, tha Zelensky.

“E bëri pikërisht para syve tuaj. Mbroni veten! Përndryshe, do t'ju marrë edhe jetën. Shtëpitë tuaja.”

Ai tha se Ukraina nuk qëllon popullin e saj apo nuk sulmon ndërtesat e banimit, duke shtuar se Donbasi “ka qenë gjithmonë dhe do të jetë populli ynë. Qytetarët tanë.”

Ora 03:19
Fondi Monetar Ndërkombëtar: Lufta do ketë ndikim të rëndë në ekonominë globale, qeveritë të mbrojnë familjet e varfra

Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se do të sjellë kërkesën e Ukrainës për 1.4 miliardë dollarë financim emergjent në bordin e tij ekzekutiv në fillim të javës së ardhshme.

"Lufta e vazhdueshme dhe sanksionet do të kenë ndikim të rëndë në ekonominë globale," tha FMN.

"Goditjet e çmimeve do të kenë një ndikim në mbarë botën, veçanërisht në familjet e varfra për të cilat ushqimi dhe karburantet janë një përqindje më e lartë e shpenzimeve," tha FMN në një deklaratë. "Nëse konflikti përshkallëzohet, dëmi ekonomik do të ishte edhe më shkatërrues."

FMN tha se efektet e sanksioneve ndaj Rusisë do të përhapen edhe në vende të tjera.

Autoritetet monetare në mbarë botën do të duhet të monitorojnë me kujdes rritjen e çmimeve në vendet e tyre, shtoi ai, dhe duhet të zbatohen politika për të mbrojtur familjet ekonomikisht të cenueshme.

Ora 03:10
Biden telefonatë me Zelensky për të "rritur kostot ndaj Rusisë"

Presidenti i SHBA, Joe Biden në një telefonatë me homologun e tij ukrainas, theksoi "veprimet e vazhdueshme të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e saj dhe industria private për të rritur kostot ndaj Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë".

“Në veçanti, Biden përshëndeti vendimin nga Visa dhe Mastercard për të pezulluar shërbimin në Rusi”, tha Shtëpia e Bardhë.

"Presidenti Biden në telefonatën prej 30 minutash vuri në dukje se administrata e tij po rrit ndihmën e sigurisë, atë humanitare dhe ekonomike për Ukrainën dhe po punon ngushtë me Kongresin për të siguruar fonde shtesë.", deklaroi Shtëpia e Bardhë.

Ora 03:02
Pas Putin, kryeministri izraelit 90 minuta kokë më kokë me Scholz në Berlin, zbardhet biseda

"Në mbrëmje Olaf Scholz u takua me kryeministrin izraelit, Naftali Bennett. Biseda zgjati 90 minuta dhe u fokusua në rezultatet e takimit midis Bennett dhe presidentit rus Vladimir Putin. Qëllimi i përbashkët mbetet për t'i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur. Ne do të punojmë për këtë," thotë zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.

Pas takimeve në Europë, Bennett, i vetëofruar për të ndërmjetësuar paqen mes Rusisë dhe Ukrainës është kthyernë Izrael.

Ora 02:47
SHBA bisedime me Poloninë për të furnizuar Ukrainën me avionë luftarakë

SHBA po punon me Poloninë për mundësinë që t'i sigurojë Ukrainës avionë luftarakë së bashku me konsultimet me aleatët e tjerë, konfirmon një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, pasi presidenti ukrainas Zelensky po kërkon që vendet e Evropës Lindore të dërgojnë avionë luftarakë.

Si pjesë e bisedave me Poloninë, SHBA-të po përcaktojnë se çfarë "aftësish mund të ofrojmë për të mbushur Poloninë nëse vendos të transferojë avionë në Ukrainë", tha zëdhënësi, i cili nuk do të detajojë se cilat opsionet në shqyrtim.

Ora 02:32
Mjekët pa Kufij: Situatë katastrofike humanitare në Mariupol

Situata humanitare në qytetin port të Mariupolit në Ukrainën jugore është “katastrofike dhe përkeqësohet nga ora në orë”. Kështu deklaroi Laurent Ligozat, koordinatori i urgjencës i Mjekëve pa Kufij në Ukrainë.

“Është e domosdoshme që korridori humanitar të krijohet shumë shpejt për të lejuar popullsinë civile, gratë dhe fëmijë, të dalin nga ky qytet”, tha Ligozat.

Ora 02:22
Kryetari i bashkisë së Mariupol: Situatë e rëndë, pa energji, pa ujë, nuk mbledhim dot të vdekurit

Vadym Boichenko, kryebashkiaku i qytetit jugor të Ukrainës, Mariupol, ka përshkruar një pamje të zymtë të jetës në qytet.

"Situata është shumë e ndërlikuar," tha Boichenko në një intervistë në një kanal në YouTube. "Ushtria ruse ka vendosur tashmë një bllokadë në korridorin humanitar. Kemi shumë probleme sociale, të cilat i kanë krijuar rusët."

Boichenko tha se qyteti ka qenë pa energji për pesë ditë. "Të gjitha nënstacionet tona termike mbështeten në këtë furnizim me energji elektrike, kështu që ne jemi pa ngrohje," tha ai.

Boichenko tha se nuk ka rrjet celulari dhe se mungon dhe furnizimi me ujë.

"Ushtria ruse po punon për të rrethuar qytetin dhe për të vendosur një bllokadë," tha ai.

"Ata duan të na shkëputin nga korridori humanitar, duke mbyllur dërgimin e mallrave thelbësore, furnizimeve mjekësore, madje edhe ushqimin për fëmijë. Qëllimi i tyre është të mbysin qytetin dhe ta vendosin atë nën një stres të padurueshëm."

Boichenko tha se "të plagosurit dhe të vdekurit gjatë këtyre pesë ditëve të fundit numërohen në dhjetëra. Në ditën e tetë, ishin qindra. Tani, ne po flasim tashmë për mijëra.

"Këto shifra vetëm sa do të përkeqësohen," tha Boichenko. “Por kjo është dita e gjashtë radhazi e sulmeve ajrore dhe ne nuk jemi në gjendje të dalim për të mbledhur të vdekurit.

Boichenko foli për korridorin humanitar, i cili ishte anuluar të shtunën. “Detyra e vetme tani është hapja e korridorit humanitar në Mariupol me çdo kusht. Qyteti i Mariupolit ka pushuar së ekzistuari, të paktën qyteti që keni parë dikur.", tha Boichenko.

Ora 01:59
Kievi: 100 mijë civilë të regjistruar për të luftuar kundër Rusisë

Numri i vullnetarëve ukrainas që janë regjistruar në Forcat e Mbrojtjes Territoriale që nga fillimi i sulmit rus në vend ka arritur në më shumë se 100 mijë bën me dije Garda Kombëtare e Ukrainës.  

Ora 01:46
Presidenti Zelenskyy bisedë me CEO-n e SpaceX, Elon Musk internet falas për ukrainasit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë se ka folur me CEO-n e SpaceX, Elon Musk dhe Ukraina do të marrë më shumë internet nga satelitët Starlink javën e ardhshme.

Javën e kaluar, Musk tha se SpaceX po dërgonte më shumë internet në vend, pasi antenat ishin dëmtuar për shkak të sulmeve ruse.

Ora 01:30
Trafikantët shfrytëzojnë rastin, mashtrojnë gratë dhe vajzat me 'udhëtim falas' duke i çuar drejt prostitucionit

Bandat kriminale po fitojnë para nga vala e refugjatëve të Ukrainës që po ikin nga lufta. Synimi i tyre duket se është që t’i shfrytëzojnë gratë dhe vajzat për prostitucion.

Më shumë se një milion njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë larguar nga vendi që nga pushtimi i javës së kaluar nga sulmet e kryera me urdhër të presidentit rus Vladimir Putin.

Sipas DailyMail, një grua 27-vjeçare ukrainase tha: "Dëgjova nga një shoqe që kaloi në Poloni dhe më tha se ajo shkoi me një djalë i cili tha se do ta çonte në Varshavë falas, por kur arritën atje ai kërkoi para.

“Ai u bë agresiv me të duke i thënë se i kishte borxh paratë dhe do të duhej ta paguante duke punuar për të, por fatmirësisht ajo arriti të largohej.”, shtoi më tej ajo.

Ora 01:11
Rusia bombardon zonat e banuara në Chernihiv, FOTO e bombave 500 kilogramë

Rusia ka hedhur bomba të fuqishme në zonat e banuara të qytetit Chernihiv, shkruan në rrjetin Telegram drejtuesi i këtij rajoni.

Vyacheslav Chaus postoi disa foto të asaj që ai tha se ishte një bombë FAB-500 e pashpërthyer, një bombë 500 kg e lëshuar nga avioni.

"Zakonisht kjo armë përdoret kundër objekteve ushtarako-industriale dhe strukturave të fortifikuara, Por në Chernihiv është përdorur kundër zonave të banuara", shkruan  kreu i rajonit të Chernihiv.

Në këtë rajon raportohet se janë vrarë 17 persona nga bombardimet ruse

Foto e bombave të pashpërthyera në Chernihiv

Ora 00:57
Kievi: 88 avionë dhe helikopterë rusë të rrëzuar që nga fillimi i pushtimit

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, ushtria ruse ka humbur 88 avionë dhe helikopterë bën me dije komanda e Forcave Ajrore të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Ora 00:37
Johnson plan me 6 pika për të ndaluar pushtimin e 'tmerrshëm' të Ukrainës

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson do të parashtrojë një plan veprimi me gjashtë pika për luftën Rusi-Ukrainë gjatë takimeve me liderët kanadezë, holandez dhe të Evropës Qendrore javën e ardhshme.

Johnson do t'u tregojë homologëve të tij se ata duhet të bashkohen sipas planit të tij për të siguruar që presidenti rus Vladimir Putin "të dështojë në ambicien e tij".

Plani i Johnson u bën thirrje vendeve të mobilizojnë "një koalicion ndërkombëtar humanitar për Ukrainën, të mbështesin Ukrainën në përpjekjet e saj për të siguruar vetëmbrojtje të saj dhe për të maksimizuar presionin ekonomik ndaj Rusisë së Putinit".

Sipas ‘Downing Street’, plani u bën thirrje partnerëve të Mbretërisë së Bashkuar të "parandalojnë atë që po bën Rusia në Ukrainë, të ndjekin rrugën diplomatike për de-përshkallëzimin e situatës, por vetëm në bazë të pjesëmarrjes së plotë të qeverisë legjitime të Ukrainës dhe të fillojë një fushatë të shpejtë për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë në të gjithë zonën euro-atlantike."

“Putini duhet të dështojë dhe duhet të shihet se dështon në këtë akt agresioni”, thuhet në njoftim. “Nuk mjafton të shprehim mbështetjen tonë për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ne duhet ta mbrojmë atë kundër një përpjekjeje të vazhdueshme për të rishkruar rregullat me forcë ushtarake.”

Ora 00:04
Kanadaja rrit nivelin e rrezikut, thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Rusia

Qeveria Kanadeze përmes një njoftimi zyrtar ka rritur nivelin e rrezikut për Rusinë dhe ka rekomanduar qytetarët të shmangin çdo udhëtim në Rusi dhe rekomandon që kanadezët në Rusi të largohen nga vendi për sa kohë që ka ende mjete në dispozicion. 

Ora 23:54
Visa dhe Mastercard pezullojnë transaksionet në Rusi

Mastercard tha se kartat e lëshuara nga bankat ruse nuk do të mbështeten më nga rrjeti Mastercard dhe çdo Mastercard e lëshuar jashtë vendit nuk do të funksionojë në rrjetet tregtare ose bankomatet ruse.

Gjithashtu edhe Visa tha se transaksionet duke përdorur kartat Visa të lëshuara në Rusi nuk do të funksionojnë më jashtë vendit dhe çdo kartë Visa e lëshuar nga institucione financiare jashtë Rusisë nuk do të funksionojë më në Rusi.

“Ne jemi të detyruar të veprojmë pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe ngjarjeve të papranueshme që kemi dëshmuar”, tha në një deklaratë Al Kelly, kryetar dhe shef ekzekutiv i Visa Inc.

“Na vjen keq për ndikimin që kjo do të ketë te kolegët tanë të çmuar dhe te klientët, partnerët, tregtarët dhe mbajtësit e kartave që u shërbejmë në Rusi. Kjo luftë dhe kërcënimi i vazhdueshëm ndaj paqes dhe stabilitetit kërkojnë që ne të përgjigjemi në përputhje me vlerat tona.”, u shpreh Al Kelly.

Ora 23:47
SHBA merr masat, dërgon Aeroplanmbajtëse në Detin Egje për të siguruar fluturime nëse tensionet përshkallëzohen

Aeroplanmbajtësja amerikane ‘USS Harry S. Truman’ ka shkuar në veri të Detit Egje këtë javë për t'u siguruar se mund të kryejë operacione fluturimi nga atje nëse tensionet përshkallëzohen në rajon, deklaron për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, thotë një zyrtar amerikan.

Zyrtari nuk bëri të ditur vendndodhjen e saktë të anijes, por vuri në dukje se nuk është rutinë të operohet në ujërat më veriore të Egjeut. Zona është relativisht e kufizuar për operacionet e transportuesit për shkak të numrit të ishujve të vegjël dhe trafikut të rëndë tregtar detar.

“Në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm, Marinës mund t'i thuhet të projektojë më shumë patrulla ajrore të avionëve luftarakë në Detin e Zi, tha zyrtari. “Nëse Rusia kërkon të drejtojë ngushticën turke dhe Turqia kërkon mbështetjen e NATO-s”, atëherë aeroplanmbajtësja mund të përdoret për mundësuar patrullime ajrore luftarake mbi Detin e Zi dhe Ngushticën e Dardaneleve.

Avionët luftarakë të ‘Truman’ aktualisht po fluturojnë mbi Rumani si pjesë e misionit të NATO-s për të demonstruar praninë dhe vendosmërinë kundër agresionit rus.

Transportuesi shoqërohet nga kryqëzori USS San Jacinto në Egjeun e Veriut. Pesë luftanije të tjera amerikane dhe një luftanije norvegjeze sipërfaqësor janë më në jug në Egje.

Ky zhvillim vjen pasi Pentagoni po pranon gjithashtu se mund t'i duhet të rishqyrtojë dhe të rrisë praninë ushtarake afatgjatë të SHBA në Evropë në vazhdën e agresionit të Rusisë.

Ora 23:24
Policia italiane sekuestron vila, shtëpi dhe jahte me vlerë mbi 143 milionë dollarë nga oligarkët rusë

Policia financiare italiane ka sekuestruar vila, shtëpi dhe jahte me vlerë mbi 143 milionë euro nga pesë oligarkë rusë, tha policia të shtunën në një deklaratë.

Urdhrat e ngrirjes u ekzekutuan kundër personave të mëposhtëm:

Alexey Alexandrovits Mordaschov: jahti Lady M, i vendosur në portin e Imperia, me vlerë rreth 65 milionë euro (rreth 71 milionë dollarë)

Gennady Nikolayevich Timchenko: jahti Lena, i vendosur në portin e San Remos, me vlerë rreth 50 milionë euro (rreth 55 milionë dollarë)

Alisher Usmanov: përmbledhje e pasurive të paluajtshme e vendosur në Golfo del Pevero në Arzachena, me vlerë rreth 17 milionë euro (rreth 18 milionë dollarë)

Vladimir Roudolfovich Soloviev: prona të vendosura në provincën e Komos me vlerë rreth 8 milionë euro (rreth 8.7 milionë dollarë)

Oleg Savchenko: vilë e shekullit të shtatëmbëdhjetë e quajtur "Villa Lazzareschi" e vendosur në provincën e Lucca, me vlerë rreth 3 milion euro (rreth 3.3 milion dollarë)

Këto masa kufizuese vijnë pasi Këshilli i BE-së vendosi sanksione ndaj disa personave dhe subjekteve për agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

Ora 23:10
Bombardimi lë Luhanskun në errësirë: 82 mijë njerëz pa energji elektrike

Më shumë se 82 mijë njerëz janë pa energji elektrike në rajonin Luhansk të Ukrainës lindore për shkak të bombardimeve ruse. Kjo është bërë e ditur nga këshilli i qytetit të Rubizhne, duke shpjeguar se 23 zona janë pjesërisht pa energji elektrike, ndërsa 33 janë plotësisht në errësirë.

Ora 22:38
Kompania Shell: Do t'u japim fitimet e naftës ruse refugjatëve ukrainas

Kompania më e madhe e naftës në Evropë, Shell Oil, sot tha se do të dhurojë fitime për refugjatët ukrainas. Vendimi vjen pas kritikave të ministrit të Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, i cili shkroi në Twitter se nafta ruse mban erë "gjaku ukrainas".

Ora 22:34
Zelensky thirrje popullit: Luftoni kundër rusëve

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje popullatës që të "shkojë në ofensivë" kundër pushtuesit rus në video-mesazhin e tij të fundit drejtuar kombit. " “Çdo metër i tokës sonë ukrainase të fituar me protestë dhe poshtërim të pushtuesve është një hap përpara, një hap drejt fitores për të gjithë shtetin tonë, është një mundësi jete. Ukrainas, në çdo qytet ku hyn armiku, luftoni, shkoni në ofensivë kundër tyre", tha ai.

Ora 22:33
Ukraina: Qyteti afër Kievit pothuajse plotësisht i shkatërruar nga sulmet ruse

Borodyanka, një qytet 60 kilometra larg Kievit, u "shkatërrua pothuajse plotësisht nga bombardimet". Kështu deklaroi guvernatori i rajonit të Kievit, Oleksiy Kuleba.

"Nuk ka më ujë dhe energji elektrike atje. Është pothuajse plotësisht i shkatërruar. Qendra e qytetit është thjesht e tmerrshme. Borodyanka është nën kontrollin e trupave ruse. Ata kanë kontrollin", tha ai.

Ora 22:10
Putin kërkon listën e vendeve që kanë sanksionuar Rusinë

1646338163_d9gktnk8vladimirputinafp650625x30012December21.jpg

Presidenti rus Vladimir Putin ka dhënë detyrën për të hartuar një listë të vendeve që kanë vendosur sanksione kundër Rusisë, kompanive, organizatave dhe qytetarëve rusë. Kështu shkruan agjencia e lajmeve Tass, por nuk dihet arsyeja se përse ai e ka kërkuar një informacion të tillë.

Ora 21:38
Ukraina hedh poshtë versionin se negociatori i vrarë ishte spiun rus: U vra duke na mbrojtur! Rusia: Vdekja e tij nuk konfirmohet

Ushtria e Ukrainës përmes një mesazhi në Twitter rrëzoi versionin e parë sipas të cilit negociatori Denis Kirev u vra nga shërbimi sekret pasi u zbulua se ishte spiun rus. Përmes një mesazhi të fundit ushtria e Ukrainës pohon se janë vrarë 3 ukrainas e mes tyre Denis Kirev por thotë se ata vdiqën duke mbrojtur Ukrainën dhe se ai nuk ishte spiun rus.

Ndërkohë autoritet ruse mohojnë vdekjen e Kirev. Deklarata është bërë nga kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Dumës, Leonid Slutsky i cili tha se njihte Kirevin si një banker dhe aktualisht është person i besuar i kreut të delegacionit të Ukrainës. Por rusët thonë se nuk ka informacione që konfirmojnë vrasjen e tij.

Më herët gjatë ditës u tha se negociatori i Ukrainës në bisedimet e para me Rusinë Denis Kirev u vra nga shërbimet sekrete pasi u zbulua se ishte spiun i rusëve.

Ora 20:37
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, Zelensky dhe Putin mund të takohen në Turqi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë një bisede telefonike me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, ka shprehur gatishmërinë e tij për t'u takuar me liderin rus Vladimir Putin në Stamboll ose Ankara, tha një zëdhënës i presidentit turk, Ibrahim Kalyn. Sipas Kalyn, Erdogan tashmë i ka raportuar Putinit sugjerimin e Zelensky, por nuk ka ende një përgjigje.

"Ne do të vazhdojmë punën tonë në këtë drejtim. Një takim i tillë sigurisht që do të ketë një ndikim pozitiv për situatën. Turqia është e gatshme të japë kontributin e saj," tha Kalyn.

"Turqia është aktualisht një nga vendet e pakta që mund të bisedojë me Rusinë dhe Ukrainën në të njëjtën kohë. Unë përsëris fjalët që tha presidenti ynë më parë, ne nuk mund të braktisim as Rusinë dhe as Ukrainën. Prandaj, ne jemi duke u fokusuar në hapat që mundemi, për të sjellë palët në tryezën e bisedimeve, por veçanërisht për të bindur palën ruse", tha Kalyn.

Më herët, zëdhënësi i Erdogan tha se Turqia nuk ka plane për të vendosur sanksione kundër Rusisë dhe as Ankaraja nuk dëshiron të marrë anë në konflikt. Sipas Kalyn, Turqia nuk dëshiron që kriza në Ukrainë të ndikojë në ekonominë turke.

Ora 20:09
Kharkiv sërish nën bombardime! Sulme në një kamp ushtarak, vriten 4 ushtarë

Qyteti i Kharkiv është sërish nën 'pushtetin' e sulmeve ajrore ruse. Sipas Kievit, u bombardua një kamp ushtarak dhe për pasojë u vranë 4 ushtarë.

Ora 20:06
Kryeministri izraelit telefonon Macron pas takimit me Putin

Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, ka zhvilluar një telefonatë me presidentin francez Emmanuel Macron. Sipas mediave të huaja,  Bennett e ka informuar Macron mbi bisedimet që zhvilloi në Moskë me Presidentin Vladimir Putin.

Ora 19:54
Zelensky: Rusët po shkojnë drejt rrethimit të një centrali të tretë bërthamor

Pasi pushtuan termocentralet e Çernobilit dhe Zaporizhzhisë, rusët drejtohen për te një termocentral të tretë bërthamor ukrainas. Kështu tha Presidenti Volodymyr Zelensky. Termocentrali i Ukrainës jugore ndodhet 120 kilometra në veri të Mikolayv, një qytet aktualisht nën rrethim.

Ora 19:29
Pas Putinit, kryeministri izraelit niset drejt Berlinit për të takuar kancelarin Scholz

Kryeministri izraelit Bennett u nis nga Moska për në Berlin, ku do të takohet me kancelarin Olaf Scholz. Bennett dhe Scholz janë takuar edhe të mërkurën e kaluar në Jerusalem.

Ora 19:22
Përfundon pas 3 orësh takimi në Kremlin mes Putin dhe kryeministrit të Izraelit

1646504575_KBGGPO462.jpg

Ka përfunduar takimi në Kremlin mes Presidentit rus, Vladimir Putin dhe kryeministrit izraelit Naftali Bennett. Takimi zgjati rreth 3 orë, ndërsa në tryezë u bisedua për konfliktin në Ukrainë. Bennett është lideri i parë perëndimor që shkon në Moskë pas shpërthimit të luftës.  

Tre ditë më parë, Bennett zhvilloi biseda të veçanta telefonike me Putin dhe Zelensky. Ky i fundit i ka bërë thirrje Izraelit që të ndërmjetësojë përpjekjet për të arritur një armëpushim. Ndërsa Izraeli e ka dënuar pushtimin e Rusisë në deklaratat e ministrit të Jashtëm Yair Lapid, vetë Bennett i ka shmangur kritikat e drejtpërdrejta ndaj Rusisë apo Putinit. Izraeli ka kërkuar të mbajë marrëdhënie të mira me Rusinë në vitet e fundit në mënyrë që të mund të vazhdojë sulmet ajrore kundër objektivave iraniane në Siri, të cilat Izraeli i konsideron si kritike për të parandaluar transferimin e teknologjisë së raketave të drejtuara me saktësi te Hezbollahu.

Ora 19:10
Blinken takim me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës: Do ushtrojmë presion të paprecedentë mbi Rusinë derisa të përfundojë lufta

Antony Blinken, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, u takua me Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në kufirin ukrainas-polak. Blinken siguroi se "presion i paprecedentë" do të ushtrohet mbi Rusinë derisa të përfundojë lufta. Kuleba shtoi se Ukraina do ta fitojë këtë luftë, por  "pyetja është: me çfarë çmimi?"

Ora 19:02
Ministri i Jashtëm rus thirrje NATO dhe BE: Ndaloni furnizimin me armë për ukrainasit! Mund të bien në duart e terroristëve

1646480756_lavrov.png

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, i ka bërë thirrje NATO-s dhe BE-së që të ndalojnë furnizimin me armë të ukrainasve.

"Raketat mund të bien në duart e terroristëve", tha ai.

Ora 18:44
Ukraina: Forcat ruse kanë marrë nën kontroll një spital psikiatrik me 670 persona! Pacientëve i mungojnë ilaçet dhe uji

Forcat ruse kanë kapur një spital psikiatrik ku janë 670 persona në Borodyanka, rreth 60 km larg Kievit. Kjo është raportuar nga guvernatori i rajonit Oleksiy Kuleba.

“Janë persona me nevoja të veçanta, kanë nevojë për ndihmë të vazhdueshme, shumë prej tyre kanë vite të tëra të shtrirë në shtrat, po u mungon uji dhe ilaçet”, tha.

Ora 18:20
Shtyhet për të hënën raundi i tretë i bisedimeve Kiev-Moskë

Raundi i tretë i negociatave ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, që ishte planifikuar këtë fundjavë, do të zhvillohet të hënën. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia ruse Interfax.

Ora 18:19
Ministria ruse e Mbrojtjes: Rifilluam ofensivën në Mariupol! Ukrainasit hezituan të ushtronin presion mbi nacionalistët për të zgjatur armëpushimin

Edhe pse Ukraina deklaron se sulmi rus në Mariupol nuk ka ndaluar, Rusia thotë se ofensiva rifilloi sepse Kievi hezitoi të ushtronte presion presion mbi nacionalistët për të zgjatur armëpushimin.

"Ofensiva ka rifilluar për shkak të hezitimit të palës ukrainase për të ushtruar presion mbi nacionalistët për të zgjatur armëpushimin", kështu deklaroi Ministria ruse e Mbrojtjes, sipas raporteve të TASS.

Ora 18:11
Kryeministri izraelit shkon në Moskë për bisedime me Putin

Kryeministri izraelit Naftali Bennett ndodhet në Moskë në Kremlin për bisedime me presidentin Vladimir Putin mbi Ukrainën. Lajmi është bërë i ditur nga mediat izraelite. Ditët e fundit, Bennett ka kontaktuar dy herë me presidentin ukrainas Vlodymyr Zelensky dhe dy herë gjithashtu me Putinin.

Ora 17:55
Autoritetet ukrainase akuza Rusisë:  Kanë hapur zjarr ndaj protestuesve civilë

Ukraina ka akuzuar forcat ruse se kanë hapur zjarr ndaj protestuesve civile. "Njerëzit u përpoqën të ndalonin rusët, por ata hapën zjarr ndaj njerëzve të paarmatosur. Ka tre të plagosur, ata janë në spital", tha Sergiy Haidai, kreu i administratës rajonale të Luhansk.

Ora 17:36
FOTOLAJM/ Ushtarët rusë futen në ashensor për të shkuar në majë të një ndërtese e për të kontrolluar e zonën! Ukrainasit i fikin dritat, i lënë të bllokuar

Populli i Ukrainës duket i vendosur për të luftuar pushtuesit rusë, e këtë po e bëjnë në çfarëdo mënyre. Disa ushtarë rusë kanë mbetur të bllokuar për disa minuta në një ashensor, pasi ukrainasit i fikën dritat. Ushtarët rusë u futën në ashensor për të shkuar në majë të ndërtesës, në mënyrë që të kontrollonin zonën nga lart, por plani i tyre dështoi.

Ora 17:06
Zelensky: Gati 10 mijë ushtarë rusë janë vrarë pa ditur as përse po luftonin! Armëpushimi duhet respektuar menjëherë

1645840772_zelensky.PNG

'Armëpushimi duhet respektuar sot'. Ky është apeli i presidentit ukrainas Zelensky. "Korridoret humanitare duhet të funskionojnë sot në Mariupol dhe Volnovakha, për të shpëtuar gratë, fëmijët dhe të moshuarit dhe për t'u dhënë ushqim dhe ilaçe atyre që kanë mbetur. Ne po bëjmë gjithçka që marrëveshja të funksionojë," tha ai.

Zelenksy shtoi po ashtu se afro 10 mijë ushtarë rusë janë vrarë, gati fëmijë që nuk dinin se përse po luftonin.

"Është e tmerrshme, ata janë 18, 20 vjeç, gati fëmijë, ushtarë që nuk u është shpjeguar se do të luftojnë. Rusia duhet t'u japë atyre një shans tjetër", theksoi lideri ukrainas.

Ora 16:47
VIDEO/ I erdhën ndihmë nga NATO, Ukraina rrëzon me raketë helikopterin rus

Një raketë ukrainase ka qëlluar një helikopter rus. Momenti i goditjes është filmuar, teksa duket qartë momenti kur raketa përplaste me helikopterin, duke bërë që ai të shpërthejë në flakë. Këto raketa, dhe shumë armatime të tjera, i kanë shkuar Ukrainës si ndihma nga NATO.

Ora 16:32
Ministri i Jashtëm i Kinës telefonatë me Blinken: Lufta në Ukrainë duhet të ndërpritet sa më shpejt

 “Lufta të ndërpritet sa më shpejt që të jetë e mundur, duke mbrojtur jetët njerëzore dhe duke shmangur krizat humanitare në shkallë të gjerë”, kështu tha Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, gjatë një bisede telefonike me Antony Blinken. Biseda telefonike u krye me kërkesë të SHBA, në lidhje me krizën në Ukrainë.

"Kina beson se për të zgjidhur krizën ukrainase është ende e nevojshme të veprohet sipas qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së. E para është respektimi dhe mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve, e dyta është të insistohet në zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve përmes dialogut", ka thënë ai.

Ora 15:51
Kryebashkiaku i Kherson: Qyteti është pa energji dhe ujë! Kemi nevojë për ndihmë

Kryetari i qytetit ukrainas Kherson tha se qyteti është i rrethuar nga forcat ruse. Kryebashkiaku Ihor Kolykhaiev u shpreh se të gjitha shërbimet e qytetit janë jashtë funksionit. Ai bëri edhe një apel për ndihmë humanitare, duke thënë se “prodhimi, infrastruktura kritike është pezulluar. Qyteti është pa energji dhe pa ujë.”

Kolykhaiev tha se nuk kishte asnjë mënyrë për të marrë ndihma në qytet sepse e vetmja mënyrë për të marrë ndihma është nëpërmjet Krimesë nga pala ruse.

"Kemi shumë njerëz këtu në nevojë," tha ai. "Kemi pacientë me kancer, fëmijë që kanë nevojë për mjekim.”

Ora 15:37
Kryqi i Kuq: Evakuim i pamundur nga Mariupol dhe Volnovakha

Foto ilustruese

Nuk ka gjasa që sot të vazhdojë evakuimi i civilëve nga Mariupol dhe Volnovakha. Kështu deklaroi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, pas shkëmbimit të akuzave të ndërsjella mes Moskës dhe Kievit.

Ora 15:18
Putin: Nëse Ukraina vazhdon njësoj, do rrezikojë ekzistencën e vet si shtet

1646343333_201215030503vladimirputin1126filefull169.jpg

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka paralajmëruar se nëse Ukraina vazhdon rezistencën e saj, rrezikon ekzistencën e saj si shtet.

“Nëse udhëheqja aktuale ukrainase vazhdon të bëjë atë që bën dhe nuk i kupton shqetësimet tona për mundësinë e vendosjes së armëve bërthamore në territorin e saj, ajo po vë në pikëpyetje të ardhmen e Ukrainës si shtet”, tha presidenti rus, Vladimir Putin.

Ora 14:59
E gjitha bota kundër agresionit rus, ngrihet në protestë edhe ne Kherson, qyteti i pushtuar ukrainas, qytetarët me flamuj në dorë: Rusët të shkojnë në shtëpi

 

Në një kohë kur e gjitha bota është ngritur në protesta kundër agresionit rus, një e tillë është zhvilluar edhe në Kherson, qytetin ukrainas të pushtuar nga Rusia.

Rreth 2,000 njerëz dolën në rrugë për të protestuar mëngjesin e sotëm. Ata marshuan në qendër të qytetit duke valëvitur flamuj dhe duke kënduar himnin kombëtar të Ukrainës, ndërsa thërrisnin "Rusët të shkojnë në shtëpi" dhe "Khersoni është Ukrainë".

Postblloqe ushtarake ruse janë ngritur në të gjithë qytetin dhe ndalojnë çdo shofer që kalon .

Ora 14:30
Media arabe: Moska rekruton mercenarë sirianë për të luftuar në Ukrainë për 7 muaj  

Mijëra mercenarë sirianë ftohen nga emisarët rusë në Siri për t'u regjistruar në konfliktin në Ukrainë. Kjo është bërë e ditur nga burime në terren të cituar nga mediat pan-arabe, sipas të cilave përfaqësuesit e Moskës në Damask kanë nisur një fushatë regjistrimi që mund të përfshijë gjithashtu dhjetëra mijëra milici të mundshëm për t'u dërguar në frontin e Evropës Lindore.

Atyre u ofrohet një pagë prej 7,000 USD në këmbim të një angazhimi të vazhdueshëm prej 7 muajsh.

Ora 14:27
 Polonia: Nuk njohim ndryshimet në kufij në Ukrainë nga agresioni rus

Polonia nuk do të njohë ndryshimet territoriale të shkaktuara nga "agresioni i paprovokuar i paligjshëm". Këtë e theksoi ministri i Jashtëm i Varshavës, Zbigniew Rau, pas takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. 

Ky reagim vjen pasi Rusia kërkon që të vendos një ndarje mes Ukrainës dhe krimëse e rajoneve të Donbas dhe Luhansk.

Ora 14:26
Putin: Sanksionet janë si një shpallje lufte

“Sanksionet kundër Rusisë janë të barazvlefshme me një shpallje lufte”. Kjo u përsërit nga presidenti rus Vladimir Putin, duke folur në një ngjarje përpara Ditës së Gruas, cituar nga media ruse TASS.

Ora 13:41
Del FOTO, ky është negociatori ukrainas që u vra nga Kievi se ishte spiun i Rusisë

Ky është negociatori ukrainas që u vra se ishte spiun i Rusisë

Ora 13:31
Kievi ekzekuton negociatorin e vet: Ishte spiun i Rusisë! I pranishëm në raundin e parë të bisedimeve me Moskën, mungonte në të dytin

 

Shërbimet sekrete ukrainase (Sbu) vranë një prej anëtarëve të ekipit negociator të tyre pasi e akuzojnë për tradhti kombëtare.

Ai është Denys Kireev, i cili mori pjesë në raundin e parë të negociatave me Rusinë në Gomel të Bjellorusisë, por nuk ka qenë i pranishëm në raundin e dytë.

Kjo u raportua nga deputeti Oleksiy Goncharenko në kanalin e tij të Telegram, sipas raporteve nga agjencia “Interfax-Ukraine”.

Negociatori u vra gjatë një tentative arrestimi. I njëjti burim zbulon se kishte "prova të forta" se ai po dërgon informacione në Rusi.

Ora 13:10
Lavrov: Nuk është caktuar ende një datë për raundin e tretë të bisedimeve Ukrainë-Rusi

 “Nuk është caktuar ende një datë e re për raundin e tretë të negociatave ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.”, kjo është deklarata e fundit e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Kujtojmë që deri më tani janë zhvilluar dy raunde bisedimesh mes dy vendeve. Në raundin e fundit të bisedimeve palët ranë dakord për krijimin e korridoreve humanitare, një negociatë e cila duket se nuk po zbatohet siç duhet.

Ora 12:59
Ukrainasit thonë se s'po respektohet armëpushimi dhe po bombardohen, Lavrov: Askush nuk u paraqit në korridoret humanitare

Në korridoret humanitare të hapura këtë mëngjes në Ukrainë në Mariupol dhe Volnovakha "askush nuk u paraqit". Kjo ishte deklarata e ministrit të Jashtëm rus Serghei Lavrov në konferencën e tij për shtyp, sipas “Interfax”.

Ndërkohë nga ana tjetër mëngjesin e sotëm nënkryetari i Bashkisë së Mariupolit pretendoi se korridoret humanitare u bombarduan, duke bërë që evakuimi të shtyhej dhe njerëzit të riktheheshin në strehimore.
 

Ora 12:45
Lavrov: Zelensky dëshiron një konflikt midis NATO-s dhe Rusisë! Nuk e do diplomacinë

“Zelensky po përpiqet të provokojë një konflikt mes Rusisë dhe NATO-s”, kjo ishte deklarata e fundit e ministrit të Jashtëm rus Lavror.

Ai tha se presidenti ukrainas nuk po përtyp faktin që NATO nuk po ndërhynë dhe se nuk dëshiron të zgjidh konfliktin me diplomaci.

Ora 12:21
‘Rusët na gënjyen’, nënkryetari i Bashkisë së Mariupolit: Rrugët po bombardohen, evakuimi u ndërpre, jemi të pasigurt dhe të frikësuar

Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit në një intervistë për BBC tha se rusët i gënjyen dhe se rrugët për në Zaporizhizhia po bombardoheshin pa mëshirë. Kjo është arsyeja që evakuimi është ndërprerë, ndërsa sipas zyrtarit njerëzit janë kthyer sërish nëpër strehimore pasi kanë frikë të qëndrojnë rrugëve.

“Sulmet ndalojnë, por pastaj fillojnë sërish. Kjo është arsyeja që njerëzit janë shumë të frikësuar. Na thanë se rruga nga Mariupoli në Zaporizhzhia ishte e qetë, por më pas morën informacion se ka bombardime. E kuptuam që forcat ruse po gënjenin, ndaj vendosëm të ktheheshin sërish aty ku ishin pasi rrugët nuk ishin të sigurta. Ndërkohë Mariupoli po shkatërrohet.”, tha ai.

Ora 12:10
Shtyhet evakuimi i civilëve nga Mariupol

Shtyhet evakuimi i civilëve nga Mariupol

Ora 12:03
Kievi: Mbyllni të gjitha portet evropiane për anijet ruse, na ndihmoni të ndalojmë Putinin

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se Europa duhet të ndalojë Putin dhe për këtë duhet të mbyllë të gjitha portet për anijet ruse.

 "Na ndihmoni të ndalojmë Putinin. Mbyllni të gjitha portet evropiane për anijet ruse. Koha për të vepruar është tani.", tha ai

Ora 12:01
Moskë: Sanksionet nuk do të na izolojnë, bota është e madhe

Sanksionet e miratuara nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera "nuk nënkuptojnë izolimin e Rusisë. Bota është shumë e madhe që Evropa dhe Amerika të izolojnë ndonjë vend, veçanërisht një të madh sa Rusia". Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cituar nga media ruse Tass, në një konferencë për shtyp.

Ora 12:01
Lufta në Ukrainë, Moska: Disa kanale komunikimi me SHBA mbeten të hapura

Moska dhe Uashingtoni po mbajnë disa kanale dialogu të hapura në sfondin e situatës aktuale gjeopolitike tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov

"Ne po i mbajmë të hapura disa kanale dialogu me Shtetet e Bashkuara," tha Peskov në një konferencë për një pyetje mbi marrëdhëniet midis dy vendeve.

Dy ditë më parë, një zyrtar amerikan i mbrojtjes njoftoi hapjen e një linje të kuqe të drejtpërdrejtë me ministrinë ruse të mbrojtjes, "me qëllim parandalimin e llogaritjeve të gabuara, aksidentet ushtarake dhe një përshkallëzim", siç tha zyrtari i Pentagonit.

Ora 11:05
Trupat ruse nuk respektojnë armëpushimin

Këshilli i qytetit të Mariupolit ka paralajmëruar se forcat ruse nuk po respektojnë një armëpushim të rënë dakord përgjatë rrugës së plotë të një korridori humanitar.

Ky armëpushim i përkohshëm u konfirmua në orët e fundit dhe Ukraina tha se duhet të jetë në fuqi nga ora 9 e mëngjesit deri në 2 pasdite me orën lokale dhe u ra dakord që të lejohen autobusë për të transportuar civilë nga Mariupol dhe Volnovakha drejt Zaporizhzhia në Ukrainën juglindore.

Megjithatë, zyrtarët lokalë thonë se "luftimet po zhvillohen" në rajonin e Zaporizhzhia.

Ora 11:03
Zelensky konfirmon armëpushimin në dy qytete të Ukrainës, por bën thirrje: Kush mundet të qëndrojë dhe të luftojnë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se korridoret humanitare janë në vend për të lejuar që ata në Mariupol dhe Volnovakha të largohen. Megjithatë, ai tha se ata që munden duhet të "vazhdojnë të luftojnë".

Në një fjalim, Zelensky tha: "Ne arritëm të arrijmë një marrëveshje për të ofruar ndihmë për ato qytete në Ukrainë që janë në situatën më të rëndë dhe më të keqe, Mariupol dhe Volnovakha, për të shpëtuar fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Për të siguruar mjekim dhe ushqim atyre që qëndrojnë atje në ato vende. Ata njerëz që dëshirojnë të largohen nga këto vende duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë tani duke përdorur korridorin humanitar, por ata që munden duhet të vazhdojnë të luftojnë. Ne bëjmë gjithçka që mundemi nga ana jonë për t'u siguruar që kjo marrëveshje të funksionojë, në lidhje me korridoret humanitare dhe do të shohim nëse mund të shkojmë edhe më tej në negociatat tona me Rusinë".

Ora 10:38
Gjigandi rus i energjisë Gazprom: Transiti përmes Ukrainës vazhdon normalisht

Gjigandi rus i energjisë, Gazprom ka njoftuar se transitimi i gazit përmes Ukrainës po ecën normalisht.

Lajmin e ka bërë me dije agjencia “Bloomberg”.

Gazprom sqaroi se trasitohen 109.5 milionë metra kub në ditë.

 

Ora 10:22
Trupa të pajetë rrugëve të qytetit dhe njerëz nëpër strehimore pa ushqim, 90% e qytetit të Volnovakha është shkatërruar

90% e qytetit të Volnovakha u shkatërrua nga bombardimet. Këtë e deklaroi parlamentari lokal Dmytro Lubinets për “Kievin Independent”.

Trupat e pajetë janë të shtrira në rrugët e qytetit, ende të pambledhura dhe njerëzit janë fshehur nëpër strehimore dhe po u mbarojnë ushqimet.

Së shpejti do të nisë evakuimi edhe në Volnovakha.

Ora 10:10
Pushtimi i Ukrainës, Rusia dhe Bjellorusia pezullohen nga Këshilli i Shteteve të Detit Baltik

Bashkimi Evropian u është bashkuar anëtarëve të Këshillit të Shteteve të Detit Baltik (CBSS) në pezullimin e Rusisë dhe Bjellorusisë nga aktiviteti në këtë Këshill.

“Ky vendim është një pjesë e përgjigjes së Bashkimit Evropian dhe partnerëve me të njëjtin mendim ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe përfshirjes së Bjellorusisë në këtë agresion të paprovokuar dhe të pajustifikuar”, thuhet në deklaratë.

"BE pajtohet me anëtarët e tjerë të CBSS (Danimarka, Estonia, Finlanda, Gjermania, Islanda, Letonia, Lituania, Norvegjia, Polonia dhe Suedia) që pezullimi i Rusisë dhe Bjellorusisë do të mbetet në fuqi derisa të jetë e mundur rifillimi i bashkëpunimit. bazuar në respektimin e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”.

Ora 10:05
Fillon evakuimi në Mariupol

Evakuimi i civilëve nga Mariupol filloi sipas afatit kohor të dhënë nga këshilli i qytetit. Autobusët janë organizuar për të lëvizur njerëzit në siguri nga tre lokacione në qytet duke filluar nga ora 11:00 me orën lokale. Banorëve u është thënë gjithashtu se ata mund të përdorin transportin e tyre për të udhëtuar në mënyrë të sigurt përgjatë një rruge specifike në veri-perëndim për në qytetin e Zaporizhzhia gjatë armëpushimit. Mariupol është bllokuar prej disa ditësh nga forcat ruse. Armëpushimi është gjithashtu në vend rreth qytetit të vogël të Volnovakha.

Ora 10:00
Kryetari i Mariupolit: Duhet të ikim, s’kemi zgjidhje tjetër! Mund të largohen deri në 9 mijë njerëz nëse armëpushimi vazhdon, gati 50 autobusë

“Të dashur, të dashur banorë të Mariupolit, sot fillon evakuimi i popullatës civile në qytet". Kështu kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadym Boichenko, në një deklaratë të shkurtër pas konfirmimit të korridorit humanitar të krijuar mëngjesin e sotëm.

"Ky nuk është një vendim i lehtë, por, siç e kam thënë gjithmonë, Mariupoli nuk është rrugë dhe shtëpi. Mariupoli janë banorët e tij, jemi ju dhe unë. Detyra jonë kryesore ka qenë dhe mbetet gjithmonë të mbrojmë njerëzit. Në kushtet kur Vendlindja është vazhdimisht nën zjarrin e pamëshirshëm të pushtuesve, nuk ka zgjidhje tjetër veçse të lejojmë banorët, pra ju dhe unë, të largohemi të sigurt nga Mariupoli”, shtoi ai.

Nënkryetari i bashkisë tha se mund të largohen deri në 9,000 njerëz mund të largohen nëse armëpushimi  vazhdon.

"Negociatat e armëpushimit vazhduan gjatë natës. Marrëveshja u vendos vetëm pak orë më parë, u njoftua dhe ne konfirmuam se armëpushimi filloi në orën 9 të mëngjesit me orën lokale. Ne filluam menjëherë procedurën. Kemi rregulluar 50 autobusë dhe mendojmë se 5-6000 njerëz mund të dalin me autobus për në Zaporizhzhia. Njerëzit mund të largohen edhe me makinë private. Ne mendojmë se gjithsej 7-9000 persona mund të ikin me autobus dhe me makinë private, nëse armëpushimi vazhdon”, tha ai.

Ora 09:19
Ukrainasit nuk e braktisin vendin, mbi 66 mijë burra kthehen në Ukrainë për të luftuar

Ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksii Reznikov konfirmoi këtë mëngjes se 66.225 burra ukrainas janë kthyer në shtëpi për të luftuar pushtimin rus.

“Janë kthyer shumë burra nga jashtë për të mbrojtur vendin e tyre.”, tha ai.

"Ukrainas, ne jemi të pathyeshëm.", shtoi ministri.

Mbi 1,000 njerëz kanë mbërritur gjithashtu në Ukrainë nga vende të ndryshme të botë për të luftuar, pas thirrjes së bërë nga presidenti Zelensky.

Ora 09:03
Të shtëna mbi një makinë, forcat ruse vrasin dy persona, mes tyre një 17-vjeçare! Plagosen 4 të tjerë pranë Kievit

Forcat ruse hapën zjarr ndaj një makine në të cilën po udhëtonin civilë në lagjen Bucha, afër Kievit, duke vrarë dy persona. Mes dy të vrarëve, ishte edhe një vajzë vetëm 17 vjeç.

Gazeta “Kiev Independent” shkruan se janë plagosur edhe katër persona të tjerë.

Ora 08:54
Luftë për mbijetesë në Mariupol, qytetarët hynë nëpër qendra tregtare për të gjetur ushqim! Kryebashkiaku: Jemi të shkatërruar, bombardimet nuk kanë fund (VIDEO)

Të rraskapitur, pa ujë dhe pa ushqim, qytetarët e Mariupolit kanë thyer xhamat e një qendre tregtare dhe kanë hyrë brenda për të marrë me vete gjerat më të nevojshme për mbijetesën e familjeve të tyre.

Në një video që është publikuar orët e fundit në media shihen njerëz që vrapojnë nëpër korridoret e qendrës tregtare të dëshpëruar për të gjetur ushqim dhe veshje.

Mariupol është i rraskapitur, qyteti nuk është pushtuar ende, por kryebashkiaku Vadym Boychenko ngre alarmin humanitar.

 "Ne jemi thjesht të shkatërruar. Nuk ka më ujë, nuk ka rrymë, nuk ka ngrohje. Dhe ushqimi po mbaron.", është shprehur ai.

Bombardimet nuk kanë fund”, shtoi ai.

Ora 08:54
Dy qytetet ku Rusia vendos armëpushim të përkohshëm, pse Mariupol dhe Volnovakha janë strategjikisht të rëndësishme?

Mariupol dhe Volnovakha dy qytetet e rëna në duart e forcave ruse sapo kanë nisur një armëpushim të përkohshëm lokal duke lejuar korridoret humanitare. Pse është Mariupol i rëndësishëm? Mariupol,  një qytet port me 450,000 banorë në juglindje të vendit , është i rrethuar nga forcat ruse dhe është vënë nën granatime të rënda. Nëse Mariupol bie, kjo do t'i jepte Rusisë kontrollin e një prej porteve më të mëdha të Ukrainës dhe do të krijonte një korridor tokësor midis Krimesë , të cilën Rusia e aneksoi në 2014 , dhe rajoneve të mbështetura nga Rusia, Luhansk dhe Donetsk.

Po Volnovakha? Ky qytet më i vogël është ndoshta më pak i njohur. Ndodhet në veri të Mariupolit dhe gjithashtu ka pësuar përplasje të rënda që nga fillimi i pushtimit. Qyteti është një vend kyç pasi ndodhet në rrugën midis Mariupolit dhe Donetskut të kontrolluar nga Rusia.

Avancimi i trupave ruse
Ora 08:40
Zelensky flet nga zyra e tij: Çdo dy ditë thonë se kam ikur nga Ukraina, jam këtu! Askush nuk ka ikur askund

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky postoi një video në llogarinë e tij zyrtare në Instagram të premten, duke thënë se ai është ende në kryeqytetin Kiev dhe nuk ka ikur nga vendi.

"Çdo dy ditë dalin informacione se unë kam ikur diku - kam ikur nga Ukraina, nga Kievi, nga zyra ime. Siç mund ta shihni, unë jam këtu në vendin tim, Andriy Borisovich (Yermak) është këtu. Askush nuk ka ikur askund. Këtu Ne jemi duke punuar”, tha Zelensky.

“Na pëlqen vrapimi, por tani nuk kemi kohë për këtë, për ushtrime të ndryshme kardio”, tha ai me shaka.

Ora 08:38
Londër: 4 qytete të rrethuara nga forcat ruse

Qytetet Kharkiv, Chernihiv, Mariupol, Sumy, "janë të gjithë të rrethuar nga forcat ruse". Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Londrës, duke cituar burime të inteligjencës.

Forcat e Moskës "ndoshta po përparojnë drejt qytetit port jugor të Mykolaiv - thonë ata - ekziston mundësia që këto forca të përpiqen të anashkalojnë qytetin për t'i dhënë përparësi përparimit drejt Odesës".

Ora 08:35
Moskë: Depoja e raketave antitank në Zhytomyr është shkatërruar

Ushtria ruse shkatërroi një depo të raketave antitank Javelin dhe Nlow në zonën ukrainase të Zhytomyr, në lindje të Kievit. Kjo është bërë e ditur nga Ministria ruse e Mbrojtjes, e cila ka ripërsëritur se si është bërë më i ashpër rrethimi në qytetin port të Mariupolit.

Ora 07:57
Rusia lejon korridoret humanitare për 2 qytete, ja rregullat që duhet të ndiqen

Ministria ruse e mbrojtjes thotë se korridoret humanitare do të hapen në orën 10:00 me orën e Moskës ditën e sotme në qytetet Mariupol dhe Volnovakha.

“Sot, 5 mars, nga ora 10 e mëngjesit me orën e Moskës, pala ruse shpall një regjim armëpushimi dhe hap korridoret humanitare për daljen e civilëve nga Mariupol dhe Volnovakha”, tha ministria në një deklaratë. Korridoret humanitare dhe rrugët e daljes janë rënë dakord me palën ukrainase.

Këshilli i qytetit të Mariupol njofton se armëpushimi do të zgjasë nga ora 09:00-16:00 me orën lokale, ndërsa evakuimi i civilëve do të fillojë në orën 11:00 me orën lokale.

Rruga e korridorit është nga Mariupol në Zaporizhzhia, një qytet në perëndim

Autobusët do të nisen nga tre lokacione në qytet dhe transporti privat do të lejohet gjithashtu të udhëtojë përgjatë itinerarit të dhënë. Udhëtimi larg itinerarit të rënë dakord është rreptësisht i ndaluar

Ora 07:57
Johnson: OKB-ja të mbrojë menjëherë termocentralet e Ukrainës

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se Europa rrezikon një tjetër Çernobil dhe se OKB duhet të mbrojë termocentralet bërthamore në Ukrainë

 "Ne rrezikojmë një tjetër Çernobil në Evropë. OKB-ja mbron menjëherë termocentralet bërthamore në Ukrainë".

Kryeministri britanik foli për "La Repubblica" një ditë pas sulmit shqetësues në centralin bërthamor në Zaporizhzhia.

"Putini është "si Millosheviçi" dhe ka përfunduar në një rrugicë qorre dhe çfarë duhet bërë tani për të shmangur Luftën e Tretë Botërore", tha ai

Ora 06:14
Ministrat e jashtëm të NATO-s diskutojnë krizën në Ukrainë

Ministrat e Jashtëm të NATO-s u takuan në Bruksel të premten për të diskutuar për sulmin rus ndaj Ukrainës, dhe për veprimet e mëtejshme të aleancës përballë agresionit rus. Aleatët e NATO-s hodhën poshtë kërkesën e Ukrainës për krijimin e një zone të ndaluar fluturimesh, duke thënë se aleanca po rrit mbështetjen, por se ndërhyrja direkte do të çonte në një luftë evropiane më të gjerë.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jens Stoltenberg tha në hyrje të takimit të ministrave të jashtëm, se Rusia ka shkatërruar paqen në kontinentin evropian, duke shtuar se “kërcënimi i përhapjes së konfliktit është real”.

Agresioni rus ka krijuar një normalitet të ri për sigurinë evropiane, ku parimet themelore kontestohen përmes përdorimit të forcës. Kërcënimi i konfliktit të përhapur është real. Ne qëndrojmë pranë popullit të Ukrainës dhe qeverisë së saj të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe i bëjmë thirrje Presidentit Putin të ndalojë luftën, të tërheqë të gjitha forcat e tij nga Ukraina dhe të angazhohet me mirëbesim në përpjekjet diplomatike”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u tha gazetarëve se aleanca do të "mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s".

"Çdo aleat në një mënyrë apo tjetër po i vjen në ndihmë Ukrainës. Çdo aleat në një mënyrë apo tjetër po ndihmon në forcimin e vetë NATO-s. Dhe siç tha sekretari i përgjithshëm, e jona është një aleancë mbrojtëse. Ne nuk kërkojmë asnjë konflikt, por nëse konflikti vjen tek ne, ne jemi gati për të dhe do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha sekretari Blinken.

Aleatët e NATO-s hodhën poshtë kërkesën e Ukrainës për një zonë të ndaluar për fluturime të premten duke thënë se aleanca po rrit mbështetjen, por se ndërhyrja direkte do të çonte në një luftë evropiane më të gjerë, edhe më brutale, që deri më tani është e kufizuar me sulmin e Rusisë ndaj fqinjit të saj.

“Ne nuk jemi pjesë e këtij konflikti dhe kemi përgjegjësinë të sigurojmë që ai të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës, sepse kjo do të ishte edhe më shkatërruese dhe më e rrezikshme”, tha në një konferencë shtypi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u ka bërë thirrje fuqive perëndimore që të zbatojnë një zonë ndalim-fluturimi që nga fillimi i agresionit të Moskës nëntë ditë më parë, me Rusinë që po bombardon qytetet dhe i ka çuar luftimet në termocentralin më të madh bërthamor të Evropës.

“Ne e kuptojmë dëshpërimin, por besojmë gjithashtu se nëse e bënim këtë, do të përfundonim ndoshta në një luftë të plotë në Evropë, duke përfshirë shumë më shumë vende dhe duke shkaktuar shumë më tepër vuajtje”, tha Stoltenberg në konferencën për shtyp.

Anëtarët e NATO-s kanë dërguar armë në Ukrainë, por nuk u përballën me veprime ushtarake që do t'i vinin ata në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Duke përshëndetur hapjen e një hetimi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, sekretari Stoltenberg tha se presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij bjellorus Alexander Lukashenko do të duhet të mbahen përgjegjës për çdo krim lufte të kryer gjatë konfliktit./ VOA

Ora 06:00
Singapori i bashkohet shumicës, vendos sanksione kundër Rusisë

Singapori njoftoi një listë sanksionesh kundër Rusisë, mes të cilave përfshihet kontrolli i eksportit të artikujve strategjikë dhe masa financiare.

"Ne do të vendosim kontrolle të eksportit për artikujt që mund të përdoren drejtpërdrejt si armë për të shkaktuar dëm ose për të nënshtruar ukrainasit, si dhe artikuj që mund të kontribuojnë në operacionet sulmuese kibernetike," tha ministria e jashtme e Singaporit në një deklaratë.

Sanksionet

Dogana e Singaporit do të refuzojë të gjitha aplikimet për leje në Rusi që përfshijnë të gjitha artikujt e listuar si mallra ushtarake, elektronikë, kompjuterë dhe "Siguria e Telekomunikacionit dhe Informacionit".

Të gjitha institucionet financiare në Singapor do të ndalohen të kryejnë transaksione ose të krijojnë marrëdhënie biznesi me institucionet kryesore financiare ruse, duke përfshirë VTB Bank, VEB.RF, Promsvyazbank dhe Bank Rossiya.

Singapori do të ndalojë transaksionet ose lehtësimin e mbledhjes së fondeve për qeverinë ruse dhe Bankën Qendrore të Rusisë ose çdo subjekt në pronësi të tyre.

Singapori do të ndalojë ofrimin e shërbimeve financiare në rajonet separatiste të Donetsk dhe Luhansk në sektorin e transportit, telekomunikacionit dhe energjisë.

Ofruesve të shërbimeve të shenjave të monedhave dixhitale u ndalohet të lehtësojnë çdo transaksion "që mund të ndihmojë në anashkalimin e këtyre masave financiare".

Ora 05:42
Pentagoni: Rusia ka lëshuar 500 raketa mbi Ukrainën që nga fillimi i luftës

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se Rusia ka lëshuar 500 raketa gjatë pushtimit të Ukrainës.

Kjo shifër e raketave të lëshuara nga ushtria e Putin është bërë e ditur nga një zyrtar i Pentagonit.

Ora 05:33
Shpërndahen 70% e armëve nga paketa prej 350 milionë dollarësh e SHBA për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara kanë dorëzuar rreth 70% të armëve të parashikuara në paketën prej 350 milionë dollarësh të miratuar nga Joe Biden për të ndihmuar Ukrainën, raporton Neë York Times.

Armët mbërritën në Poloni dhe Rumani dhe më pas u dërguan, me rrugë tokësore, në Ukrainën perëndimore për t'u shpërndarë në të gjithë territorin.

Shefi i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të SHBA, Mark Milley inspektoi operacionin e transferimit të armëve gjatë një vizite të papritur gjatë së cilës ai u takua me trupa dhe personel nga 22 vende që punonin për shkarkimin e armëve për transferimin e tyre nga toka tek forcat ukrainase.

Ora 05:08
Moska dëshiron të punësojë 1000 mercenarë në Ukrainë

Rusia synon të vendosë deri në 1000 mercenarë në Ukrainë në ditët dhe javët në vijim, raporton CNN, duke cituar burime të inteligjencës, sipas të cilave Shtetet e Bashkuara tashmë kanë "disa indikacione" se grupe mercenarësh mund të përfshihen në pushtimin rus.

Ora 04:58
Kryetari i Mariupolit: Jemi nën një rrethim të pamëshirshëm, të krijohet një korridor humanitar për civilët

Në një mesazh në Telegram, kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadim Boitchenko, tha se qyteti po kalon një rrethim "të pamëshirshëm" dhe bombardime të vazhdueshme. Ai bëri thirrje për krijimin e korridoreve humanitare.

“Ne po kërkojmë zgjidhje për problemet humanitare dhe të gjitha mënyrat e mundshme për ta nxjerrë Mariupolin nga bllokada”, shkroi ai.

Ora 04:45
OKB: Më shumë se 1.2 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina që prej fillimit të luftës

Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, që nga e enjtja e kaluar më shumë se 1.2 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina.

Nga 1,209,976 refugjatë që kanë ikur, më shumë se gjysma kaluan në Poloni.

Të tjerë shkuan në vende të tjera fqinje, duke përfshirë Hungarinë, Sllovakinë, Moldavinë dhe Rumaninë.

Harta e vendeve ku janë shpërndarë refugjatët Ukrainas

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • BENI: 05/03/2022 20:17

    EDHE MUND te kursehej ,,,jo te vritej ,,,te perjashtohej nga delegacioni.....eshte njeri,,,jeta nuk kthehet me ,,,,bindjet ndryshojne...

    Përgjigju
  • LORA: 05/03/2022 16:20

    Kur Rezistenca Irlandeze e neutralizoi pothuaj tere rrjetin e spiuneve brenda tyre,,,, atehere britaniket u dorezuan,,,u ulen ne bisedime dhe pranuan shkeputjen e Irlandes,por aneksuan Irlanden e Veriut. Respekt per inteligjencen ukrainase,,,gjakprishurit ne lufte duhen qeruar pa meshire.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Xhenova/ Nuk pranonte të ndahej, shqiptari dhunon barbarisht të dashurën italiane dhe i thyen hundën! Policia e arreston 35-vjeçarin

Xhenova/ Nuk pranonte të ndahej, shqiptari dhunon barbarisht të dashurën italiane dhe i thyen hundën! Policia e arreston 35-vjeçarin