Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, tha në Samitin e Diasporës se duhet të forcohet bashkëpunimi mes dy vendeve lidhur me emigrantët. Ai theksoi se janë 5 vende ku dominojnë emigrantët shqiptarë, ku në SHBA, Greqi e Itali ka numër më të lartë të atyre që vijnë nga Shqipëria, kurse në Gjermani e Zvicër mbizotërojnë shqiptarët e Kosovës.
Konjufca renditi 3 detyra që pritet të realizohen në vitet në vijim si financimi i mësuesve për të ruajtur shkollën shqipe në këto vende, rrjetëzim dhe gjetjen e një rruge për të rikthyer emigrantët në vendlindje jo vetëm si vizitë.
“Unë mendoj që arritja më e madhe do të ishte sikur së bashku me Shqipërinë, të mund të arrinim në këto shtete të dërgonim një numër të madh të mësimdhënësve që financiarisht mbulohen nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës që bashkërisht mirëmbajnë shkollën shqipe në vende e qytete ku është e përqendruar mërgata.
Rrjetëzimi i mërgatës sonë, shumë projekt i rëndësishëm. Ne duhet të krijojmë ombrella të përbashkëta të të gjitha organizatave dhe shoqatave shqiptare. Na kanë ndihmuar shumë, por nëse duam ta ngrejmë përfaqësimin shqiptar dhe politizimin e mërgatës në kuptim shtetëror, është politizm pozitiv që na duhet.
E treta, duhet ta lidhim mërgatën me vendin dhe kur jemi këtu mendoj që e kemi kaluar tashmë fazën folklorike të dimensionit të identitetit shqiptar. Ajo mirëmbahet në familjet tona, por për t’u kthyer këtu duhet diçka shtesë vetëm prej emocionit që na shkakton ndjenja e të qenit shqiptarë. Ajo nuk mjafton. Ajo të bën vizitor një herë, dy ose tri herë në vit, por për të parë një perspektivë pas 30 vjetësh që ke jetuar në SHBA dhe të kthehesh në Shqipëri, duhet diçka më shumë. Këtë duhet ta zbulojmë së bashku”, tha Konjufca.
Lajmi kryesor:
Diaspora në Tiranë/ Rama: Bëhuni pjesë e rrugës drejt BE, projekt i madh sa amaneti i të parëve! Ju përmbushëm të drejtën e votës (VIDEO)











