Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim një delegacion të grupit parlamentar të miqësisë Kore e Jugut-Shqipëri.

Gjatë bisedës me anëtarët e Asamblesë Kombëtare Koreane, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e lidhjes ndërparlamentare midis dy vendeve për të forcuar dialogun politik, partneritetet ekonomike, si edhe marrëdhëniet ndërnjerëzore midis dy vendeve.

Presidenti Begaj përgëzoi deputetet koreanë për kontributin e dhënë përmes grupit parlamentar të miqësisë duke inkurajuar forcimin e këtij bashkëpunimi.

Shkëmbimet në këtë nivel, vlerësoi Begaj, shërbejnë për forcimin e besimit politik duke hapur dyert për bashkëpunime në fusha të rëndësishme me interes të ndërsjellë midis dy vendeve.