Liga e Kombeve/ Shqipëria mposhtet 1-2 nga Ukraina në Tiranë, Kombëtarja mbyll Grupin B1 në vendin e fundit dhe rrëzohet në Ligën C

Liga e Kombeve/ Shqipëria mposhtet 1-2 nga Ukraina në Tiranë, Kombëtarja mbyll Grupin B1 në vendin e fundit dhe rrëzohet në Ligën C

Kombëtarja gjatë himnit, Shqipëri 1-2 Ukrainë

FT/ Shqipëri 1-2 Ukrainë (Bajrami 75' (p) / Zinchenko 5', Yaremchuk 10')

TIRANË - Kombëtarja shqiptare e futbollit u mposht 1-2 në Tiranë nga Ukraina dhe në sezonin e ri të Nations League do luajë në Ligën C, duke e mbyllur Grupin B1 me shtatë pikë në vendin e fundit.

Me 21 mijë tifozë në "Air Albania", të besuarit e Sylvinhos pësuan dy gola në dhjetë minutat e para të sfidës dhe "u rrëzuan në tapet" nga ana psikologjike, duke mos dhuruar asgjë nga cilësitë që lojtarët kanë në mendje e këmbë.

Me brazilianin që hodhi nga minuta e parë Asanin dhe Muçin në mbështetje të Dakut, kuqezinjtë u panë jo në ekuilibër dhe lëshuan terren pas vetëm pesë minutave. Pas një aksioni të rrjedhshëm, Zinchenko me një të majtë nga jashtë zone ia ndali sferën në rrjetë Strakoshës.

Kur u mendua ringritja e tanëve, një krosim nga e majta e sulmit pa Mitajn të mos e largonte topin si duhej dhe Konoplya asistoi për Yaremchuk që nuk fali për 0-2.

Goli ishte i rëndë për tanët që panë disa raste sporadike, por pa mundur të ngacmojnë seriozisht portierin Trubin, veç një goditje të Muçit nga jashtë zone në fundin e pjesës së parë.

Fraksioni i dytë pa në fushë Uzunin dhe Bajramin, me lojën që kishte karakter më sulmues. Për fat të keq në të 49 minutë Muçi la fushën i dëmtuar, vend që u zu nga Hoxha.

Duhej minuta e 75 që Uzuni të fitonte një 11 metërsh, i kthyer në gol nga Nedim Bajrami. Paçka atmosferës dhe motivit pas golit, tanët nuk mundën të barazonin dhe humbën një ndeshje ku edhe një pikë vlente, duke parë fitoren 2-1 të Çekisë kundër Gjeorgjisë.

Kështu, Shqipëria ka bërë një edicion për t'u harruar dhe me shtatë pikë e mbyll grupin në vendin e fundit, ku sheh para vetes Gjeorgjinë që shkon në ndeshjen shtesë për mos u rrëzuar nga Liga.

Ndërkohë Çekia me 11 pikë merr kreun dhe ngjitet në Ligën A, gjë që do e tentojë në play-off edhe Ukraina si e dyta e grupit me tetë pikë.

Komentet e rëndësishme:

90+5' Mbyllet 1-2 ndeshja në Tiranë. Kombëtarja rrëzohet në Ligën C si e fundit e Grupit B1 me shtatë pikë.

90' Pesë minuta shtesë.

89' Zëvendësimi i fundit te Shqipëria. Seferi merr vendin e Laçit.

87' Ukraina rrezikon me Nazarenko, gjuajtja ndalet nga portieri Strakosha.

78' Nedim Bajrami merr një top të shkëlqyer nga Asllani, por gjuajtja devijohet dhe shkon jashtë.

77' Largohet nga fusha Ramadani dhe në vendin e tij futet Tuci, ekip sulmues nga Sylvinho.

75' Nedim Bajrami nuk gabon nga penalltia, duke mposhtur portierin Trubin. Shqipëri 1-2 Ukrainë, rihapet ndeshja.

58' Uzuni provon me të majtën, por gjuajtja nuk ka koordinatat e duhura dhe shkon jashtë.

49' Ernest Muçi i pafat. Dëmtohet dhe lë fushën e lojës. Në vend të tij Hoxha.

46' Pjesa e dytë nis me dy zëvendësime te Shqipëria. Uzuni dhe Bajrami në fushë, marrin vendin e Dakut dhe Asanit.

45+1' Mbyllet 0-2 pjesa e parë.

45' Ernest Muçi i afrohet supergolit pas një lëvizje të bukur jashtë zone, por gjuajtja shkon ngjitur me shtyllën.

40' Mudryk shpërdoron një rast të mirë pranë portës së Strakoshës, duke gjuajtur jashtë.

26' Strakosha i mohon golin e tretë Ukrainës. Portieri i Shqipërisë reagon mirë ndaj gjuajtjes së Sudakov.

25' Qazim Laçi i afrohet golit. Mesfushori provon me një gjuajtje të fortë në zonë, por topi gjen rrjetën e jashtme.

18' Mundësi e mirë për kuqezinjtë. Daku merr një top në mesfushë dhe pason për Muçin, por ky i fundit bllokohet nga Zinchenko në zonë.

10' Miqtë e nisin takimin vrullshëm me dy gola të shpejtë. Yaremchuk nuk fal në zonë me kokë, duke mposhtur sërish Strakoshën

5' Aksion i bukur nga miqtë, Zinchenko mposht Strakoshën me të majtën. Ukraina në avantazh.

1' Nis ndeshja në 'Air Albania'.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Balliu, Ismajli, Ajeti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laçi; Asani, Muçi, Daku Trajner: Sylvinho

Ukraina (4-1-4-1): Trubin; Mykolenko, Matviyenko, Zabarnyi, Konopia; Kaliuzhnyi; Mudryk, Sudakov, Zinchenko, Hutsuliak; Yaremchuk Trajner: Sergiy Rebrov

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:52
'Nuk mund të pësosh dy gola për 10 minuta në shtëpi', Asllani: Ne vraponim bosh, këta luanin futboll

1731795860_kristjanasllani.JPG

Kristjan Asllani foli pas humbjes 1-2 të Kombëtares kundër Ukrainës dhe rrëzimit nga Liga B në atë C të Ligës së Kombeve.

“Kemi hyrë në fushë shumë keq, se nuk mund të pësosh dy gola në shtëpi pas 10 minutash. Janë gjëra që ndodhin në futboll. Shpresoj të mos shkonte kështu ndeshja. Në pjesën e parë ishim në vështirësi, kur nuk kishim topin besoj se kemi bërë ndeshjen më të keqe se kemi pasur shumë probleme.

Në pjesën e dytë kemi ndërruar modul, ishim lart me presing, ndeshja ndryshoi. Donim pikët sot, sidomos të merrnim fitoren e nëse nuk vinte të paktën një pikë. Por futbolli është kështu dhe do të përmirësohemi.

Nuk na tha gjë në pushim trajneri, ndryshoi mënyra si të shkosh te kundërshtari se kishim shumë probleme në pjesën e parë, ata ishin gjithmonë të lirë, vrapuam bosh. Në pjesën ë dytë shkuam gati një kundër një dhe ata patën frikë dhe gjynah që nuk morëm një pikë të paktën.

Këto janë ndeshje të ndryshme, nuk mund të flitet për një ndeshje njëlloj, Çekia luante me topa të gjatë dhe ishte ekip fizik, këta luanin futboll, kishin lojtarë teknikë. Ne e kishim të vështirë kur ata kishin topin”, tha Asllani për Supersport pas ndeshjes.

Ora 23:44
'Duhet mbështetje nga mesfusha dhe mbrojtja', Tuci: Ndjeva ngërç në një moment


Pas humbjes 1-2 nga Ukraina, vendit të fundit në Grupin B1 dhe rrëzimit në Ligën C të Ligës së Kombeve, foli sulmuesi i Kombëtares, Indrit Tuci.

“Në pjesën e  dytë e ngritëm ritmin e lojës. Fati nuk ishte me ne. Besoj duhet të kemi më shumë mbështetje nga mesfusha dhe mbrojtja. Jemi në Kombëtare, duhet të bëjmë disa gjëra pak më mirë. Ndjeva ngërç në një moment, por jam mirë. Nuk ishte mbrojtje fizike, si ajo e Çekisë. Ishte më mirë e vendosur. Provuam, por ishin shumë të vendosur mirë. Kanë ekip me kualitet dhe është e vështirë t’i çash”, tha Tuci për Supersport.

Ora 23:38
Qazim Laçi: Edhe Ukraina e kishte finale, hera e dytë që pësojmë në fillim


Pas humbjes 1-2 nga Ukraina, mesfushori i Kombëtares Qazim Laçi ngriti alarmin për pësimin e golave në minutat e para.

"Edhe për ata ishte një finale. E kemi filluar pak keq ndeshjen, por pastaj, sidomos në pjesën e dytë, e kishim në kontroll topin dhe aksionet. Kemi krijuar shumë aksione.

Disa herë nuk e krosuam topin ashtu si duhet. Na vjen keq, sepse në pjesën e dytë ishte një lojë që duhet ta mbajmë gjithmonë. Është e dyta herë që pësojmë në minutat e para.

Duhet të futemi në lojë me përqendrim. Të jemi më të përgatitur. Duhet të bënim diçka më herët në pjesën e parë. Por në pjesën e dytë besoj se i dominuam", tha Laçi.

Ora 23:30
Dështimi i Kombëtares dhe rrëzimi në Ligën C, Sylvinho: Gabuam të gjithë, jemi në nivele të larta


Dështimi i Kombëtares 1-2 kundër Ukrainës dhe rrëzimi në Ligën C të Ligës së Kombeve, u komentua për Supersport nga trajneri kuqezi, Sylvinho.

Pse humbëm sot?

Sepse kemi luajtur shumë keq në 15 minutat e para. Pwsuam gol në minutën e 5-të dhe të 10-të. Çmim që duhet paguar, është nivel i lartë në të cilin po luajmë.

Kush gaboi në pjesën e parë?

Vitin e kaluar ne jemi kualifikuar në Euro 2024 duke qenë në vendin e parë. Për arsye të diferencës së golave jemi në vendin e katërt. Kjo është diçka që iu përket të gjithëve.

Pësuam dy gola shumë të thjeshtë…?

Na ka ndodhur dhe me Çekinë një dalje e topit përpara. Ajo që duhet të korrigjojmë është të mos pësojmë gol në minutat e para. Duhet të përmirësohemi dhe të rritemi, sepse sapo kemi kaluar Europianin.

 A mund të ndryshoni taktikisht, jo standard si gjithmonë?

Nuk mendoj që duhet të ndryshojmë modul loje. E kemi ndryshuar shpesh nga 4-3-3 në 4-2-3-1. Ne e pamë që në pjesën e dytë Ukraina u tërhoq më tepër dhe ne kishim mundësi për të dalë më para dhe kishim mundësi për të luajtur me një tjetër sulmues.

Aktivizimi i Asanit i sforcuar pasi nuk ishte mirë fizikisht? Zëvendësimi i Dakut?

Përsa i përket Asanit, ai pati një problem të vogël me Çekinë pasi kemi bërë rezonancë magnatike kishte dëmtim të vogël. Pasi kam biseduar me doktorin dhe lojtarin e kam pyetur nëse ishte i gatshëm për t’u futur në fushë dhe dje është vendosur që ai të ishte titullar. Ndërsa Daku ka qenë një zgjedhje taktike, pasi ishte e vështirë të merrnim topin me forcë. Uzuni luan më mirë në hapësira.

Ora 23:13
Kapiteni Ismajli e pranon: Pjesa e parë më e keqja e 3 viteve të fundit, Juventusi interesohet për mua


Shqipëria e futbollit zhgënjeu dhe humbi 1-2 nga Ukraina, duke u rrëzuar në Ligën C të Ligës së Kombeve. Pas ndeshjes kapiteni Ardian Ismajli pranoi se pjesa e parë ishte më e keqja në tre vitet e fundit që ekipi luante, ndërsa tha se për të interesohet Juventusi në Serie A.

“Pjesa e parë ka qenë ndeshja më e keqe në këto 3 vitet e fundit. Nuk do të kemi gjithmonë fatin nga vetja. Në pjesën e dytë nuk kishim çfarë të humbisnim. Një pjesë e dytë shumë e mirë. Me 1 pikë ishim në “play off”.

Duhet të marrim mësim nga kjo pjesa e parë, që s'kam fjalë. Duhet të mësojmë nga ky gabim shumë i madh. Lodhja ka bërë të vetën. Kur je përballë 20 mijë tifozëve, nuk duhet të ndjejmë lodhje.

E rëndësishme është që në pjesën e dytë provuam. Nuk ia arritëm, por tashmë të shikojmë përpara. Dy golat i morëm shumë shpejt dhe ramë shumë keq. Ishte shumë e vështirë, tentuam të bënim maksimumin. Në pjesën e dytë në patëm çfarë të humbisnim më.

Pjesa e parë më e keqe në këto 3 vite me Shqipërinë. Duhet të mësojmë shumë nga kjo ndeshje. Unë e kam përgjigjen për formacionin, por nuk dua ta jap, jam profesionist, në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka.

E ardhmja? Ka interes nga Juventusi, është e vështirë, por jo e pamundur, shumë shpejt do të vendosim”, deklaroi Ismajli për TV Klan.

Ora 23:11
'Konflikti' për penalltinë, Uzuni: S'e di kush i gjuan, për Kombëtaren rrezikova 2-3 muaj qëndrim jashtë fushe


Myrto Uzuni fitoi penalltinë e kthyer në gol nga Bajrami, me dyshen që u duke se patën një mosmarrëveshje se cili do godiste. Pas humbjes së Shqipërisë 1-2 nga Ukraina dhe rrëzimit në Ligën C, Uzuni tregoi mërzinë e tij ndërsa zbuloi se për Kombëtaren ka rrezikuar 2-3 muaj jashtë fushe.

“Normal që po pasi e kemi nisur ndeshjen shumë keq. Jemi të gjithë të mërzitur për këtë humbje. Unë dua gjithmonë të shënoj. Edhe tek ekipi i Granadës i ekzekutoj unë penalltitë. Doja ta merrja topin dhe të shënoja, të zhbllokohesha.

Nuk jam shumë i sigurtë që kush do i gjuaj penalltitë në kombëtare. Numrat janë ato që janë, kur vij në Kombëtare trajneri nuk më jep atë hapësirë që jam. Granada ka kërkuar që unë të mos luaj pasi rrëzikoj 2-3 muaj dëmtim dhe qëndrim jashtë fushe, por kur rezultati ishte 2-0, trajneri më kërkoi dhe unë pranova të luaj”, tha Uzuni për Supersport.

Ora 23:01
Humbja e hidhur, Arbër Hoxha: Goli i parë na rrëzoi moralisht


Humbja 1-2 e Shqipërisë nga Ukraina dhe rrëzimi në Ligën C të Ligës së Kombeve u komentua nga sulmuesi Arbër Hoxha.

“Pjesën e parë nuk u qasëm siç duhej. Ishte një ndeshje e vështirë, në pjesën e dytë dhamë gjithçka për të kthyer rezultatin por nuk ia arritëm. Goli i parë na rrëzoi moralin, pastaj pas të dytit u bë shumë e vështirë. Ekipi kundërshtar kishte shumë kualitet. Trajneri na motivoi shumë, dhamë gjithçka për të kthyer rezultatin, por për fat të keq nuk arritëm të shënonim golin e barazimit”, deklaroi Hoxha për TV Klan.

Ora 22:51
NOTAT/ Kapitullim kuqezi, Balliu dhe Daku mbeten 'në klasë'! Asllani e Strakosha më të vlerësuarit


Humbja 1-2 me Ukrainën në Tiranë e rrëzon Kombëtaren kuqezi në Ligën C të Ligës së Kombeve, me edicionin që në fund rezultoi një dështim, përkundër pritshmërive për t'u ngjitur një ligë më sipër.

Në 90 minutat kundër Ukrainës djemtë e Sylvinhos treguan shumë pak nga cilësitë e tyre dhe më të vlerësuarit sipas "SofaScore" ishin Kristjan Asllani (nota 7.7) dhe Strakosha (nota 7.5). Balliu, Daku dhe Muçi me notën më të ulët.

Notat sipas 'SofaScore'

Ora 21:48
VIDEO/ Ukraina na shënoi dy gola, tifozët e Kombëtares zihen me sigurinë! Ndërhyn policia


Ukraina ndëshkoi me dy gola Shqipërinë në pjesën e parë. Ndeshja e cila luhet në "Air Albania" nuk ka qenë e qetë në sektorin e tifozëve, me ultrasit kuqezinj që janë përplasur një moment me sigurinë private. Për fat asnjë pasojë, me sherrin që u shua pas ndërhyrjes së policisë.

Ora 21:00
Vdiq me thikë në zemër, shokët e Martin Canit për Report Tv: Ishte futbollist i mirë, më tha jam zënë me dikë


Para ndeshjes me Ukrainën në "Air Albania", për gazetarin Ernest Koçi të Report TV folën edhe dy shokët e Martin Canit, 14-vjeçarit që ishte pjesë e Dinamo U-15 dhe mbeti i vrarë me thikë në zemër pas një sherri mes adoleshentëve në Tiranë.

"E kam pasur shok lagjeje, ishte shumë djalë i mirë, rrija në lagje. Ishte djalë që rrinte me shokët dhe nuk ngacmonte njerëzit. Ishte një futbollist shumë i mirë, luante mirë", tha një prej shokëve të Canit.

"Ishte djali më i mirë. Ai foli në telefon me një shok, e priste pasdite, por pastaj nuk e hapi më telefonin. I thashë të mos zihej, shkoi të hënën dhe...", tregoi një tjetër shok i Martinit 14-vjeçar.

Ora 20:46
VIDEO/ 21 mijë tifozë nderojnë Martin Canin, mbahet një minutë heshtje në 'Air Albania': Prehu në paqe


Përpara ndeshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës, që po luhet sot me fillim nga ora 20:45, tifozët në "Air Albania" kanë mbajtur një minutë heshtje. 21 mijë tifozë kanë nderuar 14-vjeçarin Martin Cani që u nda nga jeta të hënën pas një sherri me thika mes bashkëmoshatarëve. I ndjeri ishte pjesë e Dinamos U-15 dhe ëndërronte të bëhej futbollist. "Vrasja s'është pasion, futbolli po. Prehu në paqe Martin", ishte një banderolë e tifozëve.

Ora 20:37
Nga Tuzi dhe Tetova për Kombëtaren, tifozët për Report TV: Biletën e bleva tre muaj më parë, shënon Daku


Para ndeshjes Shqipëri - Ukrainë tifozët e Kombëtares u ndalën për mikrofonin e Report Tv dhe për gazetarin Ernest Koçi thanë se marrim tri pikë. Tre muaj kishte një prej tifozëve që e priste këtë ditë, duke siguruar biletën me kohë.

"Kam ardhur nga Tuzi, kam tre muaj që e kam marrë biletën. Sot do fitojmë", tha tifozi nga Tuzi.

"Po, sot do fitojmë. Shënon Daku dhe fitojmë 2-1. Kam ardhur nga Tetova", vijoi tifozi tjetër.

Ndërkohë që për Report TV folën edhe dy shokët e Martin Canit, 14-vjeçarit që ishte pjesë e Dinamo U-15 dhe mbeti i vrarë me thikë në zemër pas një sherri mes adoleshentëve në Tiranë.

"E kam pasur shok lagjeje, ishte shumë djalë i mirë, rrija në lagje. Ishte djalë që rrinte me shokët dhe nuk ngacmonte njerëzit. Ishte një futbollist shumë i mirë, luante mirë", tha një prej shokëve të Canit.

"Ishte djali më i mirë. Ai foli në telefon me një shok, e priste pasdite, por pastaj nuk e hapi më telefonin", tregoi një tjetër shok i Martinit 14-vjeçar.

Ora 20:22
Ervin Bulku zbulon pse luan Muçi dhe jo Bajrami: Kemi marrë masat për të mbuluar Mudryk


Para ndeshjes kundër Ukrainës, për Supersport foli ndihmëstrajneri i Kombëtares, Ervin Bulku. Ai tha se Nedim Bajrami ka qenë i lodhur dhe Muçi është parë si një alternativë e freskët nga minuta e parë në këtë sfidë. Ndërkohë Bulku thotë se kanë marrë masa për të mbuluar si duhet Mudryk, kundërshtarin që është pjesë e Chelsea.

"Bajrami ka qenë i lodhur dhe sot nuk ishte i gatshëm 100% dhe duhej ta zëvendësonte Muçi. Asani ka qenë i gatshëm në seancat e fundit stërvitore, për këtë Sylvinho vendosi që ta fuste nga minuta e parë. Ukraina është një skuadër shumë e mirë dhe që luan mirë teknikisht.

Sulmi i Ukrainës nga krahët? Nuk mendoj që do të mbrojnë vetëm Asani dhe Balliu, kemi lojtarë të tjerë. Mudryk është një nga më të shpejtët dhe di të bëjë shumë mirë, por jemi munduar të marrim masat dhe t’i japim udhëzime lojtarëve. Po ashtu dhe Ramadani që do të jetë afër tyre.

Pozicioni i Muçit? Po ta shikosh në ndeshjet që janë luajtur më parë, dihet që Muçi ka cilësi teknike si Bajrami dhe pak a shumë janë të njëjta. Por gjithçka varet si do të përshtatet gjatë lojës dhe si do të shkojë. Është lojtar i rëndësishëm për Kombëtaren. Ne gjithmonë mundohemi që të fusim në fushë lojtarët që ndihem më mirë fizikisht. Nëse s’ndihesh mirë fizikisht, është e vështirë që të bësh maksimumin në fushë", tha Ervin Bulku.

Ora 19:31
Formacionet zyrtare/ Sylvinho befason me Muçin në sulm, Asani nga minuta e parë! Ismajli kapiten

Trajnerët Sylvinho dhe Sergiy Rebrov kanë bërë me dije edhe formacionet zyrtare për sfidën mes Shqipërisë dhe Ukrainës, e cila luhet sot në orën 20:45 në 'Air Albania'. Jasir Asani ka lënë pas lëndimin dhe e nis ndeshjen nga minuta e parë. Krah shkupjanit edhe Muçi, që do mbështesin Dakun e rikthyer nga pezullimi.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Balliu, Ismajli, Ajeti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laçi; Asani, Muçi, Daku Trajner: Sylvinho

Ukraina (4-1-4-1): Trubin; Mykolenko, Matviyenko, Zabarnyi, Konopia; Kaliuzhnyi; Mudryk, Sudakov, Zinchenko, Hutsuliak; Yaremchuk Trajner: Sergiy Rebrov

Ora 19:19
Mario Mitaj para ndeshjes: Duhet të sulmojmë më shumë


Kombëtarja ka mbërritur në "Air Albania". Para ndeshjes me Ukrainën për TV Klan, mbrojtësi Mario Mitaj kërkoi lojë sulmuese. Ai do luajë nga minuta e parë këtë mbrëmje.

“Duhet ta mbajmë pikën e fortë që kemi në mbrojtje, po duhet të dalim edhe më shumë në sulm, duhet të krijojmë më shumë raste sepse goli kështu realizohet. Nuk varet vetëm prej nesh, sepse është edhe ndeshja e Çekisë dhe Gjeorgjisë. Thjesht ne të mendojmë për ekipin tonë, të futemi të përqendruar dhe ta fitojmë këtë ndeshje”, tha Mitaj.

Ora 18:50
Gjithçka gati për Ukrainën, brenda dhomës së zhveshjes së Kombëtares në 'Air Albania' (VIDEO)


Gjithçka në "Air Albania" duket gati për Shqipëri - Ukrainë. Në dhomat e zhveshjes uniformat e lojtarëve janë në vendet e tyre, me Kombëtaren që do luaj me ngjyrat kuqezi mbrëmjen e sotme.

 

Ora 18:40
VIDEO/ Flakadanë dhe këngë patriotike, Tirana ndizet nga tifozët e Kombëtares! Situatë festive në kryeqytet


Edhe pse reshjet e shiut kanë filluar në Tiranë, moti nuk i ka trembur tifozët e Kombëtares që janë grumbulluar dhe nisur drejt "Air Albanias". Në 20:45 fillon Shqipëri - Ukrainë dhe kryeqyteti është veshur kuqezi, me këngë patriotike, festë dhe flakadanë. Edhe këtë herë tifozët e Kombëtares nuk e kanë lënë vetëm ekipin dhe në stadium pritet që numri i tyre të jetë më shumë se 21 mijë.

Ora 17:04
Sot Shqipëri - Ukrainë, një minutë heshtje për vrasjen e Martin Canit

1731967591_martincani.jpg
Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me UEFA-n kanë vendosur që para ndeshjes Shqipëri - Ukrainë të ketë një minutë heshtje.

Kjo vjen në nderim të 14-vjeçarit Martin Cani, i cili ndërroi jetë të hënën pas një sherri me bashkëmoshatarët. Cani ishte pjesë e Dinamo U-15.

Ora 16:01
Përballja me Ukrainën, Sylvinho dërgon në tribunë katër futbollistë

1731781923_kombetarjashqiptare.jpg
Katër futbollistë që kanë qenë në grumbullim me Kombëtaren nuk do munden të jenë në fushë, pasi Sylvinho i ka dërguar në tribunë. Simon Simoni, Adrian Bajrami, Feta Fetai dhe Andi Hadroj nuk do jenë të gatshëm sot.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • demir: 20/11/2024 10:00

    Pse nuk u fut në formacion Duka i droges....

    Përgjigju
  • Alb: 20/11/2024 09:01

    Edhe nje herë si perhere. Lojë e shkëlqyer permiresuar në mynyre spektakolare, por fati i keq na ndëshkoi edhe këtë herë si përherë.

    Përgjigju
  • LigaC: 19/11/2024 22:47

    Tani po do luajme me San Marinon, Azerbajxhanin dhe Moldavine dhe Silvinjos me ne fund do ti dali lepuri nga barku...

    Përgjigju
  • Ali: 19/11/2024 22:41

    Gezuare diten e flamurite

    Përgjigju
  • Praga: 19/11/2024 21:36

    Fusni ore Indrit Tuci , super lojtar 2 metra se do ju mundin 5/0

    Përgjigju
  • Alb: 19/11/2024 21:15

    Shqiptare si ke me u vra me njeritjetrin. Dhe me kontribu per boten

    Përgjigju
  • Emi: 19/11/2024 21:08

    Shqiptaret i ke per boten. Se per shqipnin zero. I madhe e i vogule

    Përgjigju
  • Takmaku: 19/11/2024 17:17

    Un shoh dy gabime te perhereshme tek KOMTARJA 1-Portieri jone ne topat e larte dhe korrne ne ajer ne afersi 7 metra perse nuk del me largu topin dhe rrezikun???? 2-Lojtaret tane nuk e godasin porten me gjuajtje nga larg kur dihet qe kundershtari nuk te lejon te bash CICMIC ne zonen e vet.Kto dy probleme me acarojne shume!!!!

    Përgjigju
  • redi: 19/11/2024 16:43

    Sit pa U zuni dhe Mucin Selvinho nuk futon bile mungesa e lint are e sulmues mund te kete rezultat negativ

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit