Kombëtarja shqiptare e futbollit luan të martë në 18:00 kundër Bullgarisë në "Air Albania", me sfidën që është një miqësore dhe vjen disa ditë pas fitores 3-0 që kuqezinjtë siguruan po në Tiranë kundër Çekisë për grupin E të Euro 2024.
Për takimin miqësor, trajneri Sylvinho do ketë disa mungesa për shkak të dëmtimeve. Kështu, pas Ismajlit dhe Brojës, edhe Mirlind Daku me Keidi Baren nuk do jenë pjesë e ekipit, duke lënë dje grumbullimin. Në vend të tij trajneri ka grumbulluar për të parën herë në ekip Marvin Çunin, sulmuesin e Frosinones në Serie A.
Për duelin kundër bullgarëve pritet të ketë rotacion në skuadër. Strakosha duket i sigurt në portë nga minuta e parë, teksa mbrojtja do përbëhet nga Balliu, Veseli, Mihaj dhe Mitaj. Gjasula, Laçi dhe Muja në mesin e fushës, për t'i lënë vend Muçit, Uzunit dhe Cikalleshit në sulm.
Formacioni i mundshëm:
Shqipëria: Strakosha, Balliu, Veseli, Mihaj, Mitaj, Gjasula, Laçi, Muja, Muçi, Uzuni, Cikalleshi Trajner: Sylvinho