Testet parasezonale të Formula 1 në Bahrein u mbyllën këtë të premte me dominimin e Ferrari, ndërsa protagonisti absolut i ditës së fundit ishte Charles Leclerc.
Piloti nga Monaco regjistroi kohën më të shpejtë, 1:31.992, duke lënë ndjeshëm pas rivalët. Kampioni i botës Lando Norris u rendit i dyti me 0.879 sekonda më shumë, ndërsa vendi i tretë i takoi Max Verstappen me +1.117 sekonda.
Probleme pati Mercedes në sesionin e mëngjesit me makinën e Andrea Kimi Antonellit, ndërkohë që pasdite George Russell u pozicionua i katërti, 1.924 sekonda më i ngadaltë se Leclerc.
Përmirësime treguan Alpine dhe Haas me Pierre Gasly dhe Oliver Bearman respektivisht në vendin e pestë dhe të gjashtë, të ndjekur nga piloti i Audi, Gabriel Bortoleto. Antonelli e mbylli ditën në vendin e tetë, ndërsa dhjetëshen më të mirë e plotësuan Arvid Lindblad dhe Carlos Sainz.
Vështirësitë vijojnë për Cadillac, me Valtteri Bottas dhe Sergio Perez në fund të renditjes. Ndërkohë, ditë për t’u harruar për Aston Martin; skuadra e drejtuar për herë të parë nga Adrian Newey realizoi vetëm gjashtë xhiro pa kohë të regjistruar, për shkak të problemeve me baterinë dhe mungesës së pjesëve këmbimi.
Komente






