Michael Schumacher, legjenda e Formula 1 dhe shtatë herë kampioni i botës, kryeson renditjen e pilotëve më të paguar në historinë e këtij sporti. Sipas 'Racing News 365', pasuria neto e ish-pilotit gjerman vlerësohet rreth 790 milionë dollarë, ose mbi 670 milionë euro me kursin aktual të këmbimit.
Gjatë një karriere të jashtëzakonshme në Formula 1, Schumacher regjistroi 91 fitore dhe fitoi shtatë tituj kampion bote, duke vendosur standarde që për shumë vite u konsideruan të paarritshme. Emri i tij mbetet një simbol i dominimit dhe suksesit në motorsport.
Pas tërheqjes nga garat, Schumacher pësoi një aksident të rëndë gjatë skijimit në Meribel të Francës (2013), pas të cilit qëndroi për disa muaj në koma të shkaktuar nga mjekët. Gjendja e tij shëndetësore vazhdon të mbahet rreptësisht konfidenciale nga familja.
Në vendin e dytë të listës renditet Lewis Hamilton, gjithashtu shtatë herë kampion bote në Formula 1, me një pasuri neto të vlerësuar rreth 304 milionë dollarë (mbi 258 milionë euro). Ndërsa podiumi plotësohet nga Fernando Alonso, piloti spanjoll që aktualisht garon për Aston Martin, me një pasuri neto prej rreth 264 milionë dollarësh (mbi 224 milionë euro).
Komente




