29 dhjetori i vitit 2013 mbetet një nga datat më të dhimbshme në historinë e sportit motorik. Që prej aksidentit të rëndë me ski në Méribel, legjenda e Formula 1, Michael Schumacher, është larg syrit të publikut, i rrethuar nga kujdesi i familjes dhe një privatësi e hekurt.
Shtatë herë kampioni i botës, i cili mbushi 56 vjeç në janar, vijon të jetojë larg vëmendjes mediatike, ndërsa gjendja e tij shëndetësore mbetet një çështje që familja ka zgjedhur ta mbajë plotësisht të fshehtë.
Gazetari britanik Craig Scarborough, një emër i njohur që ka ndjekur për dekada botën e Formula 1, ka zbuluar për 'The Sun' se 'sipas burimeve shumë pranë ish-pilotit, Schumacher nuk do të bëjë më paraqitje publike'. Gjendja e tij përshkruhet si e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa heshtja mbetet një zgjedhje e vetëdijshme e familjes.
Ish-drejtuesi i Benetton, Flavio Briatore, njeriu që i hapi dyert gjermanit drejt lavdisë në Formula 1, ka theksuar se preferon ta kujtojë Schumacherin me buzëqeshjen e fitoreve.
Ndërkohë, një nga miqtë e tij më të afërt, Jean Todt, ka konfirmuar se vazhdon ta vizitojë dhe të ndjekë garat e Grand Prix së bashku me të në televizor, një lidhje që tregon se kampioni mbetet i lidhur me sportin që e bëri legjendë.
Në dokumentarin e vitit 2021 kushtuar jetës së tij, bashkëshortja Corinna Schumacher foli me dinjitet për realitetin e përditshëm, terapitë, praninë e pandërprerë dhe përkushtimin për të ruajtur unitetin familjar, një mburojë dashurie që e ka mbajtur larg zhurmës së botës.
Komente






