Punonjësit e Policisë së Shtetit do të plotësojnë një tjetër formular në kuadër të lidhjeve apo kontakteve me krimin e organizuar. Drejtuesi Muhamet Rrumbullaku firmosi urdhrin, ndërsa procesi i plotësimit të formularit për çdo punonjës do të zgjasë deri më 30.06.2024.

Rrumbullaku thotë se është prioritet procesi i pastrimit të policisë nga ata persona që shkelin ligjin dhe betimin. Ai thekson se askush që cenon besnikërinë ndaj uniformës së shenjtë të Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend në strukturat e saj.

“Integriteti i shëndoshë i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe pastrimi i strukturave nga elementë brenda nesh, të cilët shkelin ligjin dhe betimin, është një proces prioritar dhe i rëndësishëm. Askush që cenon besnikërinë ndaj uniformës së shenjtë të Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend në strukturat e saj. Kam bindjen e plotë se, organizata e Policisë së Shtetit ka forcën dhe energjinë e duhur pozitive për të izoluar dhe larguar nga radhët e saj çdokënd, që devijon nga misioni i ruajtjes së rendit e sigurisë publike dhe lufta e pakompromis ndaj krimit”.

Kush pranon se ka lidhje me krimin do të largohet nga puna, por në të kundërt nëse vërtetohet se kanë gënjyer, sërish efektivët do të jenë më pjesë e Policisë së Shtetit.

Më parë punonjësit e policisë iu nënshtruan plotësimit të një formulari në lidhje me përdorimin e aplikacionit Sky Ecc.

Pyetjet në formularin e vetëdeklarimit “Mbi verifikimin e integritetit të punonjësve të strukturave në Policinë e Shtetit”:

1) A jeni dënuar me vendim të formës së prerë nga autoritetet gjyqësore shqiptare ose të huaja?

2) A keni kryer shkelje sigurie, a keni shkelur rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, a keni tentuar dhe keni arritur të kryeni aktivitet të paautorizuar në sistemet e komunikimit të informacionit të klasifikuar?

3) A keni në hetim ose gjykim nga autoritetet shqiptare ose të huaja, për vepra penale?

4) A keni qenë i ndaluar ose arrestuar nga organet ligjzbatuese shqiptare ose të huaja, për vepra penale?

5) A është caktuar ndaj jush ndonjëherë masë shtrënguese e sigurisë personale?

6) A është lëshuar ndaj jush urdhër kërkimi kombëtar ose ndërkombëtar për vepra penale?

7) A keni pasur kontakte të papërshtatshme, komunikime elektronike, ose çfarëdolloj mënyre tjetër takimi apo komunikimi të qëllimshëm, me persona të përfshirë në krim të organizuar?

8) A keni pranuar apo shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri me persona të përfshirë në krim të organizuar?