LEZHE- Zona e Ungrejt në Lezhë konsiderohet një nga vendbanimet më të lashta ilire bazuar në tumat ilire dhe fortifikimin e Komlikut. Të dhënat e para për këtë fortifikim i përkasin vitit 1932 kur studiuesi Dom Prend Suli përshkroi ekzistencën e mureve rrethuese dhe karakterin mbrojtës duke e identifikuar si një kala të vjetër me funksion ushtarak.

“Muret aktualisht ruhen më mirë në pjesën perëndimore. Ruhen gjurmët e të paktën 10 kullave. Gjatësia e mureve është 60 cm, ndërsa gjerësia e tyre shkon 45 deri në 50 cm. Pra, mbulon një sipërfaqe te konsiderueshme afro dy dynym mjaftueshëm për të krijuar idenë se këtu kemi të bëjmë me një qytet dhe fortifikim, të periudhës së antikitetit, të shekullit të V-IV para Lindjes se Krishtit dhe pikërisht në territorin e fisit Ilir të Pirusve”, tha Paulin Zefi, historian.

Sipas të dhënave të evidentuara në terren, fortifikimi daton në shekullin e V p.e.s, ndërsa gjetjet arkeologjike të periudhës së bronzit dëshmojnë për një histori shumë më të hershme. Megjithatë, datimi i saktë nuk është përcaktuar.

Fortifikimi i Komlikut mbetet një nga zonat më premtuese arkeologjike, por duhen bërë gërmime nga Instituti i Arkeologjisë për ta zbuluar plotësisht.

“Ky është një sit arkeologjik shumë i rëndësishëm, por nga ana tjetër shumë pak i njohur edhe shumë pak i përmendur në literaturë. Ka vetëm tre studime të përcipta që lidhen me këtë fortifikim. Tani lind nevoja që këtu të zhvillohen ekspedita arkeologjike dhe krahas tyre në të njëjtën kohë përveç se do zhvillohen ekspedita arkeologjike brenda dhe jashtë mureve fortifikuese duhet të zhvillohet ekspedita arkeologjike edhe pranë këtij fortifikimi. Sepse këtu ndodhet nekropoli i antikitetit dhe që është përdorur edhe në antikitetin e vonë”, theksoi ai.

Historiani thekson se vetëm përmes studimeve shkencore ky sit mund të marrë statusin e merituar “monument kulture”.