FORUM: In memoriam

FORUM: In memoriam
PIRO MISHA: Është një nga ato ngjarje që të lënë pa gojë, që e ke tepër të vështirë t'i pranosh, që të lënë pas një zbrazëtirë dëshpëruese që vështirësisht mund të shlyhet. Pas kaq e kaq betejash që luftoi për të emancipuar shoqërinë shqiptare, për ta bërë atë më të kulturuar, më të lirë, më të pastër, Ardiani zgjodhi t'i jap fund jetës. Një zgjedhje vetjake, e dhimbshme, tepër e dhimbshme, para së gjithash për gjithë njerëzit e dashur që la pas, familjarët, miqtë, dashamirësit e vlerësuesit e tij të shumtë, por që padyshim duhet respektuar, si pjesë e asaj lirie që ai çmonte aq shumë. Por nga ana tjetër, padyshim një këmbanë alarmi për ne të gjithë, sepse përtej shkaqeve të atypëratyshme që mund ta kenë shtyrë Ardianin për të marrë një vendim të tillë përfundimtar, kjo ngjarje tragjike na kujton edhe një herë sesa të vështirë e ka një njeri i lirë dhe idealist të mbijetojë në realitetin e ashpër e shpesh aq vulgar të Shqipërisë së sotme. I vetmi ngushëllim për ne të gjithë që e kemi dashur dhe respektuar Ardianin, është vepra që ai na ka lënë pas dhe kujtimi i pashlyeshëm i një personaliteti të jetës kulturore dhe qytetare shqiptare që dha aq shumë, duke marrë aq pak.

DELINA FICO: E kam dashur gjithnjë Ardjanin. Për buzëqeshjen pak mistrece që mund të shndërrohej me shumë dëshirë në një të qeshur me zë të lartë. Për faktin që përmes tij kam njohur poezitë e mrekullueshme të Martin Camajt. Për përkushtimin e tij të vërtetë për çështje shoqërore përparimtare, të cilat, në këtë Shqipërinë tonë të lodhur nga mungesa e ideve dhe të marrosur pas pushtetit e parasë, nuk kanë shumë dashamirës dhe, aq më pak, njerëz që të mos i lënë pas dore. Do të më mungojnë gjatë shkrimet e tij të sofistikuara, ftesat për t'ju bashkuar një proteste qyetare për të mbrojtur dinjitetin e njeriut apo mjedisin, madje edhe sensi i tij ironik. Për mua, Ardjani ka qenë në mënyrë të qartë e të vazhdueshme një ndër të paktët intelektualë publikë që përçonte në këtë mjedisin tonë shpesh mediokër e pa dritë, copëza të mendësisë e kulturës më të mirë përparimtare europiane. Ndonëse nuk kam qënë në rrethin e miqve të tij të ngushtë, ndihem me faj që nuk munda të kontribuoj sado pak që ai të mos ndihej i vetëm në betejat e brendshme dhe të jashtme që ia harxhuan deri në ekstrem dëshirën për të qënë më gjatë me ne. Uroj që dikur diku të prehesh i qetë, mik!

MERO BAZE: Lasgush Poradeci mbahet mend për një dialog shterues për fajin e shoqërisë ndaj intelektualëve. Në pikun e përndjekjes së intelektualëve, ai ju drejtua një prej atyre që nuk ishte as vrasës dhe as viktimë duk e shkundur nga supet "Po i vrasim intelektualët" tha. "Ja dje e vramë dhe një, unë dhe ti". Bashkëbiseduesi e qetësoi duke i thënë se ata të dy nuk kishin faj, por poeti që drithërimat e shpirtit nuk i merrte nga pushteti por nga limfa e shoqërisë, këmbënguli duke thënë se ata të dy ishin vrasësit, pasi ata po i linin të vriteshin. Ky pasazh që shndrin në biografinë e poetit ëndërrimtar që u shua i izoluar dhe pa shpresë, më shoqëroi në mëngjesin e parë pa Danin. Adrian Klosi nuk ishte një ëndërrimtar që dëshpërohej lehtë dhe as një intelektual që përkulej kollaj. Ai pati fuqinë të ishte në shumë momente të historisë në anën e duhur. Mes studentëve të Dhjetorit në vitin 1990, përballë dhunës dhe deformimeve të demokracisë deri në vitin 1997, i papajtueshëm me meskinitetet e politikës klinteliste nën pushtetin e socialistëve dhe së fundmi i lirë në universin tij prej botuesi, përkthyesi dhe intelektuali të angazhuar. Për shoqëri si kjo e jona, intelektual të tillë, prodhojnë një sistem vlerash unike që nuk i ngjan as vlerave që prodhon politika dhe institucionet dhe as pseudovlerave që krijojnë elitat e pushteteve. Mendje të tilla të hapura si Adriani, vlejnë për të thyer dilema të mëdha të shoqërisë, për të zgjedhur mes parimores dhe personales, mes klientelizmit dhe konkurrencës, mes qytetarisë dhe primitivizmit, mes fines dhe vulgaritetit dhe mes kulturës e injorancës.
Fuqia e një shoqërie për të bashkëjetuar me vlera të tilla, është fat për shoqërinë, ashtu sikundër pafuqia për tua bërë jetën të lehtë intelektualëve të tillë, është një dështim i të gjithë të gjallëve.
Adrian Klosi iku jo për të na bërë deomos fajtor, por së paku për të thënë se po ikën pa na patur ndonjë borxh. Edhe pse jeta e tij ishte e mbushur me vepra të rëndësishme dhe beteja plot kuptim, vendimin më të rëndë të jetës së vet dhe më të pakuptimtin në dukje, ai e mori duke i'a përcaktuar vetë fundin jetës. Si për të na e hequr mundësinë ta gjykojmë atë dhe për të na bërë t'i bëjmë një gjyq vetes sonë.

BATON HAXHIU: Ndonjehere duhet te vdesesh per ta parandaluar vdekjen. Kjo i shkon per bukuri emrit, vepres dhe jetes se Ardian Klosit. Pasi ben gjithcka njeriu ne jete, nese guxoj ta them, dhe mbetet i pafuqishem ne mencurine e tij, atehere nuk mund t'i duroje te dyja rolet: Edhe te intelektualit qe deshiron ta ndryshoje vendin dhe jeten e te tjereve, edhe të atij që duron shkaterrimin ne te njejten kohe. Nuk mund te durosh njerezit qe jetojne ne te njejten kohe edhe me shkaterrimin edhe me heshtjen pse dicka po shkaterrohet. Personalisht, kur jam shpallur pa dashje i vdekur, do deshiroja te mos i njihja dhe takoja shume nga njerezit dhe situatat, pasi jam dal i gjalle ne boten ku tash jetoj. Aty, prej andej, e sheh boten e vertete hipokrite. Qe kur te vdesesh te duan te vdekur, dhe sapo shpallesh i gjalle te urrejne per vdekje. Dikush mund te pyes se cfare kuptimi ka nje shkrim dhe disa fjale per nje te vdekur. Ai nuk degjon fjalet qe i thuhen. Ccfare kuptimi ka te shkruhet nga te gjallet per nje te vdekur - ne kete rast per Klosin.
Arsyeja per te shkruar per Ardian Klosin nuk eshte vdekja e tij. As guximi i tij per te "denuar" veten e tij me ikje në boten e pertejme.
Eshte momenti per te shkruar per nje te vdekur qe ti kujtojme te gjallet qe jetojne si ai dhe shkruajne dhe mendojne si ai. Qe kane vizionin e tij per nje bote qe ai e perfytyronte ne shkrimet e tij.
E kam kuptuar se vetem kur vdes njeriu - dhe i le shkronjat, i le mendimet - ato fillojne te behen te fuqishme. Kur jeton si i gjalle me shkrimet e tija te forta dhe kritikuese, nuk i behet askujt vone qe te vertetat e tij te poshterohen dhe mosperfillen duke perfshire edhe personin vet. Thjeshte nuk te duan nese nuk je brenda llojit.
Kush ka jetuar me menyren e Klosit, ka pranuar pergjegjesine per te krijuar dhe mbajtur nje strehe te nje pjese te botes shqiptare, ku mund te lulezoj arsyeja krijuese. Kjo do te thote te shpetosh faren e nje bime nga rrebeshet e stuhishme, nga balta e permbytjeve dhe per ta vene anash ne nje fidanishte ku jetes i jepet kuptim. Dhe kjo i drejtohet jo vetem atij qe ka vdekur por edhe te gjalleve qe i drejtohen te ardhmes. Ne duhet te mbjellim te gjitha ato qe ka shkruar Klosi, ti interpretojme, ti shumezojme, ti rrisim dhe ti fusim ne mesin e origjines kulturore ku ai ka lulezuar dhe ka vdekur duke i lene ato ne boten e nje germadhe kulturore.
Tashme kur ai ka vdekur, kjo fare e krijuar nga ai, duhet te rimbillet dhe te kryej nje cikel te ri lulezimi dhe krijimtarie ne mesin e te gjalleve. Ne duhet te synojme qe veprat e Klosit te sigurohen edhe per vazhdimesine e llojit, sepse nuk mund te flasim per shpirtin e tij dhe kuptimin e vepres qe ai ka lene pa e rinovuar dhe kujtesen dhe kulturen e tij te krijuar prej nje cerek shekulli.
Por duhet ta kemi te qarte te gjithe ne qe jetojme ne kohen e Klosit, se ajo qe ka qene e patolerueshme per Klosin eshte edhe per ne, por jo per te gjithe e sidomos jo per "ata". Prandaj Klosi ka vdekur per ta parandaluar vdekjen sepse ndonjehere eshte me mire te vdesesh per te jetuar gjate....
I qofte i lehte dheu e respekt per dijen dhe shkronjat e tij.

ARBEN KUMBARO: Dani dinte të qeshte si fëmijë, gjë që e bëjnë pak njerëz në moshën e tij. Mendoj kjo, sepse ai ishte nga njerëzit më seriozë që unë kam njohur mes të paktëve që Shqipëria ka pasur si ai. Sa herë gjerbja kafen e radhës me Danin mes bisedave, që asnjëherë nuk mbaj mend të kenë qenë kotësi, sapo na rrëmbente një valë trishtimi për shumë gjëra që na rrethonin, ai gjente rast e bënte humor si për të më dhënë kurajo. Dani ka qenë ndër të rallët intelektualë të këtij vendi të cilit memorja kolektive e shqiptarëve i detyrohet për angazhimin dhe kurajon tij publicistike, "Par Excellence", në shumë hapësira të jetës tonë. Si rallëkush mes nesh në këto dekada epokale në jetën e shqiptarëve ai diti me shumë sqimë të ish vetvetja dhe të mos kursehej asnjëherë për gjithçka që na shqetësonte e na dhimbte të gjithëve ne. Përpjekja "Sizifjane" e Danit, shkrimet e shumta, përkthimet e pazëvendësueshme, betejat qytetare, kujtimet dhe mbresat që ai la mes nesh do ta bëjnë atë të paharueshëm dhe ne që patim fatin ta njohim nga afër të ndihemi krenarë që e kishim mik.

SOKOL BALLA: Dani prej 1998, ishte pak i merzitur me mua. Ne fakt, is drejtor i RTSH, ai nisi një punë me pasion, dhe në emër të këtij pasioni dhe vizioni qën ndanim për Televizionin Publik, më pati propozuar drejtorin e unifikuar të informacionit. Por pas një bisede 1 ore e 47 minuta në telefon, unë në Londër tek BBC e ai në Tiranën shpërthyese.
më saktë, ai nuk ra kurrë dakort me zgjedhjen time, të ftohtë. Aq sa më bëri emërimin dhe më "shkarkoi" pas 24 orësh, në distancë. Kështu ishte Dani. Kur ishte I bindur për dicka, nuk tërhiqej. Kështu ishte në mendimet dhe në veprimet e tij. Mesa duket të tillë e pati edhe vendimin e fundëm, të marrë e tentuar disa herë prej muajsh. Herën e fundit që e pata në Top Story, për dhjetorin e studentëve, ishte sërish i mërzitur. Kësaj radhe thellë, për nënën e tij të shuar vetëm pak ditë më herët. Ajo mbeti me gjasë femra më e rëndësishme e jetës së tij të tallaztë e të pakompromis. Pas ikjes së saj, u ndje realisht vetëm. Më kujtohet sesi pak muaj më parë hoqi dorë edhe nga panairi i librit që donte aq shumë ta realizonte. U ndje i braktisur dhe në braktisjen e tij, i fyer. Ishin shenjat e vendimit të tij të fundëm. Mos i'a merrni për dobësi vetëikjen e tij. Ky ishte Dani dhe koka e tij e fortë, që ia panë hajrin, vlonjatët për Gjirin e Vlorës, tiranasit për Piramidën dhe shqiptarët për Aleancën kundër Plehrave. Te gjithë këta duhet të vajtojnë mungesën e kokëkrisurit me zërin e butë.

SPARTAK NGJELA: Vdekjen e Ardian Klosit gjithkush që i ka njohur dhe që i njeh zhvillimet e kulturës shqiptare, do ta konsideronte nje humbje të madhe për letërsine, gjuhën dhe publicistikën shqiptare, por sigurisht që kjo nuk mjafton. Koha sjell gjithmonë një rast në histori kur individë të vecantë janë të përkushtuar kundrejt shoqërise së tyre për të sjellë diçka të vecantë, për të dhënë dicka nga vetja dhe për të krijuar një frymë të re në zhvillimin e vizionit të ri të saj. Një nga këta ishte, pa dyshim, Ardian Klosi. Njohës i thellë i gjuhës shiqpe, përkthyes dhe publicist brilant, ai shkelqeu njehërësh edhe si gjuhëtar. Kishte një ngulmim permanent për të krijuar një idiomë të re në zhvillimin e letërsisë, stilit dhe thellësisë ideore nëpërmjet fjalës shqipe, dhe unë mendoj se ia arriti. Përktheu në shqip kryevepra të letërsisë botërore, dhe krijoi nivelin e tij në këtë aspekt; përpunoi më tej fjalën shqipe në thellësinë e saj kur i dha shqiptarëve një fjalor dy gjuhësh: gjermanisht -shqip; shkroi mijëra faqe artikuj dhe u përkushtua seriozisht për kulturën shqiptare dhe, njëherësh, e mendoi zhvillimin kombëtar si një refleks individual të një individi autonom; kërkoi të fliste me shoqërinë e tij me një gjuhë të niveli të lartë, dhe i kumtoi asaj dinjitet në trajtimin e fenomeneve shoqërore apo politike. Nuk u bashkua në asnjë çast me tiranitë apo diktaturat që rreshqisnin e rrëshqasin rëndom në këtë vend, dhe kërkoi gjithmonë një substrat shqiptar, europian dhe perëndimor në thellat e historisë së Shiqipërisë. Koha do t'i japë gjithmonë Ardian Klosit vendin e tij si humanist; si një njeri të ditur që nuk u shkëput asnjëherë nga respekti për shoqërinë e vet; si letrar dhe gjuhëtar, por, më së shumti, do ta vlerësojë që asnjëherë nuk pranoi, që, për interesa të ngushta, të bënte lëshimë në dy kolanat kryesorë që kishin sjellë konstitucionin e tij intelektual e shpirtëror: në humanizmin si substancë të lirisë, dhe, në drejtësinë shoqërore si substancë të moralitetit të tij.

MIRELA KUMBARO: Dani, u shpreh më në fund plotësisht, me gjithë copërat e mendjes që shoqëria ia mori, me tërë thelat e shpirtit që të gjithë bashkë ia shkulëm e që Ai s'arriti t'i mbledhë dot për të jetuar më gjatë, si të gjithë ne, brenda përçartjes së përgjithshme të këtij vendi... Por sa herë na paralajmëroi! "Pas gati 25 vjetësh, më 2007, vëreja se te Klouni i Hajnrih Bëlit ende nuk më kishte lëshuar, në mënyrë të veçantë fakti se ARTISTI ANTI-KONFORMIST ËSHTË I SHPËRFILLUR NGA SHOQËRIA E STABILIZUAR ", tha Klosi kur na ftoi ta shihnim "Me syrin e një klouni". Aty, funeralin e vet pëshkruan duke na lënë mbi supe peshën e rëndë të kryqit : "Po t'i jap fund fare? Të ndahem nga të gjitha me vullnetin tim të plotë? Unë s'jam anëtar i asnjë kishe, s'ka kush të më dënojë për gjestin tim, asnjë ferr nuk do ta presë shpirtin tim të stërmunduar. Nuk e kam fare të vështirë të mendoj për vdekjen, se artisti vdekjen e ka gjithmonë me vete, si prifti i mbarë mesharin. Oh, si i përfytyroj të gjithë të mblidhen te varri im. Mamaja do të qajë dhe do të thotë se ishte e vetmja që më kuptonte. "Ishte i mirë, ishte i mirë Hansi im, e lakmonte pak paranë por kishte zemër floriri. Sa shumë na donte edhe pse nuk e thoshte, sa shumë e donte motrën e vet". Babai do të pendohet keq që nuk më la disa kartmonedha para se të ikte, do të porosisë për mua më të shtrenjtin varr, skulptori më i mirë i Landit do të gdhendë një skulpturë timen, të cilën do ta vendosin në oborr, aty ku ishte dikur skulptura e Apollonit, që u hodh në erë së bashkë me Georgun e vogël. Zomervildi do derdhë edhe ai një pikë lot e do thotë: "Sa i talentuar që ishte, çfarë artisti! Vërtet me bindje të forta antiklerikale, por një shpirt aq i ndjeshëm...". Maria nuk do ta besojë që unë kam vdekur. Do ta braktisë Xypfnerin dhe do të endet hotel më hotel për të pyetur për mua, do fillojë të luajë natë për natë "Mos u nxeh", vetëm, me dritën fikur, me një qiri të ndezur pranë"
Ardian Klosi zgjodhi të ikë për të jetuar te vdekja... Këtej e tutje do ta lexojmë e do flasim për të dhe do ndjejme se si do të na therrë ndërgjegjia e shoqërise. Ndërsa Dani do të na shohë me syrin e një klouni.

ARTAN SHKRELI: Dan Klosi… sa emer i dashur! Dani, çfare privilegji ta kishe mik! Ku eshte ai tani? Pse iku? Pse nuk e besuam krejtesisht asnjehere ate njeri? Pse menduam se pas asaj qe thoshte kishte dicka tjeter? Pse njohim kaq pak intelektuale ne Shqiperine tone? Jam menduar gjate per kete dhe nuk kam arritur kurre te numeroj dhjete syresh… As edhe nje here te vetme! Dhe tani e kuptoj pse sepse prania e Klosit kish percaktuar nje cak te larte, shume te larte.
Kujtoj ndeshjet e tij, betejat e tij: Betejen e humbur per europianizimin e Televizionit Publik; betejen e humbur per te drejtat e autorit dhe te botuesve; betejen e humbur per restaurimin e gjuhes se gjymtuar shqipe, nga genishtja tek Reinholdi; betejen e humbur per ndalimin e importit te plehrave te botes nder ne; betejen e humbur per kauzat e medha ambientaliste: gjirin e Vlores, shkallen e Tujanit, kodrat e gjelberta te Tiranes…; betejen e humbur per mbrojtjen e Monumenteve Kombetare te Shqiperise: fshatrat e jugut, shatrivanin dhe parqet e Namasgjase, Piramiden dhe sheshin e Tiranes; betejen e humbur me gja-patriotet per zdritjen e historise shqiptare, per Arbenine Venedike, Skenderbeun e Ali Pashen; betejen e humbur per edukimin e femijve me kulturen tone autentike nga Camaj tek Ali Asllani; betejen e humbur per rrenjosjen e nje kulture gjermane permes eseve, perkthimeve e venieve ne skene ne Shqiperine e shkaterruar moralisht; betejen e humbur shume keq per emancipimin e shoqerise; betejen e humbur per demokracine… Ah, kjo e fundit ose e para fare krejtesisht e humbur! Betejen e humbur per… çka tjeter ende (?), sa shume humbje, sa shume beteja! Dhe ne e shihnim si alien te mire, por qe ishte ca i cuditshem, e nganjehere "i jepnim dhe ndonje dore". Po Ardiani fitoi luften pikerisht sepse i humbi te gjitha betejat, luften qe e humbasin përherë më te shumtet po edhe thuajse të tërë ata që mes të shumtëve dallojnë: Luftën kunder hipokrizise dhe vulgaritetit, kunder mjerimit shpirteror dhe mediokritetit, kundër rrënimit të ngadaltë po të pandalshëm të dinjitetit, ate lufte qe ngjan se krejt shoqeria shqiptare po e ben pa kurrfare rezultati. Kjo e ben Klosin nje shqiptar te pazakonte, nje fitimtar në luftën e të humburve që numërojnë fitoret e tyre të zakonta. Kjo e bën edhe ekzistencen e tij nje privilegj asnjëherë vërtet të merituar per shumekend qe e njohu ne gjallmeni te vet. "Klosi do te jete kryqi yne, te cilin do e mbajme ne shpine gjithe jeten", tha Ard Vehbiu me te marre vesh lajmin "te gjithe duhet te kishim bere me shume per te". Fshikulluese kjo fraze, por e vertete. Te gjithe e shtyme nga pak ne humneren e akullt ku ai ra pa kthim. Te gjithe nga pak. Kush thote jo le të ngrejë dorën…

AUREL PLASARI: Një nga mendjet më të çliruara të kulturës shqiptare qysh në kohën kur e kam njohur: në këtë kufizë do ta përmblidhja personalitetin e Ardian Klosit qysh kur e kam pasur dhe më ka pasur mik: në vitet '80, atëherë kur pak miq kisha siç isha i rrethuar nga vakuumi i "biografisë së keqe". Vetëm ata që e kanë jetuar aktivisht atë dhjetëvjetësh kulturor mund ta kuptojnë ç'do të thoshte "mendje e çliruar" në ato vite. Të ishte gjallë Niko Nikolla do të tregonte problemet që i kemi pas hapur te "Hosteni" me shkrimet me dy pseudonime (kemi shkruar bashkë "me katër duar" para se më vonë të bëhej bashkautor me Edi Ramën) asokohe kur humori dhe madje ironia mbeteshin të vetmet armë për të refuzuar mjedisin kulturor në të cilin ishim të detyruar të vërtiteshim. Kulmin ajo mendje e çliruar, që ishte Dani, mendoj se n'ato vite e mbërriti me përkthimin shqip -për përdorim "mes miqsh" - të esesë së Havelit "Mbi të vërtetën", që e kishte sjellë gjermanisht nga Austria: duhet të ketë qenë viti 1989 dhe më ka djegur duart kur e kam lexuar. Meqë m'u kujtua Austria, ku kreu studimet pasuniversitare, ja ku s'mund të mos kujtoj një tog të bukur letrash që më mbetet nga letërkëmbimi me të dhe për të cilin mund të them vetëm kaq: mendimi i tij për letërsinë dhe artet e realizmit socialist - përfshi edhe "majat" - ishte qysh atëherë aq emancipues sa edhe sot e gjithë ditën shoqëria shqiptare zor se do të ishte e gatshme të përballonte botimin e tyre. Sepse Kritika - me K të madhe, kritika në çdo fushë, përfshi edhe përkthimet nga letërsia botërore si funksion kritik ndaj mediokritetit në letërsinë shqipe - është dimensioni me të cilin Ardian Klosi e ka lënë tanimë të mbresuar personalitetin e vet në kulturën tonë.

ANDREA STEFANI: Thelbi i intelektualit të vërtetë është jo konformizmi me forcat e epërme që vazhdojnë t'i qëndrojnë mbi kokë si mallkim dhe prangë njerëzve. Ardian Klosi e manifestoi me gjithë forcat e tij shpirtërore dhe fizike, me fjalë, penë dhe protestë, këtë thelb të qenësishëm jo konformist duke shpalosur një papajtueshmëri me abuzimet e pushteteve absolute që rroku shumë sfera të jetës, nga politika, kultura e arsimi e deri te mjedisi. Ai ishte kundërshtar i vendosur i dhunës në përgjithësi dhe veçanërisht, i çdo dhune mbi njeriun. Me ikjen e tij, bota intelektuale shqiptare humbi një mëndje të shquar. Por shoqëria ka fituar një aleat tashmë të përjetshëm, një trashëgimi të çmuar mendore si përmasë e një aspirate lirie e drejtësie të ndjekur me përkushtim.

ALFRED PEZA: Në ditën dhe orën që kish njoftuar disa muaj më parë, se do mbante fjalën e mbylljes së të parit Panair Pranveror të Librit në Tiranë, Ardian Klosi u largua nga jeta. Sipas mënyrës së tij. Krejt ndryshe nga raca e atyre që quhen apo vetëquhen intelektualë të këtij vendi. Në përgjithësi, njerëzit që zgjedhin të vetëlargohen nga jeta, ndahen në tri kategori: Të dobëtit. Të realizuarit. Dhe më të fortët. Ai nuk bënte pjesë në asnjërën prej tyre. Ardian Klosi bën pjesë tek një kategori që nuk ekziston në Shqipëri. Tek kategoria e atyre që depresionin, krizën morale dhe banalitetin e shoqërisë në epokën e tyre, në pamundësi për ta ndryshuar, e refuzojnë pa kthim. Shumica dërrmuese zgjedhin të pajtohen, të përshtaten apo të dorëzohen. Ndërsa ai, zgjodhi të luftojë si askush tjetër. Duke u vetëflijuar. Fenomen i njohur ky, tek pjesa e epërme e elitës së artistëve dhe intelektualëve të botës. Iku 55 vjeç, atëherë kur thuhet se një intelektual arrin në kulmin e pjekurisë, fuqisë dhe prodhimtarisë së tij. Sepse ai e kishte gjithnjë me nxitim. Edhe kur studioi në perëndim, në kulmin e izolimit. Edhe kur botoi veprat e para të letërsisë krahasimore. Edhe kur i dha jetë publicistikave të para. Edhe kur braktisi PD. Edhe kur iku nga RTVSH. Edhe kur luftoi për një Shqipëri pa plehëra. Edhe kur i bishtnonte si rrallëkush, ekraneve televizive. Edhe kur do të hapte Panarin e ri të Librit. Sepse Ardian Klosi, e kishte me nxitim. Për tu bërë, pionier i një Urdhëri të Epërm ndër intelektualët e Shqipërisë. I atij Urdhëri, që i fton të gjithë, të luftojnë për të ndryshuar botën e tyre. Për të ndryshuar botën tonë. Së bashku. Në këtë jetë.

BLENDI GONXHJA: Si gjithnjë me të ishte në mes humori e kur, në një rast e takova në Tiranë të sapokthyer familjarisht nga Gjermania, i thashë: O Dan, u çmende që u ktheve në këtë vend të marrë? S'bëj dot pa marrinë kreative të këtij vendi më tha siç thoshte shpesh. Do ta mbaj përherë mend ashtu, gati si i turpëruar që gjërat nuk shkonin siç do të donte ai, me sqimën e afatet utopike të tij. E njihte mirë e bukur jetën, dituria s'e bënte t'u fshihej përgjegjësive, s'kishte frikë nga asgjë, ishte njëmijëherë më burrë Ardiani se sa shumë që na shurdhojnë veshët përditë si të tillë. Më duket se nuk deshi më t'i mbijetonte pamjes përpëlitëse të nënshtrimit të përgjithshëm ndaj injorancës. Zgjodhi të jetojë jashtë "klasit" banal dhe iku me klasin e sërës së një specieje në zhdukje... Në kujtimet e mia dhe besoj të gjithë atyre që këtë të trishtë pa Danin ndjejnë borxhin të luftojnë edhe më shumë që ky vend t'u ngjajë sadopak ëndrrave të tij, Ardian Klosi do të mbetet doktori i qytetarisë që jam shumë krenar që më quajti e më deshi mik!

REMZI LANI: Nis te shkruash rreshta qe asnjehere nuk ke menduar se do t'i shkruash dhe sadoqe nuk deshiron te perserisesh te tjeret, nuk ke rruge tjeter pervecse te biesh ne perseritje. Se Ardian Klosi eshte (nuk mund te them dot ishte) nje perfaqesues brilant i gjenerates se vet: publicist i klasit te pare, studiues skrupuloz, perkthyes i jashtezakonshem, polemist i spikatur, aktivist i palodhur, nje mendje kritike qe reflektonte ate qe Hegeli do ta quante "qenie me shqetesim". Jam i nderuar qe kam patur rastin te kem qene botues i disa prej shkrimeve dhe perkthimeve te tij te koheve te hershme. Nuk kam njohur njeri qe mund te bartte me vete njekohesisht delikatesen, brishtesine dhe humbjen, sensin e jashtezakonshem te humorit, të atij llojit të zi të humorit që pas të qeshurës lë gërvishtje në ndërgjegje, dhe mbijetesen si mishërim i prekshëm i të qenurit dobësisht shumë i fortë. Do ta kishte patur shume te lehte Dani nese do te zgjidhte ujerat e cekta, rrymat konformiste, koret optimiste, por nuk mundej. Donte te ishte vetvetja. Dhe mbeti vetvetja deri ne fund. Meqe, nuk kam se si t'i shmang perseritjet, po shkruaj se sot eshte rasti per te mos pyetur per ke bien kembanat, ato bien per secilin nga ne, pasi vdekja e Danit na ka pakesuar te gjitheve.

SKENDER MINXHOZI: Lajmi se Ardian Klosi u nda nga ne, më ka pikëlluar pa masë. Jo se nuk e prisja. Jo se nuk isha i përgatitur në subkoshiencën time që do ta merrja një ditë këtë mandatë, porse logjika që mundohesha t'i imponoja instiktit, më thoshte se një intelektual i klasit të parë, një mendje brilante, me një formim të lartë, sublim, siç ishte Klosi, do ta kthente mbrapsht, në çastin e fundit, tundimin e vdekjes si zgjidhje e shpagim për jetën tokësore. Qenkemi gabuar të gjithë. Juta që i ndenji pranë me aq devocion, ne shokët e tij që patëm mendjelehtësinë ta marrim pa alarmin e duhur atë që ndodhi pak muaj më parë, kur tentoi sërish të vetëvritej, e gjithë shoqëria që qëndroi pasive ndaj një drame që luhej në kushtet e një mediatizimi të plotë, porsi në ato telenovelat banale që mbushin përditë ekranet televizive.
Këto janë çaste kur shpirti njerëzor ndjehet ngushtë, në hapësirën prej mishi e kocke të kraharorit dhe kur pikëllimi mbyt gjithçka: respektin për atë që s'jeton më, shpresën se vepra që la pas do të na jetë e mjaftë për t'u çmallur, forcën për të ngushëlluar të afërmit e tij dhe veten. Sidomos veten, më lejoni të jem i sinqertë e aspak egoist. E kam njohur e dashur Ardian Klosin në një kohë të egër, kur vlerat njerëzore ishin kthyer përmbys dhe kur kaosi mbretëronte jetët tona. E kam ditur qysh në krye se s'do të kish qenë një rrugë e lehtë për të dy, për të, në dilemën e vazhdueshme egzistenciale ku e mbante mendja e tij shkëndijëplotë, por edhe për mua, që shihja gjërat tokësore e mundohesha të humbja mendjen ndër to. Fati na e solli të ndahemi shumë herët nga njëri-tjetri. Kisha padyshim shumë për t'i thënë mikut tim që sot s'është më. Jam i bindur se edhe ka marrë më vete shumë nga ato që kish për të në thënë të gjithëve. Do të na duhet të mjaftohemi, si të mundim, me ato që Klosi ka lënë pas e që s'janë pak. Është i vetmi ngushëllim, në këtë ditë zie e pikëllimi për mbarë kombin, i cili humbi njeriun e madh të letrave. Një mendje të bukur, e cila pati një moment fatal dobësie.

Të qoftë i lehtë dheu Ardian!
FILIP ÇAKULLI: Nuk është se humbëm vetëm një mik të shtrenjtë dhe të paharruar. Jo! Dani na u largua se nuk mundte dot të rrinte më tutje me ne, një idealist i shumëkulturuar, që nuk u pajtua kurrë me këtë realitet vulgar ku të gjithë ne jetojmë; një vetmitar, që gjente prehje e qetësi duke i ndenjur larg rrethit të banalitetit ku ne gjallojmë; një luftëtar i pa kompromis ndaj së keqes që ne të tjerëve na ka mësuar të ambientohemi. Iku pikërisht se nuk kishte asnjë lidhje me këtë mjedis miku ynë i mirë e i urtë, që ndryshe nga ne nuk e përdori urtësinë për t'u përshtatur po për të mos u përshtatur kurrë me mjedisin e rëndomtë ku kurrë s'mundi të gjente pjesë. E ku në fakt kurrë s'deshi të luante pjesën për t'u bërë pjesë.

ANDI BUSHATI: Ardian Klosi iku drejt një bote, ku ndoshta ka më shumë miq sesa tek kjo e jona. Dikush thotë se la një shenjë. Dikush tjetër, një ish bashkudhëtar i viteve të zjarrta, se i kërkoi ndjesën e fundit për moskuptimet ku e ngërtheu kjo kohë. Dikush kujton ekspozitën e fundit që pa dhe dikush vargjet e fundit satanike që, në mendjen e shqipëruesit, i ndërthurrte, sëbashku me idenë për t'u hakmarrë qoftë edhe ndaj vetë zotit. Klosi iku në një botë, ku ndoshta ndihet më i qetë. Ku takon shkrimtarët e lexuar në rini. Autorët e librave që përpiu me aq ëndje. Autorët që përktheu. Por edhe këtej në botën tonë, në botën e të gjallëve, nuk la pak. Shumëkush e ka kujtuar sot për aktivitetin e tij publicistik. Por Ardian Klosi, nuk ka qenë vetëm kaq. Bashkmoshatarët e brezit tim, e mbajnë mend për një nga ngjarjet që u quajt ndër aktet e para të kundërvënies me regjimin, organizimin e mbrëmjes së përvjetorit të Xhon Lenonit, një ditë të shënuar, të dhjetorit '90. Më të rinjtë e mbajnë mend për betejat e tij për të mos vrarë botën ku do jetojmë nesër. Kolegët e tij të letrave, për thyerjen e tabuve që vazhdonin si zgjatime të kohës së realiymit socialist. Ndërsa unë vetë, për librin e fundit që kam pasur në dorë, për disa poezi të Brehtit, që më bëjnë të mendoj, se ndonjëherë, dashuria edhe mund të vrasë.

PANDELI MAJKO: Mencuria ka demonet qe sofistikojne te thjeshten. Publicisti dhe antikonformisti i brezit te tij, Ardian Klosi nderroi jete. Civilizimi dhe qytetaria shqiptare shenojne nje humbje te papritur ne kohen qe jetojme.

DAUT GUMENI: I dashur Ardian! Sot motrat dhe njerëzit e familjes me të gjithë miqtë e tu, nuk e prisnin t'i detyroje të të thoshnin këtë lamtumirë të hidhur! Nuk e prisnim asnjëri prej nesh që të zgjidhje një ikje aq të ngutur, kur prisnim aq shumë prej mendjes tënde të hapur e prej penës tënde të mprehtë! Nuk e prsinin motrat të mbeteshin pa vëllain e vetëm. Nuk e prisnim as miqtë e tu të shumtë që të largoheshe duke u ngutur aq shumë në një copë udhë, fundin e të cilës e kemi të gjithë të siguruar. Sepse prisnim prej teje të ndihmoje më gjatë njerëzit e tu, shokët e miqtë e tu, të ndihmoje dhe ecjen e këtij vendi të nëmur për t'u varfëruar nga njerëzit e vet më të aftë e më të mirë, mu atëkohë që ka më shumë nevojë për mendjen e tyre të kthjellët e për zemrën e tyre të dhembshur.
Aq më pak e prisja unë, si një nga miëtë e tu më të moshur, të më detyroje për të hedhur në letër këtë lamtumirë të hidhur! Lamtumirë miku im i mençur e bujar! E para herë që u ngute në jetën tënde, u ngute për të na lënë më të varfër e më të vetmuar. Lamtumirë miku i të Mirës, miku i të Bukurës, miku besnik i të Vërtetës! Kjo lamtumirë e detyruar nuk besoj se është e mjaftueshme për të treguar përmasën e vërtetë të zbrazëtisë, që lë prapa njeriu , i cili e zgjedh vetë të shpejtojë mbarimin e udhës së tij në këtë jetë.
Por lamtumira e hidhur për mikun e çmuar, lamtumira e hidhur për publicistin e prerë, për gjuhëtarin e përkushtuar, për qytetarin e pakursyer e për njeriun e vlerave të vërteta, Ardian Klosi, është po aq e pamjaftueshme sa ç'qe dhe e papritur ikja e tij nga mesi ynë. Prehu në paqe, miku ynë Ardian, që ta durojmë më mirë humbjen tënde!

BLEDAR ZAGANJORI: Ardian Klosin e kam takuar për herë të parë kur isha fëmijë. Ishte nje takim për së largu, një takim me një emër që nuk e dija se më vonë do ta njihja edhe nga afër. Nuk e dija atëherë edhe se do të bëja këtë punë që bëj sot, nuk e dija se do të punoja gazetar. Nuk e mendoja kurrë se do të shkruaja këto pak rreshta për të shprehur një trishtim të thellë. Ardian Klosin e takova teksa lexoja një libër që për mua si fëmijë ka qenë më shumë se gjithçka në atë kohë, Aventurat e Tom Sojerit. Një libër të një autori që mbetet ende një nga më të dashurit për mua, Mark Tuejn. Një libër që në atë kohë la një gjurmë të thellë tek unë, një libër që Klosi e kishte shqipëruar dhe jo përkthyer. Aq sa teksa e lexoja dhe rilexoja ditën, natën, për javë dhe muaj të tërë, më dukej sikur Mark Tuejn atë libër e kishte shkruar në shqip. Një libër që e nxirrte jashtë klisheve një fëmijë si unë, çlironte hapësira pa fund për të ëndërruar, zgjonte fantazinë, ndjenjën e aventurës, më mbushte me gëzim, më ngjizte ndjesi të shumta dhe më kaliste shijen e të bukurës.
Vite më pas kam patur rastin ta takoj dhe ta njoh, ka patur mundësinë të bisedoj për shumë gjëra, kam shkëmbyer mendime dhe qëndrime. E kam lexuar dhe e kam ndjekur në betejat e tij publike. Mund të mos kem ndarë të njejtat ide ndonjeherë, por kam vlerësuar gjithmonë mënyrën se si ai e shprehte mendimin e tij, drejtëpërdrejtë. Për fat të keq, kohët e fundit, nismat që niste apo ato që përkrahte ngjanin më tepër me beteja të pamundura për tu fituar, jo sepse ai i zgjidhte të tilla. Ndoshta sot jetojmë në një shoqëri më të zhvilluar, por ndoshta sot jemi edhe më të varfër se dikur, jemi më të varfër në mendime, në ide, në fantazi, në solidaritet dhe besojmë shumë më pak në vlera. Jemi më indiferentë për gjithçka që na rrethon, për gjithçka që na shqetëson. Një shoqëri e përgjumur, me të cilën Ardian Klosi nuk u pajtua kurrë. Prandaj dhe ndoshta Klosi vendosi te ikë, por bashkë me të mori me vete edhe një pjesë timen. Një pjesë e fëmijërisë time vdiq sot, ajo me më shumë ngjyra, më e bukura.

BLENDI FEVZIU: Ardian Klosi iku nga kjo botë atë ditë që vendosi vetë! Nuk priti që zoti ta thërriste në mbretërinë e tij, sipas rradhës që ai vetë cakton. Iku atë ditë që e ndjeu se s'kish ç'ti jepte kësaj bote, njerëzve të afërt dhe atyre që e deshën apo e përçmuan në gjallje. Nuk ishte një njeri i dobët. Thjeshtë ishte ndryshe nga shumë prej nesh. Një njeri që i përjetonte gjërat më me dramacitet, që e kish vështirë të përballej me tekat dhe mosmirënjohjen që jeta të rezervon shpesh. Ish një njeri që tentonte ta vendoste rendin e gjërave ashtu si ai besonte dhe kur kjo qe shpesh e pamundur, e përjetonte me tronditje dhe pse jo me fatalitet. Një fatalitet që e ndau nga kjo botë, e ndau nga letrat shqiptare, tek të cilat besonte dhe i adhuronte dhe të cilave, i përkiste dhe do t'i përkasë gjithnjë. Edhe përtej jetës së tij.
Ardian Klosi ishte një prej atyre që ja kushtuan jetën gjuhës dhe letërsisë. Por që milituan edhe në shqetësimet e shoqërisë. Ai solli në shqip disa prej kolosëve të letërsisë botërore, ai ngjalli përmes një botimi të rrallë letërsinë disidente shqiptare të viteve të komunizmit dhe u përpoq deri në fund t'i jepte asaj një vend që ja kishin mohuar pa ndonjë shkak. Ai i kushtoi thuajse 3 dekada pasionit të tij të parë dhe të vetëm letrave, pasion që do t'i rezervojë atë vend të merituar në mbretërinë e tyre të pakohë!

ARTAN LAME: Klosi ishte një prej atyre mëndjeve të ndritura, kalorës vetmitarë që janë aq qibarë sa nuk përzjehen dot me zullumet e çmëndurisë kolektive që e ka zënë këtë vend. Dhe, si të gjithë kalorësit vetmitarë të mëndjes, kur shohin t'u thyhet edhe heshta e fundit në murin e tollovisë njerëzore, vendosin të largohen. Por këtu zë fill tragjedia e tyre.
Vdektarët e zakonshëm jetojnë në një botë tredimensionale dhe mund të kuptojnë vetëm një botë që ka gjerësi, gjatësi dhe lartësi. Kam kaq metra shtëpi, aq hektarë prona, kaq kate pallat, aq makina, mobilje, para në bankë, vilë në bregdet, portë të blinduar, miq në qeveri, dosje të mbyllura në prokurori, dyqane të dhëna me qera, përqindje në kazino, magazina të privatizuara, liçenca të mara të dhëna e të shitura, prona të njohura, të kthyera, të kompensuara, e të tjera gjëra tokësore që maten me gjerësi, gjatësi dhe lartësi. Ndërsa kalorësit e ndriçuar rrojnë zakonisht në një tjetër dimension, që s'ka të bëjë gjëkund me këto, mjaftohen me titullin "njeri i kënduar", ndaj është sikur t'u flasësh milingonave të dheut për fluturimin e shqipeve. Vdektarët e zakonshëm kur nuk shohin më rrugëdalje, vendosin të largohen dhe e kanë kollaj, ndërrojnë vënd. Ca ikin nga qyteti i tyre e shkojnë diku gjetkë, ca të tjerë ikin nga Shqipëria për në Amerikë, Itali, Australi a ku di unë tjetër. Ndërsa kalorësve të mëndjes u mungon dimensioni gjeografik dhe, si të tillë, kur vendosin të ikin, ikin për fare dhe jo gjeografikisht. Bash këtë bëri edhe Klosi. Iku.

TIMO FLLOKO: Jam i fundit mes te gjalleve qe preku dora e tij per te fundit here, pasi u ndame mbreme te kangjellat e kopshtit te tij, duke i vene kycin si te mbyllej ne ferr(!) I thashe "me merr te pijme kafe kur te duash", "Do te marr." me tha. I tregova dy bisqet e jargavaneve qe i kishte keputur nga kopshti i tij, duke i thene "lulet e Margarites per Faustin' ne vazhdim te bisedes qe kishim bere rreth Faustit te Getes; ai buzeqeshi si te thoshte jane jargavanet e fundit...!
Tronditjen pastaj kur me telefonoi e motra, nuk besoj ta kete perjetuar tjetur kush nga miqte e tij sa une, isha miku i fundit, me prane kohes se tragjedise, me i aferti dhe me fatkeqi. O zot, as tani nuk e besoj, kujtoj se jetoj nje enderr qe s'ka fund, pa zgjim.
Kam qene mik me te, na lidhnin idete ne rafshin intelektual dhe krijues, letersia, arti. Kishim inskenuar me sukses Hajnen, Kafken, Brehtin dhe kishim te tjera plane per te ardhmen. Por obelisku u keput, ra nen peshen e pamate te vetes, si cdo njeri i madh, gjigand qe nuk mund te gjykohet. Ai zgjodhi ne kulmin e vitalitetit te mendjes dhe te shpirtit, te penes dhe te artit elitist te tij, aktin e ikjes, te shperfilljes se kesaj bote, e cila edhe pse i mbante dashurite e tij qe e rrethonin si nje hyj, prape iu dedikua misionit, shtegtimit misterioz e mistik drejt te pertejmes! Mik i mire, si e bere keshtu, pa na lene nje kumt per gjerat qe s'na i the te gjitha; si na le e si te lame!
Ardian, mik i shtrenjte faustian, simbjoze e mendjes se filozofit, mendimtarit, politologut, gjuhetarit, perkthyesit fenomenal, enderrimtarit, delikatit, vetmitarit...! Na shkule zemren, mik, ne paqe le te prehet trupi yt; shpirti eshte mes nesh. Me le gjene me te shtrenjte se cdo gje, prekjen e fundit, te perulem.

BLERTA KRAJA: A asht ngjitëse vetëvrasja doktor? Doktori bahet gati me m'u përgjegj, por mu s'më duhet përgjigjja tashma. Në janarin pranveror të këtij viti u ritakova për të satën herë me mikun tem të shtrenjtë Ardian Klosi, ashtu në një dhomë të pastër spitali, ai me nji libër n'dorë, si gjithmonë. Shprehte çudi pse njerëzia qenkan çu peshë për çfarë i kishte ndodhë. Ah Zot, sot nuk do doja të isha thjesht një mike, që ka pranu një rrëfim profesional avokator, por nji njiri i lirë dhe me i thanë gjanat me za të naltë, që tanë ta ndigjojnë se Ardian Klosi ky shpirt i pastër dhe i drejtë din m'u fliju, me na zgju nga limontia, ne konfirmistëve të pamoraltë të shoqnisë së re. Do të dosha që Ardiani me kenë si Krishti dhe m'u ringjallë, e me diskutu mbrapa sesi shoqnia jonë i përballon fenomene të tilla. Në fakt Ardiani duhet m'u ringjall se përndryshe një pjesë e madhe e aktivitetit kulturor në Shqipni do të shuhej... Sa shumë libra ka shkru, po aq ka përkthy me një intensitet dhe cilësi të admirueshme. Betejat qytetare të Ardianit janë të panumërta, frymëzuese, e sot ende nuk asht shkru e folë për ta sa duhet. Por, unë s'du me e besu se Ardiani na ka thanë lamtumirë përgjithmonë, du me fjetë me andrrën se asht strukë diku me shkru nji kryevepër. As tragjizmi në vargjet e Camajt, shkrimtarit tij t'preferuem se: "Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri, prandaj jam i trishtueshëm, Lule.", nuk arrin me shpreh dhimbjen e thellë, kur nji Njiri i papërsëritshëm e plot vlera largohet, pa lanë zëvendësues të llojit të tij.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Këmbimi i të burgosurve, faktet kryesore rreth marrëveshjes historike SHBA-Rusi

Këmbimi i të burgosurve, faktet kryesore rreth marrëveshjes historike SHBA-Rusi