Forumi Botëror për Demokraci: 
Asgjë në Francë s'është si më parë

Forumi Botëror për Demokraci: <br />Asgjë në Francë s'është si më parë
Sulmet e 13 nëntorit në Paris ishin në qendër të diskutimeve në çelje të Forumit Botëror për Demokracinë, që nisi sot në Strasburg të Francës. Evenimenti që ka mbledhur mbi 2 mijë pjesëmarrës nga vendet anëtare të Këshillit të Europës, nisi me një minutë heshtje në nder të viktimave të sulmeve terroriste që goditën Parisin të premten e kaluar.

“Ne të gjithë mendojmë për viktimat, për familjet e tyre, për kombin francez. Por mendojmë edhe për viktimat në Bejrut, Ankara dhe Sinai. Nuk do të arrijnë të na përçajnë. Këto forca po përdorin teknologji të reja për të rekrutuar ndaj na duhet t’i përshtatemi këtij realiteti të ri. Por duhet t’i mbetemi besnik vlerave tona, sepse nuk mund të luftojmë forcat jo demokratike me mjete jo demokratike. Ndaj dhe ky forum sot është më i rëndësishëm se kurrë”- tha sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës Thorbjorn Jagland në nisje të forumit ku tema kryesore e diskutimeve është “Liria përballë kontrollit”, sfida më e madhe me të cilën po përballet Franca sot, pas ngjarjeve në Paris.

Ndërkaq duke folur gjatë ceremonisë, Michaelle Jean sekretarja e përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë tha se asgjë në Francë nuk do të jetë më si më parë, pas këtyre sulmeve. “Duhet të luftojmë që të sigurohemi se terrorizmi nuk do të ketë të ardhme për fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm”-u shpreh Jean.

Sipas saj sot shoqëritë po përjetojnë ndryshime radikale ndaj dhe duhen gjetur forma të tjera për të luftuar këtë mënyrë të re kërcënimi. Ndërsa Harlem Desir, Sekretari francez i shtetit për çështjet europiane tha se terroristët duan të përçajnë vendet demokratike. “Ndërsa ne duhet të bëjmë të kundërtën. Të bashkohemi dhe t’i shkatërrojmë. T’i përgjigjemi me fuqinë e demokracisë dhe sundimit të ligjit." – tha Desir.

Pjesëmarrësit në forum do të diskutojnë gjatë këtyre ditëve për kërcënimet e reja me të cilat përballen sot demokracitë në mbarë botën, që prej ekstremizmit të dhunshëm, deri tek rreziqet ekonomike dhe gjeopolitike. Si të ruhet një balancë mes sigurisë dhe lirisë në një shoqëri demokratike nën kërcënim? A munden demokracitë t’i rezistojnë përshkallëzimit të frikës dhe të formulojnë përgjigje bazuar në përgjegjësinë civile dhe qytetarinë aktive? Këto janë disa prej pyetjeve që pjesëmarrësit do të përpiqen t’i përgjigjen gjatë 3 ditëve të forumit që po mbahet në Strasburg.
ademi
foto
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Zjarr në ndërtesën historike në qendër të Londrës

VIDEO/ Zjarr në ndërtesën historike në qendër të Londrës