Një foshnje e porsalindur ka ndërruar jetë në Durrës mesditën e djeshme (e martë). Prindërit kanë bërë kallëzim në komisariatin e Durrësit duke akuzuar mjekët e Maternitetit të Durrësit për neglizhencë.

Shkaqet e vdekjes së foshnjës mbeten të paqarta, pasi nga hetimet paraprake dhe nga dëshmia e prindërve, foshnja ka ndërruar jetë në banesë, pasi ka dalë nga Materniteti.

Burime nga spitali thanë se nëna e re e ka sjellë në jetë fëmijën para 4 ditësh dhe sipas protokollit ka qendruar dy ditë në maternitet. Pasi është larguar në banesë foshnja ka ndërruar jetë.

Po sipas burimeve, oficeret e policisë gjyqësore u kanë kërkuar prindërve të bëjnë autopsinë, por këta të fundit s’kanë pranuar, shkruan Report TV.

Policia e Durrësit nuk ka nisur ende njoftim zyrtar për ngjarjen dhe nuk dihet nëse janë referuar materialet në Prokurori për ngjarjen.