Partia Demokratike po mbledh firmat për një peticion kundër ndërtimit të godinës së re shumëkatëshe te ‘Tajvani’ në Tiranë. Në bashkëbisedimin me qytetarët, Sali Berisha tha se e kundërshton kategorikisht një ide të tillë në një hapësirë të gjelbër si ‘Parku Rinia.’
“Jam në mënyrë kategorike kundër ndërtimit të kullës në parkun e vetëm që ka mbetur tek Tajvani dhe shkatërrimit të tij. Partia Demokratike po mbledh firmat për një peticion dhe referendum lokal kundër ndërtimit, sikundër ju garantoj se do të mbështesim fuqishëm çdo protestë kundër ndërtimit të saj. Për ne kullat janë monumente të shëmtuara të drogës dhe korrupsionit”, tha Berisha.
Kreu i PD theksoi se qëndrimi i tij lidhur me ndërtesat shumëkatëshe ka qenë gjithnjë kundër dhe s’ka lejuar asnjëherë ndërtimin e tyre gjatë kohës kur ndodhej në pushtet.
“Unë jam kundër tyre dhe kam qenë kundër tyre dhe nuk kam dhënë asnjë leje ndërtimi. Dhe në planin e përgjithshëm rregullues të Tiranës, të miratuar në atë kohë nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, nuk ka pasur asnjë ndërtesë mbi tetëkatëshe, në asnjë zone”, tha Berisha.
Të enjten, përmes një konkursi, u zgjodh projekti fitues për rikonceptimin e gjurmës së ‘Tajvanit’ që tanimë do të quhet ‘Tirana Fountain Plaza.’
Projekti i studios daneze Bjarke Ignels Group paraqet idenë e një ndërtese tredimensionale mbi nivelin e tokës përmes kolonave, që poshtë ka hapësira të gjelbra, dhe lart krijon idenë e një reje.
Në këtë kullë do të ketë zyra, struktura hoteliere, hapësira për aktivitete kulturore si dhe hapësira publike, pasi synimi është krijimi i një parku të ri me më shumë gjelbërim. Gjithashtu nuk do të mungojë as shatërvani, por uji do të rrjedhë nga ndërtesa.










Komente
Komento