Baltë, plehra dhe rroba të pista ishin pamja e përditshme me të cilët ishin të detyruar të përballeshin për vite me radhë banorët e shumë pallateve pranë spitalit Nr. 5 në kryeqytet.
 
Të ngritura në mënyrë informale para disa vitesh, tezgat prej druri dhe plasmasi ishin kthyer në makthin e qytetarëve të shumtë, të cilët detyroheshin që për shkuar në shtëpitë e tyre të kalonin në këtë hapësirë jashtë çdo kriteri dhe kushtesh higjienike për të funksionuar si treg rrobash.
 
Siç mund të shihni edhe nga këto foto të bëra pak ditë para zhvendosjes së tregut të rrobave të përdoruara pranë spitalit Nr. 5, rrobat jo vetëm që tregtoheshin në tokë, por në të njëjtën kohë edhe tregtimi i ushqimeve në mënyrë ambulante rrezikonte jetën edhe të vetë tregtarëve.
 
Ndërsa në fund të ditës, ajo që mbetej në këtë zonë ishin mbetjet të cilat ishin kthyer dhe në burim infeksioni, çka është konfirmuar edhe nga analizat që ka bërë Inspektorati i Shëndetit Publik si dhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorëve, të cilët kanë konstatuar një ngarkesë të madhe mikrobiale në mjedis.
 
Kjo situatë është si “nata me ditën” nëse krahasohet me tregjet e tjera të licencuara nga Bashkia, ku kushtet e tregtimit janë brenda normave dhe standardeve.

[gallery]21272[/gallery] 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com