Report TV mëson se agjentët e FBI-së janë Mark Newhouse dhe Jack Liao. Të dy agjentët kanë qenë të pranishëm në prezantimin e operacionit “Forca e Ligjit” në Ministrinë e Brendshme. Mark Newhouse është agjent special i FBI-së dhe ka një përvojë të spikatur në drejtim të hetimit të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Ndërsa Jack Liao është Drejtuesi i FBI-së për Evropën Juglindore. Burime nga Ministria e Brendshme sqaruan për Report TV se në Shqipëri do të qëndrojë vetëm agjenti Special Mark Newhouse.
Por cili do të jetë roli i agjentit të FBI-së dhe si do funksionojë Task-Forca kundër krimit të organizuar?
Task-Forca Qendrore do të ketë lidhje me Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, Prokurorinë, SHISH dhe disa institucione të tjera. Drejtuesi i Task-Forcës Qendrore do të ketë komunikim direkt me agjentin special të FBI-së Mark Newhouse dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Një sërë strukturash të tjera do të verifikojnë pasuritë e grupeve kriminale, ndërsa njësitë operacionale do të bëjnë sekuestrimin e këtyre pasurive dhe arrestimin e personave që i zotërojnë ato.
Do të ketë gjithashtu një Task-Forcë Speciale Qendrore e cila do hetojë të gjitha grupet kriminale, ndërsa Task Forca Rajonale do të mbledhë informacion dhe do të veprojë në të gjithë vendin. Dy struktura të rëndësishme të Task Forcës do të jetë Njësia që do të mbledhë informacion për ata që quhen “të fortët”, ndërkohë që Njësia për Analizën Financiare do të verifikojë pasuritë e këtyre personave.
Sipas të dhënave paraprake janë 358 automjete luksoze të cilat u përkasin organizatave kriminale. Gjithashtu janë zbuluar si të dyshuara se janë blerë me paratë e krimit 286 apartamente, 15 vila, 87 lokale, 7 komplekse të mëdha dhe 103 aktivitete biznesi. Në çdo rast do të jenë njësitë operacionale dhe agjentët në terren që do të bëjnë bllokimin e pasurisë dhe arrestimin e anëtarëve e krerëve të grupeve kriminale.
(Dy agjentët e FBI Jack Liao dhe Mark Newhouse)
(Me rreth të kuq dy agjentët e FBI Jack Liao dhe Mark Newhouse)
dy.b/shqiptarja.com