Qytetit të Fierit i është shtuar një tjetër biznes fason. Kësaj here një investim italo-shqiptar i quajtur “Etruria”, me vlerë 500.000 euro në fushën e tekstilit. Kjo kompani do të prodhojë produkte për pastrim dhe ndërtim.

Investitorët pohojnë se do të punohet me tre turne dhe numri i të punësuarve shkon në 100 persona. E veçanta e këtij biznesi ëshë se rikthen në Shqipëri inustrinë e tezgjahut. Në inagurimin e këtij biznesi mori pjesë ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes  Milva Ekonomi së bashku me deputetët e qarkut dhe kryebashkiakun e Fierit Armando Subashi.

Ministrja Ekonomi deklaroi:

“Kjo është një ditë e veçantë sepse këtu shikojmë një investim të ri që është i rëndësishëm jo vetëm për ekonominë e qytetit të Fierit, por është i rëndësishëm edhe për ekonominë shqiptare. Kemi të bëjmë me një ndërmarrje të re, ndërmarrje me kapital të huaj. Bashkë me ne këtu janë edhe investitorët italianë, që janë gjithashtu përfaqësues të këtij investimi të bërë në Shqipëri dhe është një mesazh shumë i fortë për t’i thënë të gjithëve që investimet e huaja jo vetëm që nuk ikin nga Shqipëria, por vijnë dhe vijnë me dëshirë të madhe për të qenë kontributor në rritjen ekonomike të vendit. Ky biznes në industrinë e fasonëve prodhon materiale të thurjes tekstile që përdoren në industrinë e higjienës dhe në produktet shtëpiake. Është një biznes që ka investuar në Shqipëri gati gjysmë milioni euro dhe do të punësojë 100 punonjës me një sistem me tre turne. Unë kam besimin e plotë se nuk do të ishte bërë e mundur nëse nuk do të ishte për sipërmarrjen shqiptare e cila lehtësoi ardhjen e këtij biznesi këtu dhe padyshim nuk do të ishte bërë e mundur nëse edhe vet bashkia e Fierit dhe kryetari i saj nuk do të kishin lehtësuar gjithë ecurinë për të ndodhur ky investim në vendin tonë.

Dua të theksoj gjithashtu që një biznes fasoni e shikon Shqipërinë sot si një vend me shumë interes, falë të gjitha masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare me 32 masat në paketën ndihmëse të fasonëve që ka sjellë mundësinë për të patur biznese fason në vendin tonë. Dua të ndaj me ju disa shifra të rëndësishme. Që në fillim kur nisi paketa fason në vend, u vu re një rritje e importit dhe eksportit të materialeve që vinin nga kjo industri. Sot ne kemi një situatë të tillë; që nëse të dhënat e eksporteve në industrinë fason, tekstile dhe lëkurë i krahasojmë me vitin 2014, rritja në 2015 ishte 5%, ndërsa rritja në 2016 përkundrejt 2015 është 21%. Numri i punonjësve që janë futur në këtë industri këtë vit, shkon rreth 3800 punonjës, duke shënuar një rritje të punësimit në industrinë fason me 38 mijë individë që punojnë në këtë industri. Prandaj të dhënat janë shumë të rëndësishme. Klima që është krijuar është shumë e rëndësishme, bashkëpunimi midis qeverisë qendrore dhe qeverisë lokale është shumë i rëndësishëm dhe natyrisht në gjithë këtë rol, bizneset tona kanë një rol të jashtëzakonshëm, sepse ata janë njerëzit që atraktojnë një biznes të huaj të vij dhe të punojë në industrinë shqiptare. Dua të falenderoj bashkinë e Fierit, dua të falenderoj gjithë klubin e investitorëve italianë që janë këtu prezent dhe padyshim zotin Stojku që bëri të mundur ardhjen e këtij biznesi në vend”.


Sipërmarrësi italian tha:

“Eksperienca ime këtu nisi rreth dy vite më parë. U ndjemë të mirëpritur në qytetin e Fierit, u ndjemë menjëherë mirë, dhe vendosëm që të ndërmerrnim këtë aventurë të re. Shpresoj me gjithë zemër që të jetë një fillim i mbarë për ne, pasi është e rëndësishme ecuria për të gjithë ata që do të jenë pranë nesh dhe për ata që do të punojnë në këtë kompani. Falenderoj ministren dhe të gjithë të pranishmit që ndodhen sot këtu”.

Ndërsa kryebashkiaku fierit Armando Subashi u shpreh se:

“Sipas bisedave që kemi bërë me miqtë tanë dhe investitorët italianë u ndoq si fillim, si fazë e parë të hapeshin 100 vende pune me synimin që këtu pothuajse të përpunohej gjithë produkti i gatshëm dhe më pas në Itali apo në vende të tjera të tjera të BE-së ato të shkojnë në formën e produkteve të gatshme. Mendohet që vendet e punës të shtohen akoma më shumë. Nga bisedat që kemi pasur, ideja është që brenda dy viteve këtu mund të shkohet në rreth 200 punonjës. Është një shifër e konsiderueshme, është një biznes që si shumë të tjera në qytetin tonë ka gjetur mbështetjen tonë maksimale. Unë kam qenë prezent që në ditët e para kur ka filluar ky proces, i kemi dhënë gjithë mbështetjen tonë morale dhe në aspekte të tjera organizative. Bashkë me masat që ka ndërmarrë qeveria, edhe ne si bashki vazhdimisht jemi të kujdesshëm kundrejt investimeve të tilla për t’i krijuar gjithë lehtësirat dhe gjithë terrenin e ngrohtë që ata duhet të gjejnë në vendin tonë për të investuar kapitalin e tyre. Mua nuk më ngelet gjë tjetër veçse t’ju uroj suksese dhe punë të mbarë dhe shpresojmë që gjithë ky investim të eci në linjën e duhur".

ekonomi

ekonomi

milva

milva

milva

milva

ekonomi

ekonomi

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)