Aty ku tërmeti tragjik i 26 nëntorit nuk la asgjë tjetër veçse gërmadha e shkatërrim, duket se dita ditës po marrin formën përfundimtare lagjet e banesat e reja.

Në lagjen e re në Ndroq, pritet që të zhvendosen në banesat e reja 74 familje. Kreyministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga lagjja Rilindja, ku siç shihet shtëpitë janë pothuajse të mbaruara dhe gati për të mirëpritur banorët që mbetën pa strehë.

‘Mirëmëngjes dhe me një tjetër lagje të re të Rilindjes pas rrënimit nga tërmeti, drejt përfundimit për të mirëpritur 74 familje nga Ndroqi, ju uroj një javë të mbarë.’- shkruan kreu i qeverisë.

Blloku i ri i banimit me banesa individuale do të ketë të gjithë infrastrukturën e nevojshme, si sistem ndriçimi, asfaltim, trotuare, rrjet kanalizimesh për ujërat e bardha dhe të zeza etj.
Bashkia e Tiranës po vijon punimet dhe për lagjet e reja me pallate në zonën e Kombinatit dhe tek “5 Maji”, ku do të strehohen familjet e prekura nga tërmeti dhe ato nga projekti i rindërtimit.