Shteti simbol i botës, i lirisë dhe i demokracisë, Amerika, shënon sot festën më të madhe kombëtare, 247-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Në Shqipëri për festën e Pavarësisë së Amerikës, ndodhet edhe presidentit 42-të i SHBA-së Bill Clinton i cili u mirëprit dje nga kryeministri Edi Rama me ceremoni shtetërore si dhe u nderua me medaljen "Ylli i Mirënjohjes Publike" për ti thënë faleminderit për atë që ka bërë për shqiptarët dhe Kosovën.

Kryeministri Rama zgjodhi momente nga vizita e ish Presidentit të SHBA Bill Clinton në Tiranë në prag të 4 korrikut, për t’i uruar Pavarësinë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

‘Gëzuar 4 korrikun Amerikë. Zoti ju bekoftë!’ shkruan Rama.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se Parimet e Deklaratës së Pavarësisë u bënë filozofia politike e zhvillimit dhe demokratizimit të kombeve të qytetëruara.

“Nuk ka një rast tjetër, kur pavarësia e një vendi të ketë ushtruar në historinë botërore atë ndikim e fuqi ndryshimi të Deklaratës dhe shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pavarësia e ShBA i dha jetë shtetit më të madh demokratik të botës dhe jetërsimit në parimet kushtetuese të të drejtave të patjetërsueshme të individëve: Jetës, Lirisë dhe kërkimit të Lumturisë.”

Një urim për të gjithë qytetarët amerikanë në Shqipëri e kudo erdhi edhe nga ambasada e SHBA në Tiranë. Nuk lanë pa shënuar mesazhin e tyre për Pavarësinë e shtetit më të fuqishëm të botës, as opozitarët. Lulzim Basha zgjodhi një citat nga Deklarata Pavarësisë, ndërsa Ilir Meta i Partisë së Lirisë, thënien e Benjamin Franklin se “aty ku strehohet liria, gjendet vendi im”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:34
Bardhi uron SHBA për ditën e Pavarësisë me një foto me Kim: Më keq sesa të luftosh me aleatët, sesa pa ta! Gëzuar ditëlindjen Amerikë

1688459673_fdf.JPG

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka uruar SHBA për ditën e pavarësisë. Ajo që bie në sy përpos mesazhit që Bardhi ka dhënë, ka qenë fotoja ku ka pozuar me Kim, si mesazh për retorikën e ashpër që i është bërë nga grupi i Rithemelimit dhe ish kryeministri Berisha.

“Dita më e mirë për të falenderuar SHBA që na ka qendruar në krah në kohërat  më të vështira të kombit shqiptar. Siç thonë njerëzit e mençur, ka të paktën një gjë që është më keq sesa të  luftosh me aleatët dhe kjo është të luftosh pa ta! Gëzuar ditëlindjen Amerikë!”- thotë Bardhi teksa ndan foton me Kim.

Ora 10:30
Dita e pavarësisë së SHBA, Basha: Zoti e bekoftë miqësinë e dy vendeve tona

Ish-kreu i PD Lulzim Basha ka uruar Ditën e Pavarësisë së Amerikës. Nëpërmjet një fotoje të publikuar në ‘Facebook’, Basha falënderon SHBA-në për mbështetjen që i ka dhënë vendit.

“Gëzuar 4 korrikun. Zoti e Bekoftë miqësinë mes dy kombeve tona!”, shkruan ish-kreu i PD-së.

Ora 08:51
Begaj uron SHBA-të për ditën e Pavarësisë: Të vendosur të ndërtojmë një të ardhme në të cilën ruajmë vlerat e demokracisë

1688451768_4korriku.jpg

Presidenti Bajram Begaj ka uruar Amerikën për ditën e Pavarësisë. Begaj shton se është mirënjohës e krenar për historinë që lidh Shqipërinë dhe SHBA-të.

‘Gëzuar 4 Korrikun!  Mirënjohës dhe krenarë për historinë që lidh Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara. Si partnerë strategjikë, jemi të vendosur për të ndërtuar një të ardhme në të cilën ruajmë dhe forcojmë së bashku vlerat e demokracisë.’- shkruan Begaj.