VIDEO/ Tirana i sjell fat Romës, italianët mposhtin Partizanin në ‘Air Albania’! Zekic e nis me formacionin e dytë

TIRANË - Partizani humbi 1-2 me Romën në “Air Albania”, në testin miqësor të zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Tiranë. Kampionët e Shqipërisë e kishin mendjen te Valmiera në Conference League, aty ku të enjten i pret ndeshja e kthimit. Trajneri i të kuqve, Zoran Zekic e nisi ndeshjen me formacionin e dytë.

Dueli u zhbllokua shpejt nga djemtë e Mourinhos, me El Shaaraëy që shënoi pas 12 minutave lojë, duke kaluar topin mbi portierin Alban Hoxha. Ekipi i Seria A dominoi lojën, duke qenë se në fushë luante shumica e ekipit të parë.

Në minutën e 26-të ishte Belotti që shënoi golin e dytë për Romën, duke dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes.

Në pjesën e dytë, si Zekic dhe Mourinho bënë shumë zëvendësime, me Partizanin që ishte me fytyrën e vërtetë pas minutës së 65-të. Do duhej minuta e 85-të që Tedi Cara të kthente në gol një penallti, për rezultatin final 1-2. Për t’u përmendur se në stadium ishin afro 18 mijë tifozë. Kjo është hera e dytë që Roma fiton në Tiranë, pas triumfit në finalen e Conference League kundër Feyenoord në 25 majin e 2022.

Dueli i radhës për Partizanin është të enjte në “Elbasan Arena”, në përballjen kundër Valmierës për ndeshje e kthimit në Conference League. Dueli i parë në Letoni përfundoi 1-2 për të kuqtë. Nga ana tjetër, Roma pas një jave luan kundër Salernitanës për javën e parë në Serie A.

Para ndeshjes, trajneri i Romës, Jose Mourinho u shpreh i lumtur që ndodhet sërish në Shqipëri, aty ku në 25 majin e 2022 fitoi trofeun e Conference League me të tijët, duke marrë të parin trofe evropian për romanët.

"Është një vend që ndikon mirë për ne, është një vend që kemi fituar trofeun. Kam një marrëdhënie të mirë me kryeministrin dhe është kënaqësi që të jem këtu sërish, kryeministri ka bërë një punë të mirë. Vij me kënaqësi këtu", tha Mourimho për RTSH. 

Skuadra e Serisë A italiane ka mbërritur në tokën shqiptare në orën 12:30 të së shtunës, teksa do akomodohet në një nga hotelet pranë stadiumit. Ata udhëtuan nga Roma me "Air Albania" dhe me avionin e quajtur "Gjergj Fishta". 

FORMACIONET
PARTIZANI: 
Hoxcha, baruti, Preka, Buxhelaj, Hadroj, Bilali, Maget, Kote, Grezda, Keko, Bintsuka
Trajner: Zoran Zekiç

ROMA: Rui Patricio, Kristensen, Mançini, Smalling, Jorente, Spinacola, Auar, Pagano, Bove, Beloti, El Sharaui.
Trajner: Zhoze Murinjo

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:16
FOTOT/ Rama dhe Veliaj në ‘Air Albania’, ndjekin miqësoren Partizani-Roma

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj janë fotografuar në stadiumin Air Albania. Rama dhe Veliaj kanë qenë sëbashku në tribunën VIP nga ku kanë parë ndeshjen miqësore mes Romës dhe Partizanit.

Ora 21:57
Miqësorja e luksit, Roma fiton me rezultatin 2-1 ndaj Partizanit


Ka përfunduar miqësorja Roma-Partizani në stadiumin ‘Air Albania’. Ekipi Mourinhos fitoi në Tiranë me rezultatin 2-1 ndaj Partizanit.

Ora 21:46
VIDEO/ Demat e kuq shpresojnë, Cara ngushton diferencën në 1-2

 

Partizani ka shënuar gol me penallti. Tashmë rezultati i ndeshjes miqësore ka shkuar 1-2 për Romën. Ishte Cara ai që realizoi golin nga pika e penalltisë.

Ora 21:03
Miqësorja e luksit, Noizy ‘elektrizon’ tifozët në Air Albania

 

Reperi i famshëm Noizy ka performuar në stadiumin Air Albania, në fundin e pjesës së parë të miqësores Partizani-Roma. Noizy ka performuar disa prej hiteve të tij duke elektrizuar mijëra tifozë në Air Albania.

Ora 20:49
Miqësorja Roma-Partizani, Rama ndjek ndeshjen me Noizyn nga tribuna VIP! Krah tyre edhe ambasadori italian

Kryeministri Edi Rama po ndjek miqësoren mes Romës dhe Partiznait në Air Albania. Rama ka ndarë foto me reperin Noizy nga tribuna VIP, ndërsa kanë bërë edhe shqiponjën me duar. Krah tyre duket edhe ambasadori italian.

Noizy pritet të performojë në Air Albania, ndërsa krahas fotos së ndarë kreu i qeverisë shkruan "Zhurm, zhurm, shume, shume, zhurm".

Ora 20:36
VIDEO/ Shënon përsëri Roma, Belotti ‘dyfishon’ rezultatin në ‘Air Albania’! Feston skuadra e Mourinhos

 

 

Belotti ka shënuar golin e dytë për Romën në minutën e 26. Gjithçka nis pasi Hadroji humbi topin në krahun e djathtë dhe Spinacola nis kundërsulm të shpejtë. Më pas Beloti shënoi në të djathtën, duke ‘dyfishuar’ shifrat.

Ora 20:25
VIDEO/ El Sharaui ‘ndez spektaklin’ në Air Albania, Roma në avantazh

 

Roma kalon në avantazh në minutën e ’12. El Sharaui shënoi gol duke kaluar italianët në avantazh përballë partizanit.

Ora 20:03
Nis miqësorja Partizani-Roma, skuadrat zbresin në fushë

 

Ka nisur në stadiumin Air Albania miqësorja mes Partizanit dhe Romës. Skuadrat kanë zbritur në fushë, ndërsa të tifozë të shumtë po ndjekin ndeshjen.

Ora 19:52
Miqësorja e luksit/ Publikohen formacionet zyrtare të Partizani-Roma

Partizani luan sot ndaj Romës një miqësore luksi, ndërsa janë publikuar edhe formacionet zyrtare. 

PARTIZANI: Hoxcha, baruti, Preka, Buxhelaj, Hadroj, Bilali, Maget, Kote, Grezda, Keko, Bintsuka
Trajner: Zoran Zekiç

ROMA: Rui Patricio, Kristensen, Mançini, Smalling, Jorente, Spinacola, Auar, Pagano, Bove, Beloti, El Sharaui.
Trajner: Zhoze Murinjo

Ora 19:49
Miqësorja Partizani-Roma, futbollistët zbresin në fushë për nxemje! Do performojë edhe Noizy

 

Për pak pritet të nisë miqësorja Partizani-Roma. Skuadrat kanë zbritur në fushë për të bërë nxemje, ndërsa stadiumi po mbushet me tifozët të cilët kanë blerë pothuajse të gjitha biletat për të parë këtë ndeshje.

Ndërkohë, pritet që të ketë edhe një performancë të reperit Noizy.

Ora 18:42
Miqësorja Partizani-Roma, atmosfera në ‘Air Albania’, tifozët presin nisjen e ndeshjes

 

Partizani dhe Roma do luajnë sot në 20:00 ndeshjen miqësore në ‘Air Albania’. Tifozë të shumtë janë mbledhur jashtë stadiumit, ndërsa na ndajnë rreth 01:30 minuta nga ndeshja. Ndërkohë, vihet re një prezencë më e vogël e forcave policore duke qenë se ndeshja është miqësore.

Aktualisht vetëm kordoni i security po bën kontrollin e tifozëve para se të ngjiten në stadium.

Ora 14:45
Mungesa të rëndësishme, formacioni i Romës kundër Partizanit


Roma do luajnë një miqësore sot në 20:00 në "Air Albania" kundër Partizanit. Skuadra e Serie A mbërriti këtë mesditë në Tiranë, me Mourinhon që ka disa dilema për formacionin. Me Kumbullën të dëmtuar, Dybala jo në formë dhe disa lojtarë që nuk duan të rrezikojnë, portugezi pritet të luajë me skemën 3-5-2.

Formacioni i mundshëm:

Roma (3-5-2): Patricio, Mancini, Smalling, Ndicka, Kristensen, Pelegrini, Matic, Zalevski, Auar, El Shaarawy, Belotti

Ora 13:51
Udhëtim në atdhe, Marash Kumbulla me Romën në Shqipëri (FOTO)


Partizani dhe Roma do luajnë sot në 20:00 një test miqësor në "Air Albania". Për skuadrën e Serie A nuk do jetë i gatshëm Marash Kumbulla, i cili vuan një lëndim prej disa muajsh tanimë. Paçka se do qëndrojë në tribunë, mbrojtësi i Kombëtares nuk mund të humbiste mundësinë për të ardhur në atdhe. Ai shihet së bashku me ekipin që mbërrin në aeroportin "Nënë Tereza".

Ora 13:04
Miqësorja e luksit, Partizani - Roma gjykohet nga arbitrat e Superligës

Partizani dhe Roma është miqësorja që luhet sot në 20:00 në "Air Albania". Në stadiumin e Tiranës pritet të jenë më shumë se 18 mijë tifozët, teksa kundërshtarët e Parizanit mbërritën këtë mesditë. Klubi i Serie A ka pranuar që kjo ndeshje të gjykohet nga një katërshe shqiptare, me kryesor Juxhin Xhajën.

Kryesor: Juxhin Xhaja

Asistent: Nertil Bregasi, Rejdi Avdo

Arbitër i katërt: Orlando Kuka

Ora 12:57
'Avullojnë' biletat në Tiranë, Roma e Mourinhos mbush stadiumin përballë Partizanit

Partizani dhe Roma do luajnë sot në 20:00 një test miqësor në "Air Albania". Interesi për këtë duel është i lartë, me tifozët që kanë blerë më shumë se 18 mijë bileta për këtë sfidë. Aktualisht kanë mbetur edhe disa sektorë që ende ka mundësi për të siguruar një biletë, me kapacitetin e stadiumit që është 21 mijë ulëse.

S.DH/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Misteri: Ku shkuan 8 tonë ar, që doli nga Thesari në vitin 1968

Misteri: Ku shkuan 8 tonë ar, që doli nga Thesari në vitin 1968