Turistja angleze dhe dashamirësja e shpendëve, Sheila Phyall është frymëzuar nga afresku më i madh i Ballkanit, i njohur si “Sjellësi i Pranverës”që gjendet në qytetin e Vlorës dhe e ka riprodhuar atë si tatuazh në trupin e saj. Afresku “Sjellësi i Pranverës” është realizuar nga PPNEA dhe BSPB në kuadër të projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave” në vitin 2016 dhe ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e kalit të qyqes në vendin tonë.
Afresku, përmban dy elementë kryesorë: kalin e qyqes dhe qyqen dhe është realizuar në formë të tillë që të shprehë një legjendë të hershme të popullit tonë që i ka dhënë edhe emrin këtij lloji. Në prag pranvere të dy këta lloje kthehen nga shtegtimi në të njëjtën kohë dhe mendohej se qyqja, një shpend më i vogël, kishte nevojë për shpinën e një shpendi të madh dhe të fuqishëm si kali i qyqes për t’a sjellë nga territoret e shtegtimit.
Sheila Phyall është shprehur se këtë gjest e ka kryer e ndikuar nga frymëzimi që i ka shkaktuar afresku i Vlorës dhe në shënjë mbështetje të fortë të veprimtarisë që po kryhet për ruajtjen e këtij lloji si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut të gjerë, jo vetëm për ruajtjen e kalit të qyqes, por biodiversitetit në përgjithësi.
(Turistja angleze, Sheila Phyall )