Në prag të finales së Botërorit mes Spanjës dhe Argjentinës, një nga fotografitë më ikonike të futbollit modern ka rikthyer vëmendjen e tifozëve në mbarë botën. Bëhet fjalë për imazhin e vitit 2007, ku Lionel Messi shfaqet duke i bërë banjë Lamine Yamalit, atëherë vetëm disa muajsh.
Autori i asaj fotografie, Joan Monfort, ka rrëfyer historinë pas shkrepjes që sot konsiderohet historike, sidomos tani që Messi dhe Yamal pritet të përballen si rivalë në finalen e Kupës së Botës 2026.
“Deri tani nuk kam besuar shumë te fati, por tani po”, u shpreh Monfort, duke iu referuar rrugëtimit të jashtëzakonshëm të dy protagonistëve të fotos.
Fotografi shpjegoi se ideja lindi si pjesë e një kalendari bamirësie të organizuar nga Barcelona në bashkëpunim me UNICEF.
“Në fund të Europianit 2024 fotografia u bë sërish virale, pasi babai i Lamine e publikoi në Instagram. Barcelona dhe UNICEF po përgatitnin një kalendar dhe vendosën të bashkonin me short një futbollist të ekipit të parë me një fëmijë nga Katalonja. Synimi ishte të përcillej një mesazh humanizmi në prag të Krishtlindjeve”, tregoi ai.
Monfort zbuloi se fillimisht u shqetësua kur mësoi se foshnja ishte vetëm disa muajshe.
“Teksa po i bëja banjë vajzës sime, më lindi ideja e vaskës dhe rosakut prej gome. Të nesërmen i mora me vete në ‘Camp Nou’ dhe realizuam fotografinë”, kujtoi ai.
Fotografi zbuloi gjithashtu se Messi nuk ishte aspak i qetë gjatë realizimit të fotos.
“Edhe sot Messi është një njeri i rezervuar, por atëherë ishte edhe më i turpshëm. Ishte në tension sepse pa një foshnjë kaq të vogël dhe mendonte se do të punonte me një fëmijë më të rritur. Unë përpiqesha t'i jepja udhëzime, por njëkohësisht duhej të bëja edhe fotografinë. Në fund, ajo që e zgjidhi gjithçka ishte nëna e Lamine. Falë saj të gjithë u qetësuan dhe fotografia doli perfekte. Misioni u përmbush”, përfundoi Monfort.
Fotoja e vitit 2007 ka marrë një domethënie krejtësisht të re, pasi pothuajse dy dekada më vonë, Lionel Messi dhe Lamine Yamal do të jenë përballë njëri-tjetrit në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Lajmi kryesor:
VIDEO/ Fotoja me foshnjën Lamine Yamal, Messi: Një çmenduri, s'do lejoj që ai të fitojë Botërorin






