TIRANE - Skema e re e pensioneve e cila ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti, është cilësuar nga Kryeministri Edi Rama si hapje e një epoke të re për pensionet në Shqipëri.

Përmes një fotoje të publikuar në rrjetin social 'Facebook", Kryeminstri Rama theskon se tashmë me skemën e re, 5 mijë gjyshër e gjyshe, të përjashtuar nga skema e vjetër, sot marrin pension social 6.700 lekë në muaj.

Po ashtu, me skemën e re shembet tavani prej 24.000 lekësh i ligjit të vjetër dhe sot një pensionist përfiton 30.000 lekë, ndërsa në vitin e dytë edhe më shumë. Shefi i qeverisë shprehet se më në fund edhe minatorët do të marrin pension të plotë pleqërie ose dyfishin e mëparshëm dhe në moshën 55 vjeç.

Po ashtu, kryeministri i vendit nënvizon se pas 20 vjetësh Shqipëria ka një qeveri që jo vetëm kujtohet por edhe lufton për emigrantët shqiptarë.
 
Kjo pasi në bazë të marrëveshjeve të arritura, 35 mijë emigrantë shqiptarë do të mund të marrin pension për çdo vit pune në Belgjikë. Rama shprehet gjithashtu se po në të njëjtin drejtim, janë mbyllur negociatat me Kanadanë, Rumaninë dhe Hungarinë. Ndërkohë brenda vitit mbyllen marrëveshjet edhe me Gjermaninë e Austrinë si dhe kanë nisur negociatat edhe me Italinë. 

pensionet rama

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)